Albspirit

Media/News/Publishing

Al Jazeera Balkans/Vështrim nga Tirana: Bosnjë-Hercegovina, shteti më i brishtë në Ballkan

Autori Shaban Murati në librin “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana” analizon me mjaft detaje tematikën në raport me Ballkanin Perëndimor, KE, Rusinë e Turqinë.
Në ambientet e “Qendrës Ballkanike për analizë e studim” javën e kaluar në Sarajevë u bë promovimi i librit “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana” e magjistrit në diplomaci Shaban Murati, i cili prej 50 vitesh është pjesë e diplomacisë ballkanike dhe skenës gazetareske.
Krahas moderatorit Anes Dzunusovic foli Edhem Biçakçiç (ish kryeministër i Federatës së BH) si dhe vetë autori.
Në Shqipëri Murati ka titullin “Mjeshtër i madh” në diplomaci, por në karrierën e vet ka kryer funksionin e ambasadorit në Suedi, Norvegji, Finlandë, Islandë e Maqedoni. Ka punuar në Ministrinë e Jashtme si zëri më i qartë atje, duke udhëhequr dhe akademinë diplomatike.
Libri i tij publiçistik dygjuhësh në të cilat janë përzgjedhur 38 tekste të shkruara mes 2003-it dhe 2018-ës, të cilat na ofrojnë një perceptim tjetër jo vetëm të Bosnjës, por dhe Ballkanit, Europës e të Lindjes së afërt në 30 vitet e fundit. Fjala është për kumtimet e analizat, të cilat autori me konture të qarta i ka shprehur në media si reaksion për ndodhitë politiko-shoqërore në rajon, me rikthimin e vetëdijshëm mbi Bosnje-Hercegovinën.
Shqipëria për një kohë të gjatë ka qenë vendi më i izoluar në Europë. Me të drejtë, nga këto përvoja, libri na jep një rikthim kritik në realitetin ballkanik, marrëdhëniet ndërmjet vendeve e qeverive, duke kritikuar dhe pushtetin në Shqipëri për qëndrimet e tyre kundrejt shteteve fqinjë.
Autori, mes të tjerash në libër, shkruan që Bosnje-Hercegovina është shteti më i brishtë në Ballkan, me potencialin maksimal të shpërthimit të konflikteve multietnike, por çdo shpërthim i këtyre konflikteve do të kishte ndikim direkt në tërë rajonin.

RRETHI MAGJEPSËS I BALLKANIT
Paraqitja e këtij libri vjen në kohën e raporteve shumë të ndërlikuara politike në Ballkan.
Përmes leximit të këtij libri kemi rastin të kuptojmë qëndrimin e tjetërsuar të disa politikanëve e partive, të cilët sot implementojnë politikë krejt ndryshe. Kjo duket mjaft qartë përmes teksteve të Muratit, në të cilat analizon qëndrimet e partive në Bosnje-Hercegovinë të etnitetit të Rep. Serbska.
Nga ana tjetër qëndron cikli që përsëritet, por të cilat nuk mund t’i njohim nëse nuk përqëndrohemi në analizë për më tepër kohë. Pyetjet e BE drejtuar Ballkanit, respektivisht gabimi i tij në raport me B-H, e shohim qartë përmes mbylljes së derës drejt rrugës europiane të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
Autori i librit analizon në detaje të imta tematikën e marrëdhënieve të Ballkanit Perëndimor me Europën, Rusinë e Turqinë. Ai objektivisht është kundër hyrjes së shteteve të rajonit si “paketë” në Europë, sepse një mënyrë e tillë nuk është praktikuar me askënd më parë.
Gjithashtu autori analizon mungesën e ideve të “Shengenit ballkanik”, sepse, sipas tij, proçese të tilla kontribuojnë me pabarazinë rajonale dhe i largojnë shtetet e Ballkanit nga antarësimi në BE.
Këto mendime i ndan dhe fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti, i cili idenë e “Shengenit ballkanik” e ka quajtur “Jugosllavi e katërt”. Termi “Ballkani Perëndimor” është produkti i politikës franceze me dëshirën e rinovimit të Jugosllavisë. Franca ka ndikuar së tepërmi që në Zagreb të mbahet Samiti i Europës në  vitin 2000 me vendet e “Ballkanit Perëndimor”, si i pari samit jashtë kufijve të Europës së atëhershme. Përfundimi i samitit ishte rindërtimi i integrimit rajonal përmes hyrjes së përbashkët në Europë, ndaj dhe Kroacia “nxitoi” të dilte.
Ballkani vazhdon dhe më tej të jetë vendi i konflikteve të nxitura nga Gjermania e Franca, nga të cilat do dilte e fituar fatkeqësisht Serbia, e cila nga ana tjetër zgjon dhe interesa ruse në rajon.
KONTRIBUTI I AFRIMIT TË SHQIPTARËVE E BOSHNJAKËVE

Shqipëria është ndër të parët shtete që e njohën pavarësinë e Bosnje-Hercegovinës në 21 prill 1992. E aktualisht në Tiranë e Sarajevë punojnë vetëm konsujt e nderit, gjë që rëndon raportet politike, ekonomike e kulturore. Në Bosnje-Hercegovinë jetojnë rreth 25 mijë shqiptarë e në Shqipëri më tepër se 10 mijë boshnjakë. Gjithashtu, boshnjakë e shqiptarë jetojnë të përzier në Maqedoni, Kosovë, Sanxhak. Sigurisht në Serbi e Malin e Zi, ku është angazhuar bashkëpunimi më i madh politik e fetar.
Boshnjakët e shqiptarët kanë jetuar së bashku nën perandorinë Osmane e për këtë arsye ndajnë vlera të përbashkëta kulture e tradite. Gjithashtu, 80 vjet bashkëjetesë në shtetin e përbashkët jugosllav normalisht i ka lidhur këta dy popuj, përveç shqiptarëve të Shqipërisë, të cilët me instalimin e komunizmit u bënë shoqëria më e izoluar në Europë.
Shqiptarët me fillim të luftës në Bosnje-Hercegovinë kanë ndarë të njëjtin fat me boshnjakët. Vetëm në Biljeljin njësitë paramilitare të Arkanit në prill të v. 1992 vranë mbi 20 shqiptarë. Këtë na i ka fiksuar fotografi Ron Haviv.
Vetëm 19 vjet më vonë kryetari i Kuvendit të etnitetit “Republika Serbska” në Bosnje-Hercegovinë, Igor Radojçiç udhëhoqi në Tiranë delegacionin e serbëve të Bosnës, në vizitën 3 ditore ( 9 – 11 nëntor). Këtë ngjarje Murati në libër e pasqyron nën titullin “ Kreditet e Tiranës për Republika Serbska”, ku reflekton kritikë të hapur të politikës shqiptare karshi Bosnje-Hercegovinës.

LIBRI I PARË PËR BOSNJE-HERCEGOVINËN NË SHQIPËRI
… “Libri për Bosnjën është libri në kërkim të së vërtetës, Të vërtetën historike është shumë e vështirë ta gjesh, ndaj duhet ta ndriçosh, Atë duhet ta ndash nga periudhat e ndryshme kohore e perspektivat. Libri është vështrim nga Tirana mbi dinamikën boshnjake”… – thekson Murati.
Ai thekson gjithashtu që njësimi i sakrificave me krimin është njëri nga gabimet më të mëdha të politikës ndërkombëtare ndaj Bosnjë-Hercegovinës.
Ky është njëri nga të katër librat e Shaban Muratit, të cilat i ka botuar fondacioni ‘ALSAR’ nga Tirana, i cili deri tani ka botuar mbi 150 libra.
Vlera e këtij libri është akoma më e madhe kur marrim në konsideratë se ky është libri i parë në Shqipëri për Bosnjë-Hercegovinën në kohrat e reja. Larg në vitin 1865 Vaso Pasha në Stamboll botoi librin “Bosnja në kohën e misionit të Xhevdet Efendiut”.
Burimi: Al Jazeera Balkans, 4.11.2019.

(Teksti shqip i shkrimit të Sanadin Voloder në “Al Jazeera” për librin e Shaban Muratit, përkthyer në shqip nga studjuesi Sami Guzina).

http://balkans.aljazeera.net/vijesti/pogled-iz-tirane-bih-najkrhkija-drzava-na-balkanu?fbclid=IwAR2sIIAdN6QBLnQQhxRP_4u1xkiV_mX2xm4v0Y24Aav66WvH0Sa4OYTVW-I

Please follow and like us: