Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata rrëzon vendimin e KED, pedagogia rikthehet në garë për GJK

Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë, Zhaklina Peto është rikthyer në garë për Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të skualifikuar nga gara Peton.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi ndalimin e kandidimit të Zhaklina Petos për të dyja vakancat në Gjykatën Kushtetuese më 2 gusht 2019. Sipas vendimit kandidatura e saj u rrëzua pasi Peto nuk kishte kaluar me sukses procedurën e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së saj dhe të familjarëve.

Ajo e ankimoi këtë vendim më 9 gusht dhe trupa gjyqësore e Gjykatës Administrative të Apelit ja pranoi padinë më 22 gusht. Vendimi i marrë nga kjo gjykatë ka shfuqizuar dy vendime të KED të cilat i ndalonin Petos kandidimin për një mandat të plotë dhe një vakancë të parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, të dyja këto të shpallura nga Presidenti në shkurt të 2018.

Megjithatë, kërkesa e Petos për të siguruar kandidimin përmes vendimit të gjykatës është pushuar dhe çështja e saj i është rikthyer sërish tryezës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Një rikthim i mundshëm i Zhaklina Petos në garë do të shpejtonte ngritjen e Gjykatës Kushtetuese por një vendim i ndryshëm i KED për kriterin e pasurisë do të ngrinte dyshime mbi standardin e procesit në tërësi.

Please follow and like us: