Nikollaq Neranxi: 30 taksat e Bashkisë së Tiranës që po shkatërrojnë çdo ditë, qytetarët dhe bizneset e saj!
Nga Nikollaq Neranxi
“Biznesi në Tiranë operon në një mjedis të vështirë, pasi bashkia e kryeqytetit renditet në katër qytetet në rajon që aplikon ngarkesë të lartë fiskale për biznesin”. Këtë nuk e kam thënë unë, por Banka Botërore, në një studim të saj për Urbanizimin në Ballkanin Perëndimor, ku vëren se numri i taksave në Tiranë është ekstremisht i lartë. Kësaj here, edhe pse në qendër të kritikave ishte Bashkia e Tiranës, ky lajm u shpërnda dhe nuk u çensurua si zakonisht, pasi e ka thënë Banka Botërore!
Dhe menjëherë mu kujtuan sikur kishin ndodhur dje, të gjitha protestat që Shoqata jonë e Tregtarëve së bashku me shoqërinë civile, bëmë pikërisht kur u miratuan këto taksa absurde rreth 4 vite më parë, të cilat do të çonin në faliment (ashtu siç edhe ndodhi), biznesin e palidhur me pushtetin dhe do varfëronin qytetarët.
Në studimin e saj, Banka Botërore, nëse do të kërkonte më shumë elementë, do gjente që Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë me Kryetar Nikollaq Neranxin, asokohe atë paketë taksash e çoi në Gjykatë Kushtetuese (e pa mbështetur nga asnjë shoqatë tjetër) në mënyrë që ajo të rrëzohej dhe të shpëtonin tregtarët dhe qytetarët, por Gjykata Kushtetuese e rrëzuar tashmë nga vetingu, e rrëzoi padinë e shoqatës sonë.
Sot Bashkia e Tiranës krenohet se mbledh vetëm nga taksat e biznesit dhe qytetarëve, rreth 100 milionë euro çdo vit. Dhe nuk keni parë asgjë akoma, pasi vetëm taksa e pronës për familjarët, do katërfishohet brenda një viti. Por përsëri Bashkisë së Erion Velisë, nuk i dalin lekët, prandaj ajo jep pafund punë me PPP, për t’u bërë nga privatët, ku shumat e lëvruara dhe interesat, janë jashtëzakonisht shumë të larta, me qëllim që klientët e pushtetit të përzgjedhur pa transparencë, të fitojnë sa më shumë.
Edhe pse kaq shumë para, përsëri ato nuk dalin që t’i japin qytetarëve minimalisht ujë i cili mungon në këto ditë përvëluese vere, si pasojë e mungesës së investimeve.
Vendosja e 30 taksave për biznesin dhe shtimi i tarifave e taksave edhe për qytetarët e thjeshtë, ka qenë një goditje e rëndë për ne që punojmë dhe jetojmë në Tiranë. Por ama, të paktën nesër kur të bëhen analiza se përse u mbërrit në këtë pikë, askush nuk do ketë gojë të thotë, që planin e Erionit nuk e kundërshtoi njeri, e vërteta është se askush nuk na dëgjoi!
- Nikollaq Neranxi, President i Kompania Neranxi