Vdiq në Manhattan, autori i shquar me origjinë arbëreshe, Nick Tosches
Nga Ruben Avxhiu
Nick Tosches, autor i shquar biografish, gazetar, romancier dhe poet, me origjinë arbëreshe vdiq në 20 tetor, në Manhattan, tre ditë përpara se të mbushte 70-vjeç.
I lindur në Newark, New Jersey, në 23 tetor 1949, ai mbante mbiemrin e gjyshit të tij arbëresh që emrigroi në SHBA nga fshati Casalvecchio, në Puglia të Italisë.
Tosches do të mbahet mend sidomos për biografitë e këngëtarëve të famshëm si Jerry Lee Lewis apo Dean Martin.
Ai pati një jetë të pazakontë. Nuk mbaroi shkollën e mesme dhe punoi në vende të ndryshme nëpër SHBA, duke iu kushtuar pothuajse tërësisht muzikës, sidomos rrymave popullore amerikane rrok dhe “country” (kantri).
Në fund të viteve 1960 dhe fillimin e 1970, shkrimet e tij nisën të botoheshin në revistat muzikore më të njohura të vendit si “Rolling Stone”, “Creem” etj.
Si autor, ai ishte i fiksuar pas talenteve që nuk kishin arritur dot të bëheshin të famshëm. Jo më kot, libri i tij i parë që u botua në 1977, “Country”, përqendrohej në historinë e këngëtarëve të muzikës kantri që ishin tepër eksentrikë për të fituar popullaritet në media dhe botën diskografike.
Nuk është çudi që vetë Tosches identifikohej me ta. Mirëpo, pak kohë më vonë, në 1982, kur botoi biografinë e tij të parë “Hellfire: The Jerry Lee Lewis Story” (Zjarrferri: Historia e Jerry Lee Lewis) atij iu hap rruga në median kryesore të cilën e kishte përçmuar gati gjithë jetën.
“Rolling Stone” e quajti biografinë më të bukur të shkruar ndonjëherë për një hero të rrokenrollit.
Biografia e tij për Dean Martin, këngëtarin italo-amerikan, e botuar në 1992, ishte gjithashtu e bujshme.
“Një Rilindas në kulturën e mafies” e përshkroi Tosches atë. Një artist që e kuptoi shpejt sesa i ndyrë është në të vërtetë “biznesi i ëndrrave”, por që ia doli “të mposhtë makinën e palodhshme të famës që shpesh rrëzon yjet duke ua caktuar një vdekje të parakohshme”. “… një karakter fisnik, në një mjedis të pandershëm, të një kohe të pandershme”.
Duke folur treguar për jetën e tij, Nick Tosches than ë 1992 për “The New York Times” se si fëmijë kishte tre ëndrra. “Arkeologjist për shkak të kockave të dinosaurëve, plehraxhi nga qejfi që të bridhja në skajin mbrapa të kamionit dhe shkrimtar. Po të isha bërë plehraxhi do kisha dalë në pension tani”.
Që nga 1996 punoi si redaktor në revistën “Vanity Fair” si dhe botoi një numër romanesh, librash me poezi dhe biografi të tjera.
Në 2002, botoi romanin “In the Hand of Dante” (Në dorë të Dantes) që pati suksesin më të madh për të si shkrimtar. Po edhe ky libër solli mjaft Kritika, për shkak se personazhi kryesor quhet Nick Tosches, pram ban emrin e autorit. Në roman ai është eksperit që është caktuar të vërtetojë nëse një dorëshkrim i gjetur ka vërtet për autor të famshmin Dante Aligheri.
Një shkrim në “The New York Times” e përshkruan librin si një “rrëmujë”. Por shton se është “një rrëmujë e shkëlyer dhe pasionante, me një intensitet moral që ua kalon edhe shumicës së romaneve të qendisura më mirë”.
Tosches ka folur rrallë për prejardhjen e tij arbëreshe.
Gjatë një interviste për revistën “Scram”, në 2013, ai u pyet sesi lexohej mbiemri i tij dhe nga e kishte prejardhjen.
“Emri është italian, me rrënjë të largëta në Shqipërinë e lashtë, përtej Adriatikut nga Puglia”, u përgjigj Nick Tosches. “I vetmi vend në botë, veçanërisht, Casalvecchio di Puglia, ku emri i familjes sime përdoret gjerësisht”.
Ai tha se emri lexohet “Tahskes” (një lloj shqiptimi i Toskës) sepse si sqaron ai “ch” në italisht lexohet “k””
“Ka njerëz që i kam miq të ngushtë prej 30 vjetësh e akoma nuk e kanë mësuar dot”, tha ai. “Mesiguri do të kisha shitur më shumë libra po të kisha pasur një emër që shqiptohej më lehtë”.
LISTA E PAPLOTË E BOTIMEVE NGA NICK TOSCHES
Biografi:
1982 – Hellfire: The Jerry Lee Lewis Story. New York: Dell Publishing. ISBN 9780440535492.
1984 – with Hall, Daryl & Oates, John. Dangerous Dances: The Authorized Biography. New York: St. Martin’s Press. ISBN 9780312357160.
1986 – Power on Earth. New York: Arbor House. ISBN 9780877957966.
1992 – Dino: Living High in the Dirty Business of Dreams. New York: Doubleday. ISBN 9780385262163.
2000 – The Devil and Sonny Liston. Boston: Little, Brown and Company. ISBN 9780316897754.
2001 – Where Dead Voices Gather. London: Little, Brown and Company. ISBN 9780316895071.
2005 – King of the Jews. New York: Ecco. ISBN 9780066211183.
Prozë dhe poezi
1988 – Cut Numbers. New York: Harmony Books. ISBN 9780517568705.
1994 – Trinities. New York: Doubleday. ISBN 9780385470032.
1999 – Chaldea and I Dig Girls. New York: CUZ Editions. ISBN 9780966632859.
2002 – In the Hand of Dante. Boston: Little, Brown and Company. ISBN 9780316735643.
2012 – Me and the Devil. New York: Little, Brown and Company. ISBN 9780316120975.
2014 – Johnny’s First Cigarette. Sénouillac: Vagabonde [fr]. ISBN 9782919067138.
2015 – Under Tiberius. New York: Little, Brown and Company. ISBN 9780316405652.
Libra gazetareskë
1977 – Country: The Biggest Music in America. New York: Stein and Day. ISBN 9780440514404.
1984 – Unsung Heroes Of Rock ‘n’ Roll. New York: C. Scribner’s Sons. ISBN 9780684181493.
2002 – The Last Opium Den. New York: Bloomsbury. ISBN 9781582342276.
2009 – Never Trust a Loving God. New York: Somogy Éditions d’art [fr]. ISBN 9782757202647.
2011 – Save the Last Dance for Satan. New York: Kicks Books. ISBN 9780965977739./ylliria press/