Sot përkujtohet 21-vjetori i vrasjes së Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari
Sot përkujtohet 21 vjetori i vrasjes së Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.
Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia e parë opozitare, dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj partie. Azem Hajdari ishte deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 1991 e deri sa u vra në shtator të vitit 1998 pabesisht para selisë së Partisë Demokratike nga drejtues të Komisariatit të Policisë të Tropojës. Por edhe pse kanë kaluar mjaft vite, vrasja e tij mbetet e ende e mistershme me shumë detaje të pazbardhura.
Jeta e tij parlamentare ka qenë aktive. Për katër vite me radhë pas rënies së komunizmit Hajdari ishte kryetar i komisionit parlamentar për rendin dhe SHIK-un.
Mbas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste të Shqipërisë në vitin 1997, Azem Hajdarit iu bënë disa atentate përpara se të vritej në shtatorin e vitit 1998.
Lajmi për vrasjen e Azem Hajdarit, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.
Ndërkohë ditën e sotme në përkujtim të figurës së tij, pritet të zhvillohet një ceremoni homazhesh, ku pjesëmarrës do të jenë presidenti Ilir Meta, kryedemokrati Lulzim Basha me grupin e PD dhe familja e Azem Hajdarit, përfshirë vajzën e tij deputeten Rudina Hajdari.
Azem Hajdari u vra më 12 shtator 1998 së bashku me shoqëruesin e tij Besim Çerja.