Ledi Shamku: NDRYSHKU DHE SHQIPJA
NDRYSHKU DHE SHQIPJA
(Odisea e një të huaji që don të studiojë shqip në Shqipëri)
Sa herë arsimin universitar e zë shiatiku, krijohet një si vegulli kolektive se fajin e kanë kryekëput universitetet. Nuk kam hall me tregu ndokënd me gisht, dua thjesht ta kuptojmë se ende bartim gjithëkund gjurmët e Shqipërisë që hante bar por jetonte granitisht në brigjet e Adriatikut.
Lexoni këtu me vëmendje: Nëse një student i huaj don të mësojë shqip madje jo thjesht ta nxerë po edhe ta studiojë, ai ka një Departament shumë të mirë në Tiranë, te Filologjiku, (kurset e shqipes për të huaj), ku lektorojnë me pasion Aljula, Rozana e plot kolege të miat. Madje jo veç japin mësim, po kanë hartuar enkas edhe një seri tekstesh të njëpasnjëshme “Shqipja për të huajt”, tekste rritjeje graduale kompetence, vërtet të mira. E ku ka më mirë se ta studiosh Shqipen në kontekstet e veta reale të përdorimit, si çdo gjuhë xhanëm!
Tani vijmë te ndryshku: SI VJEN SOT NË UNIVERSITETIN E TIRANËS NJË STUDENT I HUAJ QË DON TË MËSOJË SHQIP?
Nuk do ta besoni, siç m’u desh edhe mua ca kohë për ta besuar.
Nëse një i ri don të studiojë shqip, duhet të paraqesë kërkesë në ambasadën tonë atje (?!), ambasada t’ia përcjellë Ministrisë sonë të Jashtme (?!), Ministria e Jashtme t’ia përcjellë Ministrisë së Arsimit, e cila t’i japë miratimin universitetit ta pranojë. Ah prit, se sikur mos mjaftonte gjithë ky kalvar, në fund po shtoj edhe një fakt: NUMRI ËSHTË I MBYLLUR. Pra nuk mund të vijnë e të studiojnë shqip gjithë ata që duan, se kemi numrin që bën numra.
Nga ky kalvar shpëtojnë vetëm të ardhurit nga Rusia ose nga Kina, se besoj e kuptoni që ato dy vende s’kishin pengesa në kohë të Enverit. Dhe pjesa tjetër e botës vijon të hetohet… Se prapë besoj e kuptoni që kalimi i dikurshëm nga Ambasada te Ministria bëhej për të verifikuar “përshtatshmërinë” ideologjike të studentit. Se mos kot dilte ndonjë diversant me lakra revizioniste në kokë. Aty kemi mbetur!!! E s’na mbetet tjetër veçse të çojmë edhe tani si dikur berberin t’i presë në kufi ata që kalojnë sitat dhe me një palë gërshërë në dorë, të hapë sytë se mos na vjen ndonjë student qafëlesh!!!
Ndërkohë ju them që këtë iter të marrë Kosova nuk e ka. Se Kosova kishte Sllobodan, po s’kishte Enver. Sllobodani iku, Enveri qenka si fara e hithrës që nuk shkulet.
Në vend që t’i hapim dyert katërkanatëshe për çdo student që i feks në mend dëshira me e studiu gjuhën tonë, e pickojmë ende me darët e ndryshkura të një kohe që s’po di me dhënë shpirt!
HAPJANI DYERT SHQIPES!