Albspirit

Media/News/Publishing

A DO TA NDEROJNË AUTORITETET SHQIPTARE MILAN SHUFLAIN NË 140-VJETORIN E LINDJES?

Image result for astrit gjunkshi

Astrit Gjunkshi

 

Më datë 21 Shtator 2019 kam postuar këtë thirrje, për të tërhequr vëmendjen e vendimmarrësve tanë që të kujtohen për të nderuar, më datë 9 Nëntor 2019, 140 vjetorin e lindjes së albanologut të madh martir Milan Shuflai. Pesë ditë më pas, më datë 26 shtator 2019 jua kam postuar këtë thirrje Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, përkatësisht në inboxet Ilir Meta (zytare) dhe Edi Rama fans. A do të reagojnë autoritetet tona dhe Akademia e Shkencave për të nderuar kujtimin e tij me të paktën njërin nga propozimet e mia? Ua rikujtova edhe njëhere sot, në po këto inboxe.

Ndërkaq, nuk mund të lë pa falenderuar afro 150 miq që kanë mbështetur thirrjen time. Veçoj mbështetjen e intelektualëve të spikatur si shkrimtarët Zija Çela, Ylljet Aliçka, Çerçiz Loloçi, Dhimitër Shkurti, profesorët Elmaz Xhediku, Pajtim Ribaj, Prof. Vesel Hoxha, studjuesi Agron Dalipaj, poetët Martin Cukalla, Ilirian Zhupa, Agim Bajrami, Naim Berisha, Shaqir Çerpja, Mihallaq Qilleri, botuesja Semi Haxhiu, prefekti Dhori Spirollari dhe shumë intelektualë e miq të tjerë.

Në fakt, ky albanolog i shquar duhet të kujtohet e nderohet edhe në Kosovë. Do të doja që miq të mi në Prishtinë, si Bejtush Gashi, Salihe Salihu, Osman D. Gashi, etj të gjejnë mundësinë për t’ua komunikuar këtë thirrje autoriteteve kryesore të Kosovës- Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Albin Kurti.

 

THIRRJE për të nderuar e rivlerësuar veprën e shkencëtarit
MILAN SHUFLAI – martirit të albanologjisë, intelektualit të madh europianizues,
në 140 vjetorin e lindjes.

PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
KRYEMINISTRIT
AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË
TË GJITHË STUDJUESVE TË ALBANOLOGJISË SHQIPTARE,
SHKENCËTARËVE DHE INTELEKTUALËVE TË VËRTETË
ORGANEVE KRYESORE TË SHTYPIT DHE TË MEDIAS
Për dijeni: Komisionit të Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë

Data 9 Nëntor e këtij viti shënon 140 vjetorin e lindjes së shkencëtarit kroat, albanologut Milan Shuflai. Ai konsiderohet si një nga albanologët më të shquar, por edhe si martir i albanologjisë, pasi u vra nga qeveria serbe më 18 shkurt 1931. Shkaku duhet kërkuar te vepra e madhe voluminoze shkencore e Shuflait kushtuar nxjerrjes së të vërtetës se populli shqiptar është populli më i hershëm autokton në Ballkan. Këtë ai e argumentoi shkencërisht në shumë vepra, veçanërisht në veprën e tij më të madhe studimore “Acta Albaniae”. Arriti të botojë dy vëllime të kësaj vepre, ndërkohë që planifikonte të shkruante edhe vëllime të tjera. Vepra u referohet dokumenteve autentike të studjuara nga ai në bibliotekën e Venecias.

Vërtet Milan Shuflai është dekoruar para disa vjetësh nga ish-Presidenti Alfred Moisiu me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, pas vdekjes. Gjithashtu, Ambasada shqiptare në Zagreb ka vendosur në atë kohë themelimin e Çertifikatës së Meritës “Milan Shuflai”, për të nderuar personalitete, institucione apo organizata që japin kontribut të spikatur për forcimin e miqësisë dhe marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë, shqiptar dhe kroat.”

Por, meriton një vlerësim shumë më të lartë kontributi i këtij shkencëtari kroat me origjinë hebreje për çështjen shqiptare, si dhe për vlerat e larta europianizuese që solli në veprat e tij, vepra me nivel të lartë shkencor kushtuar prejardhjes së një populli që ai nuk i përkiste. Fakti që, megjithë kërcënimet dhe burgosjet, ai vijoi t’i përkushtohet me jetën e tij zbulimit të një të vërtete historike për popullin shqiptar dhe kontributet e tij europianizuese, duhen rivlerësuar në dimensionin që ai i meriton në këtë 140 vjetor të lindjes. Dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kroaci dhe në Europë.

Bashkimi Europian duhet ta shikojë veprën e tij si një shembull i përkushtimit të një shkencëtari europian për të zbuluar të vërtetën dhe për të mbështetur të drejtën. A nuk duhet të jetë respektimi i vlerave më të spikatura të një shkencëtari në themelin e vlerave që duhet të respektojë BE, si një institucion që aspiron bashkimin e europianëve rreth vlerave më të larta njerëzore si e vërteta dhe e drejta? Dhe Milan Shuflai iu përkushtua këtyre vlerave atëhere kur edhe baballarët e krijimit të BE-së nuk kishin hedhur ende idenë për krijimin e saj. Vepra e Milan Shuflait duhet konsideruar si një nga kontributet e europianizuese të kontinentit, në periudhën e errët midis dy luftrave botërore.

ShuflaI ishte shkencëtar i një kalibri të lartë europian. Ai lexonte në origjinal, që në Universitet, veprat historike të shkruara në greqishten e vjetër, në latinisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht apo hungarisht. Njihte në themel të gjitha gjuhët sllave e, më vonë, mësoi hebraisht, shqip e sanskritisht. Që në moshën 24 vjeç ishte afirmuar si studiues i përmasave europiane. Me kalimin e kohës, ai u afirmua si një autoritet i madh shkencor. Mjafton të kujtojmë se lajmi për vrasjen e tij u përhap në tërë botën dhe jehona ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” Romë, “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia” Tiranë, “Vullneti i Popullit” Tiranë etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave, si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skëndo, Faik Konica, si dhe Ligue Internationale des Droits des L’Homme, Federation Universitaire Internationale.

Duke iu referuar sa më sipër, propozoj që Shqipëria të ngrejë në një nivel shumë më të lartë nderimet për njohjen dhe vlerësimin e figurës së Milan Shuflai. Personalisht, propozoj sa vijon:

1. Presidenti i Republikës t’i akordojë titullin më të lartë që mund t’i jepet një personaliteti që ka kontribuar me veprën dhe me jetën e tij për Shqipërinë;
2. Të ngrihet një bust madhështor në oborrin para Akademisë së Shkencave,
3. T’i jeper emri “Milan Shuflai” Bulevardit të Ri në vazhdim të Bulevardit Zog I dhe të ngrihet një shtatore madhështore në një shesh që do të formohet afër Breglumit;
4. Nga Akademia e Shkencave të certifikohet titulli “Milan Shuflai” për krijime shkencore në fushën e albanologjisë, i cili të akordohet çdo vit;
5. T’i jepet emri “Milan Shuflai” fakultetit të Shkencave Filologjike apo një Universiteti;
6. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Akademia e Shkencave të komunikojnë menjëherë me strukturat homologe në Kroaci për ta rivlerësuar këtë figurë të madhe shkencore në kuadrin e kontributit të tij europianizues në Ballkanin problematik, veçanërisht për periudhën kur ai jetoi e krijoi;
7. MPJ të referojë rastin e kontributit europianizues të Milan Shuflai në Parlamentin Europian dhe në Komisionin e BE-së, në mënyrë që të promovohet një figurë e tillë me vlera të hershme europianizuese në periudhën kur Europa po perballej me errësirën fashiste. Ndërkohë, kjo koincidon me frymën integruese drejt vlerave europiane;
8. Media e ekranit dhe ajo e shkruar të përgatisin emisione që i kushtohen njohjes dhe përkujtimit të këtij kolosi të shkencës së albanologjisë.

Modestisht, kam shprehur dëshirën për një angazhim të civilizuar të të gjitha strukturave, intelektualëve dhe krijuesve që ndjejnë respekt për jetën dhe veprën e Milan Shuflait, megjithë problemet e tjera të mprehta që po kalon shoqëria jonë. Nuk do të na falet po të lemë në harresë atë që sakrifikoi aq shumë për popullin tonë dhe vlerat e tij, kur mund të kishte jetuar në paqë në Zagrebin e tij.
Ftoj miqte qe te shfrytezojne te gjithe kontaktet qe kane me miq te tyre prane vendimmaresve, ne menyre qe kjo thirrje te njihet prej tyre, me qellim sensibilizimin per nje qendrim pozitiv.

Me respekt
Dr. Astrit Gjunkshi
Doktor i Shkencave për Siguri Globale

Tiranë, më 21 Shtator 2019.

 

Kush është Milan Shuflaj?

Milan Shuflaj ka lindur në vitin 1879, në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaron në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku laureohet si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studion shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit. Doktoron në vitin 1901. Menjëherë pas doktoratës, Shuflaj i futet punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus”.

Këtu ishin kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe të pahulumtuar fare, që i takonte Shqipërisë. Në vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Në vitet 1902-1903 specializohet në Vjenë, në “Österreichische Institut für Geschichtsforschung”, në fushat e paleografisë latine, diplomacisë, kronologjisë dhe notariatin, te profesorët O. Redlicha dhe A. Dopscha.

Në këtë vit, regjistron te prof. K. Jireçeku “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, të cilat nuk ka arritur t’i përfundojë. Në vitet 1904-1908, dr. Shuflaj punon si asistent në bibliotekën kombëtare “Szeczeny” të Budapestit. Këtu thellon njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos albanologjisë. Vendos kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t’i shfrytëzojë më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore.

Në Budapest, Shuflaj botoi në revista dhe gazeta të ndryshme një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën “Szazdok” boton dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregon se dokumentet e Rabit të shekullit XI dhe XII, për Mbretin kroat Zvonimir, ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t’i kushtojë shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t’ia bojkotojnë leksionet! Në vitin 1908 emërohet profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Së bashku me Talocin dhe Jireçekun, në vitin 1913 dhe 1918, boton në dy vëllime kryeveprën “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Në vitin 1918, me kërkesën e tij pensionohet, e pastaj boton pjesën e tretë të Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar ta shkruante në tetë vëllime, me titull: “Die kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die ortodoxe Durchbruchszone im katolischen Damme”, për të vazhduar, pastaj në vitin 1920 me romanin me temë nga mesjeta shqiptare, “Konstantin Balsha”, të firmosur me pseudonimin Alba Limi. Në dhjetor të vitit 1920, burgoset. Dënohet me tre vjet e gjysmë burg, të cilat i bën në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1925 boton studimin: “Srbi i Arbanasi, njihova simbioza u srednjem vijeku”. Në vitin 1928 botoi librin me ese: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”. Po këtë vit emërohet profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit. Për shkak se nuk kishte pasaportë, detyrohet ta refuzojë këtë emërim. Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozon dr. Shuflajt që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të ”Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Dr. Milan Shuflaj ftohet të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Vritet nga dora e kriminelëve serbë më 18 shkurt të vitit 1931, një ditë pas kthimit nga Shqipëria, duke lënë pas shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb. Për vrasjen e dr. Shuflajt kanë reaguar shumica e intelektualëve të kohës, në mesin e të cilëve edhe shkencëtari i njohur Ainshtain.

Please follow and like us: