Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: NJË MIHAL MË PAK

Image result for mihal kokedhima

Nga Velipoja në Ksamil, i gjithë bregu është i mbushur me “Mihalë”.
Kanë zaptuar tokën, detin, qiellin.
Madje, nuk i paguajnë as edhe një qindarkë shtetit. 
Të marrin para për parkim, për çadra, për ujin e detit, për ajrin e qiellit.
Ta shesin për peshk të egër edhe më bajatin e rezervatit.
Të rrjepin pa dallim, qofsh ti me një apo me shtatë lëkurë.
Shkurt, të bëjnë të mallkosh veten që u shkele pragun.
Dhe të gjitha këto i bëjnë sheshit. Natën dhe ditën. Në dimër e në verë. Fare hapur.
Nuk ua bën syri tërt.
Shijnë si në mall të babait.
Dhe këtë e dinë dhe e shohin ata që janë aty çdo ditë. Ata që shkojnë aty. Shteti i madh dhe shtetarucët e vegjël.
Të gjithë kanë sy, kanë vesh, kanë gojë. Po zgjedhin heshtjen.
Pse?
Ka shumë Sepse.
Sepse Mihalët janë të fortë. Sepse kanë miq. Sepse kanë para. Sepse kanë …
Atëherë pse e pësoi Mihali i Qeparoit?
Nuk ishte i fortë? Nuk kishte miq? Nuk kishte para?
I kishte të gjitha.
Po përse atëhere?
Sepse ishte Kokëdhimë? Sepse ishte Kokëderr? Sepse ishte Kokëpeshk?
Ndoshta për secilën nga këto më vete. Ndoshta për të gjitha bashkë.
Harroi se vërtet është Kokëdhimë, po është Mihal dhe jo Koço. Harroi se nuk është Lul Bashë që ta mundë shtetin – me dashjen e tij – në fushë asnjanëse, në Strasburg.
Harroi se vërtet si Kokëderr mund t’i dalë përpara makinës së turistëve, po jo makinës së blinduar e me eskortë të Edi Ramës.
Pra, shkurt, nuk i mendoi pasojat. U soll si një Kokëpeshk.
Harroi se koka e peshkut është më e mira për çorbën e hipokrizisë së organizuar shtetërore, për propagandën qeveritare, për mediat e kazanit me leje, për kureshtarët e pashërueshëm, për të gjithë ata që kënaqen se u shemb një gjë e ngritur pa leje, në një vend ku me leje është vetëm paligjshmëria.
I gjori Mihal Kokëdhima!
E pësoi kur e gënjeu mendja dhe besoi se është Kapedan Mihali.
Harroi se Kapedanët dhe Heronjtë në Shqipëri mbretërojnë me hyqëm nga Sulltani. Për aq kohë sa kanë Leje nga Lart.
Ndryshe të rrëzojnë nga kali.
Të heqin spaletat.
Të tërheqin zvarrë.
Mjerë ai.
Pa Shqipërisë nuk i mbarojnë Mihalët.
Një bie, dhjetëra ngrihen!

Please follow and like us: