“Do lë turin dhe do fluturoj drejt Shqipërisë”, Bebe Rexha nis mbledhjen e fondeve për të prekurit nga tërmeti
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka kërkuar ndihmë për të prekurit nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit në Shqipëri.
Përmes një video të publikuar në rrjetet e saj sociale “Facebook” dhe “Instagram”, Bebe thotë se ka hapur një llogari “gofundme” dhe ju kërkon ndjekësve të saj që të kontriubojnë.
Këngëtarja 30-vjeçare premton se paratë e mbledhura do t’i sjellë vetë në Shqipëri, madje ajo thotë se do e lërë turin dhe do të kujdeset vetë për ushqimin, ujin dhe shtëpitë e të prekurve nga tëmeti.
“Jam në turin ‘Jonas Brothers’ dhe kam marrë vesh lajmit e tmerrshëm për tërmetin në Shqipëri. Ju e dini që unë dhe familja ime jemi shqiptarë. Prandaj vendosa të hap një llogari, për të ndihmuar gjithë ata njerëz që kanë nevojë. Unë personalisht do të lë turin dhe do të fluturoj drejt Shqipërisë dhe do ju dërgoj njerëzve atje ushqim, ujë apo t’i ndihmoj për shtëpitë e tyre. Do të sigurohem që paratë të përdoren ashtu siç duhen dhe çdo dollarë mund të shërbejë”-thotë ndër të tjera Bebe Rexha.