Frank Shkreli: Demokracia nuk pret – roli i shoqërisë civile në demokraci
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë
Ashtu si çdo vit edhe sivjet me 15 shtator, bota shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, e përcaktuar si e tillë në 2007 me një rezolutë nga Asamblea e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) me qëllim që të promovohen dhe të zbatohen parimet e demokracisë. Njëherazi u kërkohet vendeve anëtare të OKB-së, që të kujtojnë këtë ditë në mënyrë të përshtatshme, nepërmjet veprimtarive të ndryshme për promovimin e vlerave dhe parimeve bazë të demokracisë, anë e mbanë botës
“Pyetja sot është e njëjtë, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë historisë: nëse njerëzit do të lejohen të qeverisin veten, apo do të qeverisen nga një elitë e vogël”, është shprehur para më shumë se 200-vjetësh, Tomas Xhefersoni, njëri prej themeluesve të Shteteve të Bashkuara.
Në mesazhin e tij në Ditën e Ndërkombëtare të Demokracisë, për vitin 2019, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres’, u shpreh se, “Demokracia ka të bëjë me njerëzit. Ajo ndërtohet duke përfshir të gjithë njerëzit të marrin pjesë lirisht në procesin politik, pa dallim, duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë… Demokracia”, tha udhëheqësi botëror, “është një gur themel për paqën në botë dhe për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik, për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut”. Ai vazhdoi mesazhin e tij për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duke thënë se, “këto vlera dhe frymëzime duhet të mbrohen jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Këto vlera duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e përditëshme të njerëzve”, ka thënë ai. Z. Guterres theksoi se sivjet kjo ditë po shënohet në një kohë kur “besimi është i ulët dhe shqëtësimet janë shumë të mëdha. Njerëzit, anë e mbanë botës, janë të shqetësuar nga pabarazitë në rritje e sipër dhe nga ndryshimet e mëdha që po sjell globalizimi dhe teknologjia”. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, shtoi se njerëzit anë e mbanë botës, janë dëshmitarë të konflikteve të pazgjidhura dhe ngushtimin e hapësirës së veprimit për organizatat e shoqërisë civile” kudo, një shqetësim ky, siç do të shohim pak më poshtë, edhe i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Mike Pompeo, shprehur në mesazhin e tij mbi Ditën Ndërkombëtare të Demorkacisë. Ndërsa, Z. Guterres e përfundoi mesazhin e tij për vitin 2019 kushtuar Ditës Nëdrkombëtare të Demorkacisë, me një thirrje drejtuar të gjitha qeverive që, “Të respektojnë të drejtën e njerëzve për të marrë pjesë aktive, domethënse dhe substantive”, në zhvillimet demokratike, ndërsa përshëndeti të gjithë ata, të cilët punojnë pa u lodhur në këtë fushë, për realizimin e një demokracie të vërtetë.
Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Mike Pompeo, në mesazhin e tij të këtij viti, të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, shfaqi gjithashtu shqetësimin e tij në lidhje me ngushtimin e hapësirës së veprimit të organizatave vërtetë të pavarura të shoqërisë civile. “Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, ne pasqyrojmë angazhimin tonë të patundur ndaj të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, të cilat përbëjnë bazën e demokracisë tonë. Në Shtetet e Bashkuara”, shtoi kryediplomati amerikan, “këto të drejta përcaktohen nga respekti për lirinë individuale dhe për dinjitetin njerëzor të çdo përsoni, pa dallim”. Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë ai theksoi rolin e shoqërisë civile, tema krysore e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë këtë vit, duke thënë se, “Një shoqëri civile aktive, e pavarur dhe gjithë përfshirse është gur-themeli për të siguruar zbatimin dhe respektimin e këtyre lirive”. Prandaj, shtoi Z. Pompeo,”Hapësira e veprimit të lirë për shoqëritë civile, në mbrojtje të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, është tepër kritike për kontributin që organizata të tilla për të siguruar veprimtarinë e institucioneve të forta demokratike, mbështetjen e tyre ndaj të drejtave bazë të njeriut dhe lirive themelore, për luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e transparencës në jetën publike”. Ndërkohë që disa qeveri kanë ndërmarrë bërjen e reformave për të lejuar veprimtarinë e lirë të shoqërive civile, “Ne mbetemi shumë të shqetësuar ndaj prirjeve botërore, në rritje e sipër, të cilat po ngushtojnë dukshëm hapësirat për veprimtarinë e grupeve të shoqërisë civile”.
Në lidhje me përfitimet që sjellë demokracia — përfshir edhe lirinë e veprimtarisë së pavarur të shoqërisë civile — kryediplomati amerikan e përfundoi mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, duke thënë se, popullit amerikan dhe shumë prej aleatëve tanë, demokracia i ka sjellur shumë të mira. “Ne përparojmë dhe jemi të suksesshëm sepse përdorim liritë tona themelore për të krijuar mundësi për përparime në fushën ekonomike, kulturore, arsimore dhe shoqërore. Kombet janë më të sigurta, më në paqë dhe më të begatëshme kur shoqëria civile angazhohet lirisht dhe kur merr pjesë në proceset demokratike, pa frikë dhe pa kërcënime. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë udhëheqse në mbrojtje të hapësirës së veprimtarisë së shoqërive civile, me qëllim për të forcuar themelet e demokracisë kudo”, u angazhua Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo në mesazhin e tij që Departamenti Amerikan i Shtetit përhapi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.
Ndonëse nuk permendin ndonjë vend me emër, nuk jam i sigurt nëse në mesazhet e tyre zotërinjtë Antonio Guterres dhe Mike Pompeo — kishin ndërmend veprimtarinë dhe rolin e kufizuar të shoqërisë civile — që normalisht duhej të ishin jo-qeveritare — edhe në botën shqiptare. Por, dihet se qeveritë shqiptare nuk janë dhe nuk kanë qenë shumë miqësore ndaj organizatave të tilla, të pakën ndaj atyre që janë vërtetë të pavarura prej autoriteteve qeveritare, megjithëse të tilla mund të jenë të paka, ose jo ekzistuese. Analistë dhe vërejtës të pavarur kanë qenë kritikë ndaj shoqërisë civile në botën shqiptare, në përgjithësi, duke i akuzuar ato si të varura nga qeveria dhe nga interesa të tjera vendore, të lidhura me qeverinë.
Liria e veprimit të pavarur e një shoqërie civile energjike me një veprimtari të shëndoshë dhe dinamike, është një prej vlerave dhe gurthemeleve më të rëndësishme të zhvillimeve të demokracisë në një shoqëri post-komuniste, siç është hapësira shqiptare në Ballkanin Perëndimor. “Shpëtimi i vetëm për botën sot është përhapja e shpejtë e vlerave bazë perëndimore të Perendimit, e që janë idetë demokratike, të drejtat e njeriut, shoqëria civile dhe tregu i lirë”, ka thënë i ndjeri Vaclav Havel, një burrë shteti i kombit çek, shkrimtar dhe disident anti-komunist. Ndërsa ish-Presidenti amerikan, Barack Obama ka vlerësuar lartë gjithashtu rolin e shoqërisë civile, si një prej vlerave kryesore për zhvillimin e demokracisë, për një të ardhme më të mirë. “Vlerat që ne ndajmë, siç janë liria e fjalës, liria e praktimit të fesë, liria e veprimtarisë së pavraur e shoqërisë civile, zgjedhje të lira dhe të drejta, si dhe inovacionet që janë krijuar nga ekonomia e bazuar në tregun e lirë – të gjitha këto, më në fund, do të jenë rruga që na çon drejtë një të ardhme më të mirë…”, është shprehur ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në lidhje me rolin e vlerave të demokracisë në përgjithësi në shoqëri dhe rolin e pavarur të shoqërisë civile në promovimin e demokracisë, në veçanti.
Demokracia nuk pret! Nuk ka demokraci pa përgjegjësi nga autoritetet qeveritare, por edhe nga organizata të shoqërisë civile që e quajnë veten vërtetë të pavarura nga autoritetet. Liria, demokracia, respekti dhe zbatimi i të të drejtave bazë të njeriut –përfshir edhe rolin që duhet të luaj shoqëria civile — janë të lidhura ngusht edhe me angazhimet që kanë marrë përsipër shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale, përfshir Bashkimin Evropian dhe vendet që synojnë të bëhen anëtare të këtij enti ndërkombëtar evropian, si Shqipëria dhe Kosova. Kjo është arsyeja që Kombet e Bashkuara dhe vende të ndryshem anë e mbanë botës, kujtojnë çdo vit Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, përfshir rolin dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile në forcimin e zhvillimeve demokratike, që këtë vit është tema e përzgjedhur për të kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2019.
Organizata për zhvillimin e shoqërisë civile në vendet e Ballkanit, “Balkan Civil Society Development Network” ka njoftuar vitin që kaloi se qeveritë anë e mbanë botës janë përgjigjur pozitivisht ndaj angazhimit politik, në rritje e sipër, të qytetarëve dhe enteve të shoqërisë civile. Por, fatkeqësisht, shënon kjo organizatë, këto prirje pozitive kanë anashkaluar vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën. Nuk ka demokraci pa përgjegjësi! Demokracia nuk pret!/ylliria press/