Rreziku i Tien An Men-it kinez në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë
Sami Repishti, Ph.D.*
“Studioni historinë, studioni historinë. Në histori gjenden të gjithë sekretet e qeverisjes së mirë.”
(Winston Churchill, 1953)
Ridgefield,CT.- Lajmet e ardhuna nga Shqipëria na trishtojnë!
Në vendin tonë, ashtë krijue nji gjendje që nuk mund të përfundojë me sukses. Përkundrazi, të gjithë frikësohemi se në ditët e ardhme do të kemi trazime dhe ballafaqime që mbartin rrezikun e përleshjeve fizike në sheshet e qyteteve dhe rrugët e katundeve tona. Ka arsye me besue se shqiptarët janë nisë në mënyrë të pandalshme drejt nji krize të randë! Duket sikur Shqipëria nuk ka forcë të pengojë zbritjen në kaosin shkatërrimtar. Unë, refuzoj këtë gjykim! Sot, njerëzimi mbarë nuk i nënshtrohet pa kundërshtim vorfnisë e shtypjes me të gjithë efektet negative: Vdekje nga uria, sëmundje të pashërueshme, dhe përkeqësim të frikshëm. Njerëzimi mbarë përbuz këtë lloj mjerimi që, në esencë, ashtë shkelja e patolerueshme e lirive dhe e dinjitetit njerëzor. Njerëzimi revoltohet si nji rebel në shërbim të kauzës së shenjtë: Çlirimin e plotë të të gjithëve, pa dallim, pa përjashtim. Njerëzimi lufton kundër pushteteve totalitare që sjellin gjendje të këtilla, deri në fitoren e plotë! Njerëzimi nuk pret me duarkryq të ardhmen; ai e ndërton atë simbas imazhit që e frymëzon: Tue ngritë aftësinë e qenieve njerëzore, dhe shoqënisë mbarë me përparue në nivele përherë ma të nalta jetese dhe qytetnimi. Ky ashtë marshi triumfal i historisë! Por, jo në Shqipëri!
Sot, në Shqipëri, gjendemi para nji dileme ekzistenciale: A duhet të pranojmë turpin e ditëve tona që na imponohet në forma qeveritare, përbuzëse të ligjit, shkelëse të drejtave themelore të qytetarëve, tue i injorue ato, apo do të reklamojmë këto të drejta natyrore e pozitive që natyra dhe shteti ligjor na garantojnë? A duhet të pranojmë për vete dhe për të gjithë vëlleznit e motrat tona, konditat e jetës së nënshtrueme, në kundërshtim me të gjithë të kaluemen tonë historike, me mohimin e frymës së Rilindjes sonë Kombëtare dhe Pavarësisë, me frymën revolucionare të luftës kundër pushtuesve të huaj, dhe të rezistencës heroike të luftës për demokraci e çlirim gjatë 45 viteve të “diktaturës së proletariatit” – epoka e poshtnimit total të miliona qytetarëve të etshëm për liri?
Sot, ekziston mundësia e përsëritjes së nji Tien An Men-it kinez në qytetet e fshatrat e vendit tonë. E tmerrshme!
Eksperienca e së kaluemes në Shqipëri ka qenë shumë zhgënjyese. Udhëheqës autoritarë absolutë ma parë, elementë stalinistë të pariparueshëm, ksenofobë dhe homofobë pa asnji respekt për jetën e njeriut ma vonë, frymëzue nga nji përbuzje ekstreme për ligjin dhe shtetin ligjor, me nji mohim të drejtave dhe lirive themelore të nji shoqënie të qytetnueme, kanë lanë gjurmët e tyne të pashlyeshme. Sot, ata ende veprojnë me ide e vepra irracionale, të egërsuem deri në vrasje, dhe me paturpësinë e fshehjes mbas sloganeve pa substancë. Nga leximi i shtypit shqiptar, njeriu ka përshtypjen se nji konglomerat karrieristësh, hajdutësh dhe kriminelësh- i njohur si elita politike e vendit – janë bashkue vetëm prej nevojës së mbrojtjes nga “shteti ligjor” që nuk i lejon, dhe për nji sistem qeveritar që i lejon me qenë ata që janë në të vërtetë, ose ata që dëshirojnë me qenë të tillë…! Me grykën e pushkës që vret qytetarin, e ligjin njëkohësisht, në nji vend ku krimi nuk dënohet (edhe me tanke të ushtrisë si në masakrën e 2 prillit 1992, në Shkodër, që vrau katër djelmosha në pranverën e jetës së tyne, të rinj të frymëzuem nga dëshira e çlirimit nga diktatura e kuqe dhe themelimit të nji shteti dhe shoqënie demokratike) ashtë manifestimi ma elokuent i urrejtjes që ky konglomerat ka për popullin e vet, dhe ndershmëninë elementare.
Sot, mbeturinat toksike të kësaj turme vandalësh, në përpjekje të dëshpërueme me evitue humbjen e pushtetit, dhe të friksuem për rrjedhimet e natyrshme që mund të vijnë si rezultat i dënimit të krimeve e kriminelëve autorë të këtyne krimeve, ata shtrëngojnë radhët njeni me tjetrin, dhe janë gati me përballue nji popull të zemruem.
Cili ka qenë mësimi i përmbysjes së perandorisë sovjetike, 1989, që u dorëzue pa zbrazë asnji fishek? Ashtë, kryesisht gjendja ndërkombëtare! Duket se vendi ynë nuk ka mësue gja nga ky zhvillim, as edhe peshën e forcave ndërkombëtare në zhvillimin e gjendjeve të brendshme të vendeve që e injorojnë. Ka mundësi që nji qëndrim i këtillë mospërfillës vjen edhe nga fakti se ata u përmbysën dhe nuk pësuen denimin e merituem për krimet e pafalshme. Fatmirësisht,, andrra komuniste ka vdekë pa shpresë ringjalljeje!
Sot, fajtorët dhe bashkëpunëtorët e tyne, përsëri bajnë përpjekje të reja me rindërtue shtetin e shoqëninë shqiptare në imazhin e së kaluemes së tyne të frikshme: sundimin absolut në shtet nji-partiak, pa hezitim, pa kondita, pa rezerva. Sot, shohim ndërhymjen e tyne të unifikueme, sabotimin e vazhdueshëm të opozitës, refuzimin e çdo dialogu serioz për zgjidhjen e problemit, neglizhimin e drejtësisë me gjykata pa gjykatës, “udhëheqës” potencialë të nxjerrun nga radhët e familjeve të ish-udhëheqësve komunistë (promovue nga nji kryeministër jo-komunist; paradoks shqiptar!), politizimin e Policisë që shërben mbrojtjen e çdo qytetari, dhe rrezikun e politizimit të Ushtrisë…krijimin artificial të nji krize kushtetuese me kërkesën për rrëzimin e Presidentit të Republikës, sepse ka zbatue ligjin që nuk u pëlqen pushtetarëve, si dhe tash se fundi arrestimin e demonstruesve. Ky qëndrim ashtë përcaktue nga Kreu i Shtetit si “procesi farsë dhe i dhunshëm që po organizon (E. Rama) me 30 qershor, ashtë instalimi përfundimtar i grushtit të Shtetit…”.
Konfrontimi që po përgatitet me zell “revolucionar” kërcënon shtetin dhe shoqëninë shqiptare!
Duhet veprue, duhet ndalue marshi i fashizmit të kuq në Shqipëri!
Duhet rivendosë ligji, dinjiteti i qytetarit, dhe respekti që vendi ynë meriton para botës së jashtme.
Duhet të kthehemi në normalitet.
Duhet të respektojmë ligjin e jo të zbatojmë urdhnesat kapricioze të pushtetarëve.
Duhet të krijojmë atmosferën demokratike ku nuk lejohet frika e shtypjes, ku qytetari punon për bukën e gojës pa frikën e trazimeve që konsumojnë jetë të pafajshme.
Në shoqëninë e sotme shqiptare, theksi nuk vihet mbi “individin”, as mbi “liritë dhe të drejtat e “qytetarit”, dhe mbrojtja e Kushtetutës. Përkundrazi! Theksohet nënshtrimi ndaj vullnetit të “udhëheqësit të sotëm” gjithherë me frikën e “devijimit” dhe dënimit që e ndjek . Kërkohet nji Shqipëri “ndryshe”!
Dhe këtë gjendje mund ta krijojë vetëm nji shoqëni civile koshiente e detyrës ndaj vendit e popullit tonë. Duhet guxim, duhet punë, duhet dedikim i plotë ndaj kauzës së lirisë dhe demokracisë. Shqipëria ka elementë mendje-ndritun për nji ndërmarrje të këtillë historike. Nuk ashtë e lehtë! Shqipëria nuk ka pasë në të kaluemen nji shoqëni perëndimore funksionale. Shqipëria ka trashëgue nji shoqëni statike me tone otomane në perceptime dhe vlera, trashëgim që ka pranue ma lehtësisht autoritetin dominant të nji sunduesi ose partie politike. Këtë “shoqëni civile” në Shqipëri unë e uroj me gjithë zemër sot !
*****
Në fund të L2B, nji figurë madhore politike gjermane, Egon Bahr, i persekutuem nga Hitleri, disfatën e Gjermanisë naziste nuk e konsideroi si ”okupim” por si “çlirim” të Gjermanisë. Ai ishte i vendosun me luftue për nji trajtim të barabartë për të gjithë gjermanët. Sepse, shkruente ai, “për sa kohë që mbetemi të ndamë, na nuk jemi nji komb”. Dhe shtonte: “Asnjeri nuk do të na ndihmojë, në se nuk ndihmojmë vetveten”. Me nji qëndrim të këtillë, Gjermania e mbasLuftës triumfoi.
Ajo që karakterizoi komunistët shqiptarë me veprue me format ma çnjerëzore ndaj bashkatdhetarëve të tyne ka qenë elementi themelor: injoranca e randësisë së lidhjeve me botën e qytetnueme, dhe preferenca e tyne për vetë-izolim hermetik, zgjidhje që rrjedh nga mentaliteti i vjetër i diktuem nga…injoranca. Si rrjedhim Shqipëria mbeti mbrapa përsëri, për të dytën herë në histori.
Herën e parë: Mbas vdekjes së Skënderbeut, Traktati i vitit 1479 në mes të Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin e Shqipërisë. Dritarja e Botës Perëndimore u mbyll për Shqipërinë pikërisht në nji kohë kur era frymëdhanëse e Renaissance-s dhe idetë fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Evropë të re me nji etje gargantueske për njohuni të reja, për hapësina dhe nji botë të re me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kërkues, e thellësisht njerëzor. Pavarësisht nga faktori fetar – që mbetet gjithmonë nji çështje krejtësisht intime për çdo ndërgjegje personale- pushtimi osman ka nxjerrë Shqipërinë nga historia e kontinentit evropian, dhe e ka dënue atë të jetë nji krahinë e harrueme brenda nji perandorie te mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Evropës, që po rilindte në Perëndim”.
Herën e dytë: Me mbarimin e L2B dhe disfatën nazi-fashiste në Evropë, Shqipëria u lirue nga “i hueji” dhe ra në duert e fanatikëve komunistë, sherbëtorë të perandorisë sovjetike, kundërshtarë të Evropës Perëndimore. Kështu dritorja e Evropës Perëndimore u mbyll për Shqipërinë, pikërisht në nji kohë kur era e fitores mbi fashizmin, dhe përhapja e vlerave euro-atlantike po përhapej në pjesën e madhe të kontinentit. Njerëzimi ishte i etun për liri dhe për krijimin e nji bote të re me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem, të shpirtit kërkues, e thellësisht njerëzor. Nënshtrimi ndaj zonës komuniste, – jugosllave ma parë dhe ruse ma vonë – në gjirin e perandorisë komuniste sovjetike ka nxjerrë Shqipërinë nga historia e kontinentit evropian, dhe ka denue vendin tonë të jetë nji sub-satelit ma parë dhe satelit ma vonë, i pa përfillun brenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Evropës që pasunohej çdo ditë, në perëndim
Akoma ma keq! Premtimet e nji përpjekje të re me u ringjallë në kuadrin e Evropës së qytetnueme u dënuen me vdekje, reale dhe figurative. Dështimi damtoi tranzicionin në demokraci, dhe hapi rrugën për korrupsion, cinizëm ndaj politikës, nji rrymë populiste, dhe nji presion nga kapitali që synoi me transformue qytetarët e lirë në konsumatorë të mallnave të importuem. Dami i madh i këtij orientimi dhe partizania e jetës politike në vend (Partia mbi të gjitha!) si dhe margjinalizimi i talentit të vërtetë rezultoi në krijimin e nji pengese me dame të pallogaritshme për përpjekjen e bashkimit kombëtar, dhe për përpjekjet me iu dedikue përmirësimit të konditave të jetës për milionat e shumëvuejtun të atdheut tonë. Nji vrap i vrullshëm dhe i pa kontrollueshëm për pasunim të shpejtë dhe të paligjshëm solli korrupsionin qeveritar, tue përfshi edhe gjykatat e vendit. Nji drejtësi e komprometueme randë nuk ishte në gjendje me zbatue ligjin. Rruga tashti ishte e hapun për veprimtari anti-ligjore. Shqipëria nga kohezioni i nji kombi të vjetër, mbeti nji shoqëni tribalistike, provinciale dhe grupesh antagoniste. Sepse, në se malësori i Kelmendit nuk e ndjen gëzimin e dhimbjen e fshatarit të Konispolit, dhe viceversa, nuk do të kemi kurrë nji Shqipëri të vërtetë. Rezultati i këtij orientimi shihet sot me Shqipërinë në buzë të greminës!
Festimet e mëdha të njiqind vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, 2012, kanë qenë nji rast i veçantë për meditim të rrugës së marrun, nji moment historik me reflektue për të tashmen e të ardhmen e kombit, për angazhim në nji dialog të hapun, gjithëpërfshirës dhe tolerant, në nji krahasim idesh ndërtuese, ku qytetarët të trajtohen si elementë të mirë-informuem dhe të pjekun politikisht. Nji dialog i këtillë do të na udhëhiqte në kursin e zgjedhun për veprimet tona, në kontekst me zhvillimin tonë historik, i cili duhet studjue dhe duhet kuptue ashtu si ashtë në të vërtetë, dhe jo si prodhim dëshirash të parealizueshme.
Sepse vetëm e vërteta na sjell dritë!
Nji dialog i këtillë kombëtar ka përmasa ekzistenciale për problemet tona shqiptare, dhe ashtë nji imperativ kategorik i kohës, korrektësia e të cilit do të përcaktonte fatin e shqiptarëve në këtë shekull dhe përtej!
Për nji dialog të këtillë kombëtar që nuk përjashton asnji qytetar të lirë dhe qellim-mirë duhen përjashtue viktimat e indoktrinuem me ideologji anti-njerëzore dhe anti-kombëtare; ky dialog duhet të pasunohet me arsimin serioz në shkollat tona, arsim i konceptuem si kultivimi i ideve të lirisë brenda shoqënisë, arsim që me kuptim të gjanë human drejton jetët dhe punën e qytetarëve. “Në të gjitha proceset duhet të marrë pjesë shoqënia civile”, (Amb. John Satter).
Sot ashtë detyra e shoqënisë së re shqiptare me edukue “elementin e painformuem” ose të gënjyem, dhe ata që nuk kanë përjetue ferrin komunist, me fakte që flasin për krimet e pabesueshme në kurriz të popullsisë shqiptare, të pafajshme dhe pa mbrojtje për 45 vjet me radhë. Duhen shenjtënue vendet ku u kryen këto krime, torturat, ekzekutimet, varrezat, kishat e xhamitë e rrënueme qëllimisht, vendet ku u dogjën librat dhe autorët e librave, ashtu si shenjtënojmë varret e dëshmorëve të ramë për liri. Duhen kthye tek pronari pasunitë e grabituna me dhunë. Shqiptarët, dhe sidomos nxanësit e shkollave duhet të informohen në klasat e tyne mbi të gjitha këto krime, jo me mbjellë frymën e hakmarrjes, por me pengue fuqimisht përsëritjen e nji së kalueme të errët e kriminale.
Sot, shqiptarët, pa përjashtim, duhet të mendojnë, sidomos duhet të mendojnë, për tragjeditë e së kaluemes, kurdoherë që flasin për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Sot, të gjithë ne jemi përgjegjës për qetësimin e gjendjes së krijueme, dhe për ardhmëninë e brezave të rinj. Asnji nga ne nuk përjashtohet nga kjo përgjegjësi e randë politike dhe morale!
* Autori ashtë aktivist i të drejtave të njeriut.