Vjosa Osmani: Serbia nuk mund të marrë agjë nga Kosova në shkëmbim të njohjes
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka thënë se pikë e përbashkët e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje është kundërshtimi i idesë për ndarje apo për shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
“Ne dhe Lëvizja Vetëvendosje kemi dalur për dy vite rresht kundër idesë së rrezikshme të ndarjes, por edhe të shkëmbimit të territoreve, ide kjo e vjetër ruso-serbe që, për fat të keq, kohëve të fundit kishte gjetur aleat edhe në Kosovë. Pra, idetë e tilla që kontestojnë kufijtë e Kosovë ne në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë të jenë pjesë e dialogut më”, ka thënë ajo.
Zonja Osmani ka thënë se LDK dhe VV pajtohen plotësisht që me Serbinë të mos bisedohet për rregullimin e brendshëm në Kosovë.
“Po ashtu sa i përket rregullimit të brendshëm të Republikës së Kosovës ne kemi një pajtueshmëri të plotë që këto nuk janë tema që mund të bëhen pjesë e dialogut në Bruksel”, ka thënë ajo.
Kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës ka theksuar se Kosova as nuk do të japë territor dhe as nuk do të shndërrohet në shtet jofunksional, në këmbim të njohjes nga Serbia.
“Serbia nuk mund të marrë diçka nga Kosova në shkëmbim të njohjes, sepse Kosova nuk është në gjendje të japë territor ose të shndërrohet në një shtet jofunksional vetëm për të marrë njohjen nga Serbia, sepse do të shndërroheshim në një Bosnje të dytë. Pra, me një skenar të tillë, ne do të vinim në një situatë që Kosova të ketë ulësen në Kombet e Bashkuara, por të jetë një shtet jofunksional që nuk mund të arrijë asgjë, as në kontekst të brendshëm e as në kontekst të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe kjo është një situatë që ne duhet ta evitojmë me çdo kusht”, është shprehur ajo.
Sipas zonjës Osmani nga aleatët perëndimorë të Kosovës nuk është kërkuar që marrëveshja përfundimtare me Serbinë të arrihet në pranverë të vitit 2010, por ështër kërkuar që të rifillojnë bisedimet.
“Afati i pranverës së vitit 2020 është për diçka tjetër, jo për arritjen e marrëveshjes finale. Ky afat është për të sjellë prapë të dyja palët në tavolinë, për të rifilluar negociatat, për t’i dhënë një shtytje të re vullnetit të të dyja vendeve për të diskutuar me njëra-tjetrën për normalizim të marrëdhënieve dhe për të arritur, në qoftë se ka vullnet dhe gatishmëri, marrëveshje për tema jo edhe aq substanciale, pra për të diskutuar ose për të kërkuar nga ana jonë zbatimin e marrëveshjeve, siç është ajo për energjinë, për të diskutuar për temat që kanë të bëjnë me tregtinë, zhvillimin ekonomik. Sa e kam kuptuar unë dhe besoj që e kam kuptuar drejt nga këta takime nuk është që dikush pret që në mars të vitit 2020 të arrihet marrëveshja finale, sepse nuk është realiste një pritje e tillë”, është shprehur ajo.
Sonja Osmani ka thënë se koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje duhet të bëhet mbi partneritetin e të barabartëve.