Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Shpërthimi i dritës, skulptori Helidon Xhixha

Image may contain: Artur Spanjolli, smiling, closeup

Artur Spanjolli

 

Që prej shumë vitesh tashmë, në skenën e artit kontemporan, një shqiptar nga Durrësi, i lindur në 1971 po mbizotëron skenën e skulpturës me veprat e tij të admirueshme. Helidon Xhixha. I shtyrë nga një impuls i fortë krijues, pasi ka absorbuar esencën e artit klasik dhe çdo gjë më të mirë që shekulli i 20 ka prodhuar që nga, nga Brakushi, Bocioni, Koening, Botero, Mitoraj, Serra, Kapoor, deri tek Pomodoro, Xhixha ka reflektuar gjatë për të gjetur rrugën e tij origjinale me format e tij të dritës. Ideja origjinale, si një rrufe e tmerrshme i ka lindur, – fjalët e artistit,- pasi ka vizituar shpellën e kristaleve në Meksikë. Këtu ka pasur ndriçimin gjenial të lëvizë në një terren tërësisht të tijin. Duke pasur si paraardhës format e shndërritshme të Pomodoros, Xhixha ka ditur dhe di ende të lëvizë në një terren të mrekullueshëm formash drite, të abstraguara, të thjeshtëzuara, të konceptuara me një elegancë dhe me një forcë energjike të admirueshme, gati sublime.

Nuk është e thjeshtë të realizosh vepra të nivelit ndërkombëtar të Xhixhës. Duke përdorur materialin e çelikut të shkëlqyer në ekstrem, veprat e Xhixhës, jo vetëm shprehin konceptet e tij mbi jetën, mbi universin, mbi simbologjitë e ekzistencës, por ato kanë dhe privilegjin të kenë raporte, interagiscono, pra japin dhe marrin me mjedisin përreth. Kjo është një gjetje e re e skulptorit me origjinë shqiptare. Kudo ai i vendos punët, si në hapësira të gjelbëra, si në galeritë e artit klasik, si në peizazhet e çementosura të qyteteve të reja moderne, ato gjithmonë reflektojnë nëpër format brilante, sintetike, të shndërritshme edhe vetë mjedisin përreth. Reflektojnë gjithashtu edhe spektatorët e skulpturave të tij, shikuesit e thjeshtë që sillen përqark. Është kjo pra një gjetje gjeniale e artistit që implikon dhe krijon marrëdhënie dhe me publikun.

Herë si kollona dritash, herë si reflektime rrezesh, herë si piramida kozmike që zhvillohen në lartësi, herë si sfera konceptuale, hëre si rregull i shpërndarë, herë si reflekse mijëvjeçarësh, herë si kulla o rrathë gjeometrike që kujtojnë sekuencen e Fibonaçit, etj, punët e tij kanë privilegjin e merituar të gjenden nëpër sheshet më prestigjioze të Europës. I gjejmë në Itali, Gjermani, Francë, Angli, Zvicër, Austri, Amerikë dhe në Arabi. Ajo që më intrigon dhe më habit tek punët e mjeshtrit Xhixha, nuk është vetëm forma e larmishme, e thënë me thjeshtësi dhe sintezë, as dhe vetëm efekti verbues që nën dritën e diellit do të na japi një mesazh force, pozitiviteti dhe gëzimi të hareshëm. Jo. Mbi të gjitha më habit fakti se ai do të shprehë koncepte që shkenca, matematica, fizika, gjeometria, kosmogonia, filozofia, që prej mijëvjeçarësh do t’i hulumtojë.

Këto koncepte universale, këto sinteza enigmatike që e shtyjnë njeriun të pyesi shpesh vetveten ‘nga vijmë, kush është forca bazilare që lëviz universin, produkt i kujt jemi: I rastësisë o i ndonjë hyjnije’? unë i gjej tek Xhixha. Artisti flet me gjuhën më të guximshmë të njerëzimit. Ai flet me gjuhën e dritës. Gjuha e dritës, verbimi rezatues i dritës tek skulpturat e Xhixhës, është verbimi i vetë diellit, Helios, është rrezatimi pozitiv, i ngrohtë, madhështor e i pashtershëm i energjisë diellore.

Më kujtohet në Giardino di Boboli, ku Xhixha kishte ekspozuar mes shumë veprave dhe disa dallgë drite në çelik të shndërritshëm, ku prezantonte lëvizjen e kozmosit, mu desh të mbyllja sytë nga vezullimi marramendës që dielli bënte aty. Dukeshin si mijëra flutura lumturie. Energjia e pashtershme, pozitive, vëllazërore, e pamposhtshme, e pamohueshme e artistit Xhixha, është një energji që të rrëmben me bukurinë e saj, të bën skllav, të ngrë moralin. Kush nuk donte të mos ishte gjithmonë brilant në jetë si skulpturat e Helidon Xhixhës?

Kush sipërmarrës, titullar, biznesmen nuk do të donte të mos kishte një skulpturë të Xhixhës në kopshtin e fabrikës së tij, në zyrën e tij dhe të kundronte shkëlqimin pozitiv të formave të Xhixhës? Deri tani kam folur për vezullimin optimist, por më e rëndësishme se shkëlqimi verbues tek Xhixha është dhe forma e tij. Koncepti i tij si e sheh, si e manipulon formën skulptorike, duke mos përsëritur vetveten, duke iu përshtatur tematikës, duke e trajtuar atë me harmoni dhe dinamizëm, duke e thyer atë aty ku duhet dhe duke e zgjatur, ngrënë, shtuar, holluar apo trashur, thjeshtuar duke pasur gjithmonë para sysh harmoninë e përgjithshme. Çdo gjë në jetë është ekuilibër dhe harmoni. Edhe format, dhe dritë hijet, dhe kontrastet, kanë një shpërndarje harmonike mes tyre, ashtu siç bën dhe natyra, mësuesi më i mirë i artistëve.

Në këtë shpërndarje harmonioze formash ku po e hollove shumë thyhet dhe po e trashe shumë humb elegancën, edhe Xhixha di të lozi me formën, në mënyrë lakonike, të zhdërvjelltë dhe komplekse. Me spiralet e tij, me kollonat, me rrathët, me sferat e ngrëna, me piramidat e dyfishta, me komplekset e formave që në pamje të parë duken si të pamenduara, skulptori jep idenë, provokon, thotë, shprehet pra me një gjuhë universale. Gjuhën e thellësisë së artit. Artisti është i ndjeshëm dhe kundrejt temave të shekullit tonë. Në Bienalen e Venecjas, ai është prezantuar dy herë me tematikën e ndryshimit të klimës dhe me atë të ndotjes në planet. Gjë që tregon më së miri impenjimin e tij social. Kjo është vetëm një panoramë e shkurtër mbi krijimtarinë përrallore të një artisti plot energji, plot vullnet, plot grinta dhe karizëm, krijues që jam i sigurtë ka shumë akoma për të thëne dhe nga ana e krijimtarisë akoma nuk e ka zbuluar të tërin shpirtin e tij të madh krijues.

https://www.helidonxhixha.com/

Image result for helidon xhixha

Image may contain: 1 person

 

Please follow and like us: