Albspirit

Media/News/Publishing

A PO AFROHET SHQIPËRIA ME KINËN, DUKE DEVIJUAR NGA BOSHTI I PARTNERËVE STRATEGJIKË?

 

Ambasada Amerikane tërheq vëmendjen në mënyrë të përsëritur politikanëve shqiptarë, sa i përket integrimit të vendit në BE dhe ecurisë së shpejtë drejt përfundimit të reformës në drejtësi. Këmbana po bie për ata që kanë vesh dhe që sytë e mendjes u janë iluminuar nga e vërteta që është një dhe vetëm një, se ky vend është zhytur 30 vjet në atrofizim ekonomik, me ulje- ngritje që kanë dëmtuar më shumë se çdo gjë shtresën e mesme dhe drejtësinë në gjykata.
Tik-takut të akrepave të orës kronometrike po i afrohet “deadline” dhe goditja e gongut do të shënojë “game over” për gjithkënd që ka abuzuar me të pafuqishmin popull, duke e skllavëruar në ekstrem, saqë sot nuk paguan dot as ujin as dritat –detyrimet bazë tarifore ndaj shtetit, pra nevoja bazike për të qenë korrekt me ligjin. Për të tjerat është tepër të zgjatemi sepse gjithkush që nga pamundësia për të ikur jeton në këtë vend, e di shumë mirë për çfarë e kam fjalën.
Në nëntor pritet të nisë nga puna një strukturë special e quajtur SPAK e padëgjuar më parë për drejtësinë shqiptare e cila do hetojë zyrtarët e korruptuar. Këtë në fakt e presim të gjithë shqiptarët që jetojnë brenda dhe jashtë vendit, por po kaq me kërshëri e pret edhe partneri ynë strategjik SHBA.
E Ngarkuara me Punë Leyla Moses-Ones në Konferencën “Politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor”, një ditë më parë, e tha qartë se Shqipëria do të fitojë vendin e saj në radhët e shteteve anëtare të BE-së duke dyfishuar përpjekjet për zbatimin e reformave në drejtësi, fshirë korrupsionin dhe fitoren mbi plagën e krimit të organizuar.
Kjo ka të bëjë me vlerat; kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit; kjo ka të bëjë me begatinë dhe mundësinë për qytetarët shqiptarë.
Shqipëria jo vetëm që po punon shumë për reformën në drejtësi, por tashmë reforma zgjedhore është bërë një projekt kombëtar që qeveria, opozita parlamentare dhe partitë opozitare jashtë tij, po e ndjekin.
Drejtuesit e Shqipërisë kanë treguar vullnetin për të bërë kompromis për hir të së mirës të përbashkët.” citoi përfaqësuesja më e lartë e shtetit Amerikan në Tiranën zyrtare.

Nga ana tjetër partneri ynë strategjik SHBA, kërkon vëmëndje të shtuar nga qeveria, për distancim nga Kina, Rusia apo Irani, duke i cituar Qeverisë, se disa gjëra në Shqipëri janë të rëndësishme dhe ato nuk mund të shiten. Këtu SHBA, ka parasysh kërkesën e Kinës ndaj Shqipërisë, për aplikim të ndërlidhjes së rrjetit 5G.

E ngarkuara me Punë Leyla Moses-Ones, ishte e qartë kur tha se Shqipëria ka një vendndodhje gjeostrategjike, revolucioni 5G po vjen, ndërlidhja e rrjeteve 4G të Shqipërisë së shpejti do të përmirësohet; ndërlidhja e vendit gjeostrategjik në hartë është e rëndësishme sepse ka vende si Kina që do të dëshironin të kapnin mënyrën e jetesës dixhitale të Ballkanit Perëndimor për të thithur informacione prej tyre dhe asfiksuar rrjetet e aleatëve të Sh.B.A-së. Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrotje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje.

Parë në prizmin e prezencës së shtuar kineze kohët e fundit në Tiranën zyrtare, kjo tregon edhe njëherë rrezikun që përballet Shqipëria nga kompromentimi që mund t’i bëjnë politikanët e saj që do të duan të vënë mbi interesat kombëtare, interesat e tyre familjare, dhe këtë gjë e kanë bërë jo pak herë në këto 30 vjet.

Please follow and like us: