Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Një nderim i pamerituar për Ambasadoren e Greqisë

Ruben Avxhiu

Nuk e di nëse jam i vetmi që u habita nga lajmi se Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka nderuar me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” Ambasadoren e Greqisë, Eleni Sourani.
E lexova motivacionin për nderimin dhe nuk gjeta asgjë që të më bëjë të mendoj se diplomatja greke meriton një nderim kaq të lartë. Më duket prej tij, se zonja Sourani është nderuar thjesht pse ka bërë detyrën e saj në shërbim të shtetit të Greqisë, që ashtu si Shqipëria ka interes për të zhvilluar marrëdhënie të frytshme dypalëshe.
Miqësia me Greqinë është e rëndësishme për Shqipërinë. Ne kemi ekonomi të ndërvarura, jemi bashkaleatë në NATO, ne synojmë të anëtarësohemi në BE dhe Greqia, megjithë ndonjë kërcënim për veto, ka qenë në përgjithësi përkrahëse e fortë e përparimit të Shqipërisë, ne kemi qindra mijëra emigrantë që jetojnë aty e ata kanë mijëra biznesmenë që kanë investuar në vendin tonë, shkëmbejmë turistë e bashkëpunojmë në shumë fusha profesioniste e specialitetesh.
Këto vite megjithatë janë shënuar nga një mungesë e qartë përparimesh në marrëdhëniet me Greqinë. Jo vetëm që asgjë nuk është bërë për hapjen e çështjes çame, po ne kemi ende plot çamë që nuk udhëtojnë dot në Greqi për shkak të emrave të vendlindjes në pasaportat e tyre shqiptare. Na kanë çliruar nga nevoja për viza në mbarë Europën mirëpo na grisen pasaportat në kufi nga vendi i vetëm fqinj tokësor që është anëtar në BE. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë ambasadoren e nderuar të flasë për këtë temë, po ndoshta ka ndihmuar dhe nuk e dimë. Asgjë nuk është bërë ende për zgjidhjen e çështjes së kufirit detar. Greqia e ka shtyrë se nuk kishte interes të negocionte kur ishte në krizë. Ne e kemi shtyrë se nuk dihet pse. Ligji i luftës mbetet në fuqi në Athinë. Një problem pronash në Shqipëri afër bregut të detit është parë si një sulm e provokim ndaj pakicës greke. Disa thonë është një konflikt për mbarë pronarët përfshi edhe ata shqiptarë lidhur me largësinë nga deti dhe të drejtat e pronës publike. Pas disa shkëmbimesh me Athinën, ishte Tirana që duket se u tërhoq deri diku.
Greqia vijon të mbetet e vetmja anëtare e BE-së që nuk njeh komunitetet etnike, në territorin e saj. Si arvanitasit, ashtu edhe çamët ortodoksë nuk kanë të drejtë të hapin shkolla në gjuhën e tyre. As nuk ekzistojnë fizikisht nga pikëpamja e ligjit grek. Po ashtu asnjë komunitet etnik turk, bullgar apo maqedonas nuk ezkiston në Greqi. Je ose mysliman (që nënkupton turk) ose ortodoks (që nënkupton grek).
Greqia, nëpërmjet ambasadorëve të saj, ushtron presion ndaj BE-së që të kërkojë më shumë të drejta e privilegje për pakicën greke në Shqipëri, ndërkohë që pakicat etnike në Greqi jo vetëm që nuk kanë asnjë të drejtë, po as u lejohet ekzistenca.
Në një periudhë kur marrëdhëniet e Greqisë, me një numër vendesh fqinje, sidomos me Maqedoninë njohën një përparim të madh, ato me Shqipërinë pësuan një nga incidentet më të rënda të paktën në një dekadë, kur një terrorist që promovonte pushtimin e jugut të Shqipërisë nga Greqia, kaloi i armatosur kufirin dhe qëlloi me armë gjatë një ceremonie rivarrimi të ushtarëve të grekë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e RENEAs, ai mbeti i vrarë.
Nëse duhej vrarë apo thjesht kapur, kjo është temë debate normal, po nga një anë është vështirë të kapësh të gjallë një person të radikalizuar, të armatosur rëndë e të gatshëm për të qëlluar me armë mes publikut pa ndonjë arsye. Lehtë t’u kërkosh forcave speciale që të vënë jetën në rrezik duke provuar të mbyllin me bisedime një konflikt me një të marrë. Po gjithësesi një hetim ka qenë normal.
Shumë më tepër duhej të ishte hetuar radikalizimi i tij. Lejimi – në mos inkurajimi – nga Greqia i organizimit dhe financimit të grupeve ekstremiste që ende luftë me shqiptarët e fqinjët. Këta në fund të fundit janë të dëmshëm edhe për Greqinë. Kjo e fundit nuk do të sulmojë një vend anëtar të NATO-s. Shqipëria nuk ka frikë për territorin e saj. Po rreziku publik ekziston. Njerëz të tillë mund të marrin jetë të pafajshmish si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi.
Gjatë kohës së shërbimit të zonjës Sourani në Tiranë, një numër shqiptarësh u vranë njëri-pas-tjetrit, në Greqi, duke ngritur dyshimin se bëhej fjalë për eliminime të organizuara. Po mbase ka qenë rastësi.
Ajo që nuk ishte rastësi, ishte vajtja e Ambasadores, që tani është Kalorëse e Urdhërit të Skënderbeut, për të ngushëlluar prindërit e terroristit të vrarë. Mbase ia kërkonte detyra e saj si diplomate e Greqisë. Mbase ia kërkuan nga Athina. Po të kishte qenë e kundërta që një shqiptar me armë që kërkon bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë, të ishte përleshur e vrarë me forcat greke, ambasadori shqiptar në Athinë nuk do t’i shkonte familjes për ngushëllim se përndryshe do t’i kërkohej largimi nga detyra prej Athinës zyrtare. Çdo ambasador e di këtë protokoll, në çdo vend të botës. Ky nuk ishte një grek që u vra në një aktivitet paqësor duke kërkuar të drejtat e njeriut. U vra pasi erdhi i armatosur në një ceremoni civile, pasi prej vitesh kërkonte ndryshime kufijsh, praktikisht një luftë të re që do të sillte vdekje të reja, vuajtje civilësh etj. Shqipëria nuk kërkoi largimin e saj nga detyra. Ishte një rast kur Presidenti Meta mund ta kishte kritikuar qeverinë Rama si nuk ka ngurruar ta bëjë për shumë arsye të tjera dhe shpesh me të drejtë.
Po edhe nëse e lëmë mënjanë rastin e terroristit Kacifas, problemi mbetet se nuk ka asgjë në veprimtarinë e kësaj ambasadoreje që ta ketë shkëputur atë nga çfarë pritet të bëjë apo çfarë ka bërë çdo diplomat grek në Tiranë. Ky nderim nga Presidenti Meta është më së paku i pashpjeguar mirë dhe më së shumti një akt abuzimi me titujt presidencialë, të cilët nuk janë pronë personale e politikanit të radhës në zyrën e lartë të shtetit.
Ky nderim vjen në fund të një vere të nxehtë, ku Presidenti Meta ka gjetur shumë të meta me punën e ambasadave të SHBA-së, BE-së e aleatëve perëndimorë. Mesa duket Ambasadorja greke Eleni Sourani ka qenë një përjashtim që nuk e kemi vënë re./ylliria press/

Please follow and like us: