Albspirit

Media/News/Publishing

Apeli i biznesmenit Nikollaq Neranxi për shoqatat e biznesit, konfederatat dhe dhomat e tregtisë

Image result for nikollaq neranxi

Nikollaq Neranxi

 

Të nderuar kryetarë të shoqatave të biznesit, konfederata apo dhoma tregtie!
Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, po ndjek me shqetësim situatën ekonomike, e cila shkon çdo vit në përkeqësim! Bizneset gjithashtu po përjetojnë ditë të vështira! Shumë biznese kanë falimentuar edhe pse kishin rreth dy dekada në treg! Rënia e konsumit dhe politikat fiskale masakruese të pushtetit socialist, kanë sjellë një kolaps ekonomik të paparë as në ditët më të këqija të ketij vendi, madje as në 1997-ën! Në këto kushte, ne si shoqatë kemi bërë një plan se si të dalim nga kjo gjendje dhe të shpëtojmë aktivitetet e mbetura, që po mbahen me shumë sakrifica. Masa e parë është kërkesa që i kemi bërë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për uljen e çmimit të energjisë dhe gazit dhe për përmirësimin e shërbimit.
Letrën e keni më poshtë. Nëse edhe ju jeni dakord, ju ftoj t’i bashkoheni kësaj nisme dhe të bëni të njëjtën gjë! Faleminderit!

Kërkesë

Drejtuar Entit Rregullator të Energjisë (ERE)

Të nderuar anëtarë të Bordit të Komisionerëve të ERE. Ju shkruajmë në emër të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë. Kjo shoqatë është regjistruar në Gjykatë që në vitin 1998 dhe që atëherë ushtron veprimtarinë e saj, në mbrojtje të interesave të tregëtarëve të vegjël, të mesëm si dhe të biznesit të madh.
Shoqata ka veprimtari të zgjeruar në të gjithë vendin dhe në anëtarësinë e saj prej 12000 vetash, ka tregtarë të vegjël dhe të mëdhenj. Shoqata gëzon dhe disponon tagrat ligjorë për të qenë subjekt që studion dhe ndjek në vazhdimësi politikat sociale, edukuese dhe ndëshkuese që merr shteti apo edhe sipërmarrjet private në drejtim të tyre si dhe në cënim të interesave të tyre. Legjitimimi mbështetet në nenin 46 të Kushtetutës.
Ju bëjmë me dije se nga ankesat dhe problemet e shumta që kanë ngritur anëtarët tanë të Shoqatës në rreth 4 vitet e fundit, ai që spikat më së shummti ka të bëjë me çmimin e lartë të energjisë elektrike dhe gazit. Ndërkohë që në çdo vend të përparuar të botës, çmimi i energjisë elektrike apo gazit është më i ulët për bizneset, se sa për familjarët, tek ne është e kundërta. Kjo ka bërë që gjatë këtyre viteve ku çmimi i energjisë është rritur, shumë biznese kanë falimentuar duke mos përballuar faturat e kripura të energjisë dhe gazit. Nga ana tjetër, duke u rritur kaq shumë shpenzimet, tregtarët kanë nxjerrë në treg produkte me çmime të larta, të papërballueshme nga konsumatori shqiptar.
Në këto kushte, në mënyrë që të vijojmë punën, të mbajmë punëtorët, të ulim çmimet e produkteve dhe të mos falimentojmë, gjë që nuk i shërben as shtetit pasi ne jemi taksapagues, kërkojmë nga ju që të na ndihmoni me uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të gazit, për biznesin në tërësi.
Gjithashtu ju bëjmë me dije ju, si garant i mbrojtjes së konsumatorëve nga abuzimet e kompanive të shpërndarjes, se biznesi po pëson dëme të mëdha nga energjia elektrike e cila nuk vjen ashtu si duhet, ka luhatje të mëdha tensioni dhe po shkatërrohen pajisje dhe makineri. Edhe proçeset gjyqësore nuk zgjidhin ndonjë gjë sepse përveç që zvarriten pa fund, për hir të së vërtetës, të paktën deri tani, duhet thënë se ka patur një tendencë për të mbrojtur në çdo rast OSHEE dhe jo biznesin e dëmtuar nga produkti i tyre i cili na shitet jashtë parametrave shpesh herë.
Ne si biznesmenë dhe tregtarë, ju shohim ju si institucion, si avokatët e vetëm që mund të na zgjidhni këto probleme kaq serioze në punën tonë. Për diskutimin mbi uljen e tarifave, do të ishte kënaqësi që ditën që do ta merrnit në shqyrtim kërkesën tonë, të ftonit një përfaqësi nga Shoqata jonë që ta diskutojmë së bashku dhe t’ju japim informacione të tjera më të detajara për të arritur në një përfundim racional dhe të drejtë për të dyja palët. Duke ju falenderuar paraprakisht, shprehim besimin se do ta shikoni me prioritet kërkesën tonë!

Me respekt

Nikollaq Neranxi

Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë.

Please follow and like us: