Albspirit

Media/News/Publishing

Publikohen dokumentet nga PD, Mark Babani i dënuar në Itali për vjedhje

Të njëjtat hapa si me Valdrin Pjetrin dhe me Agim Kajmaku, ka ndjekur Partia Demokratike edhe për kryetarin e bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani. Pas pyetjeve dhe kërkesës zyrtare drejtuar prokurorisë, për të verifikuar Mark Babanin, sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka publikuar dokumentet që sipas tij tregojnë se Mark Babani është person me precedent kriminal.

“Ky që shikoni është një dokument i nxjerrë nga sistemi shtetëror i burgjeve në Itali. Sipas këtij dokumenti zyrtar, rezulton se: Mark Babani, me emrin e rremë Marq Babaj, është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Siçilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”. Ai është arrestuar nga Policia Italiane duke vjedhur makina. Kandidati i Edi Ramës për Vaun e Dejës ka qenë pjesë e një grupi kriminal që vepronte në zonën e Siçilisë dhe që kishte kryer disa vjedhje. Mark Babani alias Marq Babaj ka qëndruar në burg deri më datën 6 Maj 1994 dhe më pas është dënuar dhe dëbuar nga shteti Italian”, tha Bardhi.

Sipas tij kjo është vetëm një pjesë e dosjes kriminale të Babanit. Këto të dhëna, tha numri dy i PD-së, provojnë se Mark Babani është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit.

“Sipas ligjit për dekriminalizimin nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat ndaj të cilëve është marrë një masë arresti me burg, vendim dënimi apo dëbimi në një nga vendet e Bashkimit Europian, në rastin konkret në Itali. Gjithashtu, Mark Babani duhet të ndiqet penalisht për fallsifikimin e Formularit të Dekriminalizimit”.

Please follow and like us: