Dashamir Uruçi: KOSOVA MBARË VRAPON DREJT SHQIPËRISË…!
Mbrëmë shumë vonë jam kthyer nga Prishtina në Tiranë.
Takova gjithandej shumë njerëz e të gjithë një shqetësim kishin: gjendjen në Shqipëri pas tërmetit të rëndë të 26 Nëntorit.
Të gjithë flisnin të shqetësuar e të gjithë ishin të gatshëm të ndihmonin me të gjitha mënyrat.
Pranë hotelit ‘Grand’ takova qytetarë nga shumë anë të Kosovës. Ishin tubuar aty e shumë prej tyre kishin sjellë në Prishtinë ndihma të gatshme e të përgatitura drejt qytetit të Durrësit e fshatrave të goditura më rëndë nga tërmeti.
Pasdite vonë u nisa drejt Tiranës dhe sa më shumë udhëtoja aq më shumë numri i makinave në Rrugën e Kombit rritej.
Për arsye të ndryshme, shumë herë kam qenë në Kosovë e shumë herë kisha udhëtuar natën drejt Shqipërisë, por kurrëndonjëherë nuk kisha parë kaq shumë mjete e makina të të gjitha llojeve që shkonin e vinin e thuajse të gjitha me destinacion drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti.
Në një prej pikave të mëdha të karburantit u ndala e takova shumë njerëz, të gjithë nga KOSOVA e të gjithë shpejtonin drejt Shqipërisë.
Makina të vogla e deri tek maunat e mëdha të gjitha të mbushura me ushqime, pije e ndihma të tjera të të gjitha llojeve, qindra njerëz kryesisht të rinj që hanin me shpejtësi e vazhdonin rrugën drejt zonave të prekura nga tërmeti.
Natyrisht në një përmasë tjetër e në një kohë tjetër kishte shpërthyer tek shqiptarët ndjenja e lartë e ndihmës dhe solidaritetit njerëzor.
Ashtu si në vitet e luftës në Kosovë, drejt Shqipërisë ishin nisur me mijra shqiptarë këtë herë jo për t’u strehuar por për të ndihmuar vëllezërit e vet të goditur rëndë nga kjo fatkeqësi e madhe natyrore.
Bëra disa fotografi për t’i ndarë me shokët e mi dhe vazhdova rrugën drejt Tiranës dhe sa më shumë afrohesha gjithnjë e më tepër ndjehesha krenar e në mes të shqetësimeve e dhimbjeve zinte vend shpresa e besimi për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne shqiptarët.
Në këto ditë të vështira ne nuk jemi vetëm.
Kemi pranë Kosovën, shqiptarët nga Maqedonia e nga të gjitha vendbanimet e tjera, kemi pranë vendet mike e veçmas diasporën shqiptare të cilët po na ndihmojnë dhe po e ndajnë dhimbjen bashkë me ne.
Ne shqiptarët kur jemi bashkë mund të bëjmë gjëra të mëdha…!
TË FALEMNDERIT KOSOVË!
JU FALEMNDERIT TË GJITHËVE…!