Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Si Zaev po hakmerret kundër Ramës?

 

Image result for rama and zaev

 

Që Rama është pengmarrës i procesit integrues të shtetit të Zaev, kjo u kuptua dhe dihet shumë mirë si nga ish-kryeministri maqedonas ashtu edhe nga vetë “Ali Komiku” i brekusheve e po kaq mirë e dinë gjithë ata që merren me diplomacinë në nivel profesionistësh. Që të mos tingëllonte keq në hapësirën shqiptare në Ballkan, BE stopoi edhe faktorin tjetër shtetformues në shtetin e vogël fqinj me ne. Tashmë, Zaev është i pafuqishëm ndaj zërit të përgjegjësisë politike dhe individuale përballë shtetasve të vet. Mirëpo ai me lëvizjen e tij normale të marrjes së përgjegjësisë dhe çuarjes së vendit të tij në zgjedhje të parakohshme, po i kthen reston Edi Ramës, i cili këto ditë ka qarkulluar opinionin vrastar se Zaev ra viktimë e premtimeve të tij.

Që Rama është autor i këtij opinion e vërteton dalja e të shumëlexuarit në krye të Minisrisë së Jashtme që lëshoi broçkullën e radhës se ‘as Rama, as ai dhe as ndonjë funksionar politik i PS-së nuk paskëshin premtuar hapje të negociatave’. Paçka se “Ali Komiku” kishte dekoruar pa pikë turpi një vit më parë personazhe pa lidhje me integrimin pikërisht sepse Shqipërisë i ishin hapur negociatat. Edi Rama dhe Taulant Balla janë së paku dy personazhe me funksione politike dhe publike që kanë premtuar në çdo takim elektoral dhe jo elekoral e deri parlamentar hapjen e negociatave. Madje shumë më tepër se aq, integrimin e plotë të vendit në BE.

Po le të shohim se përse Zaev ka helmuar Ramën në një lëvizje të shpejtë politike. Ish-kryeministri maqedonas dhe me gjasë edhe humbësi i zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut, po hakmerret mjaft mirë ndaj Ramës, i cili mbetet vetëm në jargavitjen e pakuptimtë shfajësuese për mos pasjen e përgjegjësisë për dështimin e hapjes së negociatave. Zaev i hoqi Ramës alibinë se as ai dhe as Zaev nuk ishin dhe nuk janë përgjegjës për sfilitjen dhe katandinë e sjelljes së BE karshi shteteve respektive. Qartazi pas dorëheqjes së Zaev, Rama është më i dobët në argument duke nxjerrë herë Donald Tusk e herë Johanes Han që të fshihet pas tyre.

Në këtë skenë shumë të brishtë e të gënjeshtërt ku ecën Rama nuk ka rrugë tjetër, përveç asaj që Zaev i tregoi se duhet të bëjë. Nëse Zaev do mbajë zgjedhje të parakohshsme në prill, Rama do detyrohet t’i mbjë ato jo më shumë se në mars pasi pa zgjedhje opozita shqiptare nuk do japë kurrë konsensusin për reformën zgjedhore dhe Rama do jetë para samitit të Zagrebit në maj 2020 sërish në një pikë të vdekur. Sa më shpejt Rama të kuptojë se nuk ka ku të shkojë, aq më mirë do jetë për vendin. Sa më vonë ta kuptojë, aq më mirë për opozitën, por shumë më keq për vendin dhe për njerëzit që po ikin nga Shqipëria e Ramës si nga kolera.

Ndaj pëngmarrja e Ramës ndaj Zaevit do i kthehet shpejt, në mos i është kthyer mbrapsht pasi tani është Zaev që po mban peng Ramën e ky i fundit po përpëlitet pa derrman. Si një enë komunikuese, fati i njerit shtet është bërë edhe fati i tjetrit dhe BE i bëri nder Ramës duke mos e lënë vetëm, do ia heqë këtë favor, sepse as Maqedonia e Veriut nuk mund të lihet vetëm në rrugën e zgjedhjeve të parakohshme; të dyja shtetet meritojnë sjellje të njëjtë, standard të njëjtë, integrim të njëkohshëm dhe Edi Rama tashmë ka rënë viktimë e “viktimës” Zaev. Ai thjesht do të hapë krahun njësoj si homologu i tij socialist i vendit të vogël, të përçarë keqazi nga zhgënjimi, që kanë për komshi një kryeministër të gjatë, pa të ardhme dhe pa fantazi… Me pak fjalë…një të mbaruar si Edi Rama.

Please follow and like us: