Kësaj here Bujar Kapexhiu duhet t’i bëjë një karikaturë vetvetes!
Elida BUÇPAPAJ
Bujar Kapexhiu është bërë i përditshëm me karikaturat e tij tek Mapo, të cilat janë me sens kritik ndaj aktorëve të pacipë të politikës shqiptare.
Artisti i mirënjohur i bën kritikat soft, por kritika mbetet kritikë.
Kur them soft, Kapexhiu e shmang rock-un, në mënyrë të mos i lëndojë aq fort të kritikuarit, i fshikullon ata, por me ato puplat e pluhurave,
e megjithatë ka krijuar rrethin e simpatizantëve, që kanë mbetur të zhgënjyer me deklarimet e fundit të artistit në lidhje me memorialin turk vendosur në mes të Tiranës.
Tek intervista që dha për Gazetën Panorama, Bujar Kapexhiu, në vend që të kërkonte ndjesë, u përpoq të justifikonte praninë e tij në çmendurinë e rradhës të një kryetari bashkie që është në funksion të babëzisë mafioze të Edi Ramës, që për pushtet shet gjithë Shqipërinë.
Nuk ka asnjë justifikim vendosja në mes të kryeqytetit shqiptar e memorialit kushtuar të rënëve në mbrojtje të Erdoganit gjatë grushtit të shtetit.
Ky memorial është thjesht gjunjëzim i Edi Ramës ndaj Erdoganit duke shkelur në dinjitetin e shqiptarëve.
Është e turpshme që në përurimin e këtij memoriali kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Edhe shoqëria civile në Shqipëri është skllavja e Edi Ramës.
Në Shqipëri nuk ka asnjë memorial që kujton viktimat e diktaturës, nuk ka asnjë Yad Vashem. Dhe e dini përse?
Jo vetëm për faj të klasës politike, por edhe për faj të elitës, që për interesa të komoditetit personal nuk ia prish qejfin askujt!
Prania e memorialit në mes të Tiranës është i papërshtatshëm. Ambasada turke sikur e vendosi le ta heqë, sepse është provokues për shqiptarët!
Heqja e memorialit nuk ka se përse të prishë marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë si dy vende anëtare të NATO-s.
Nuk ka asnjë monument të Skënderbeut në mes të Stambollit dhe Shqipëria e Turqia janë shtete miq.
Në Tiranë mund të ketë një statujë për Mustafa Kemal Atatürk-un, si themeluesin e Turqisë moderne, me origjinë shqiptare, por memoriali nuk ka asnjë sens të qendrojë në Tiranë.
Edi Rama le ta marrë e ta çojë këtë memorial në vilën e tij në Surrel, por le të dërgojë policët e Lleshit, e ta heqë nga vendi ku ndodhet.
Ndërsa z.Bujar Kapexhiu, të shpëtojë nderin që e ka krijuar me meritat dhe talentin e tij, le të kërkojë heqjen e memorialit e t’ju lypi ndjesë simpatizantëve e shqiptarëve.
Do të ndihet më i nderuar nëse lyp ndjesë. Dhe ne simpatizantët e tij do ta harrojmë menjëherë praninë e tij në ditën inauguruese të memorialit.
Turqia u ka kërkuar shtetarëve shqiptarë shërbime që bien ndesh me të drejtat e njeriut, sikur është rasti i ekstradimit nga Kosova të qytetarëve turq që dyshoheshin si njerëz të Fethullah Gulenit.
I njëjti skenar u synua të realizohej edhe në Zvicër, por dështoi dhe u krijua incident mes dy shtetesh sepse qytetarët turq, që shërbimi i fshehtë turk deshi t’i ekstradonte, u morën në mbrojtje nga shërbimi adeguat i shtetit zviceran. Zvicra mbron sovranitetin e shtetit dhe të qytetarëve të saj.
Shqipëra dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të mira me Turqinë, por janë dy shtete të pavarura dhe jo shtete vasale.
Memoriali në Tiranë është shprehje puthadore e Edi Ramës ndaj Erdoganit, jo si midis dy burra shtetesh por si shërbyes i presidentit të Turqisë. Le ta marrë Erdogani Edi Ramën për shërbime dhe besnikëri në pallatin e tij e le t’jua heqi qafe shqiptarëve.
Shqiptarëve nuk u duhet as Edi Rama dhe as memoriali. U duhen marrëdhënie të respektit të ndërsjelltë, që askush nuk i imponon tjetrit, as ta vendosë Skënderbeun pranë Xhamisë Blu, dhe as anasjelltas.
Heqja e memorialit nga Tirana nuk cënon marrëdhëniet ndërshtetërore, por i vendos ato në raporte të drejta.
Ndërsa memecëria e politikanëve shqiptarë, e shoqërisë civile dhe e elitave është shitje e nderit të tyre.
Kësaj here Bujar Kapexhiu duhet t’i bëjë një karikaturë vetvetes!