Mesazhi i artistes së njohur Ina Kosturi për Maratonën Violinistike ‘Tingujt e paqes’
Orkestra e harqeve e Universitetit të Arteve me dirigjent Gridi Kraja dhe profesorin Robert Radoja do të shfaqë një koncert për violinë dhe orkestër harqesh, kompozuar dhe interpretuar nga violinistja e njohur Ina Kosturi. Koncerti zhvillohet në sallën “Tonin Harapi ” të Liceut Artistik, në 24 dhjetor 2019, ora 18, në sallën ‘Unesco’. Në koncert do të interpretohen pjesë muzikore nga Çajkovski, Dvorak, Faure, etj.
Mesazhi i Ina Kosturit
“Maratona Violinistike”, edicioni i 8 vjen në prag Krishtlindjeje me koncertin “Tingujt e paqes”! Kënaqësi të interpretoj si soliste në finalizimin e një pune impenjative e të guximshme, krijimin e një vepre të plotë, koncert për violinë. Duke falenderuar një nga një të gjithë orkestrën, profesorët e Universitetit të Arteve, instrumentistët e orkestrës simfonike, dirigjentin e muzikantin e talentuar Gridi Kraja dhe profesor Robert Radoja. Ju ftoj të martën, 24 dhjetor 2019, ora 18.00, në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik, me tinguj paqeje e shprese për ditë më të mira!
Kush është Ina Kosturi?
Ina Kosturi diplomohet për violinë në Akademinë e Lartë të Arteve dhe në konservatorin “Umberto Giordano” në Itali. Ka dhënë 25 recitale, është autore e katër librave dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh kritikë në shtypin e përditshëm. Ka marrë titullin “Profesor i Asociuar”.
Mbaron me rezultate të shkëlqyera në violinë dhe gjithë lëndët Liceun Artistik “J. Misja” për të vazhduar studimet pranë Akademisë së Arteve të Bukura nën drejtimin e pedagogëve Pandush e Pirro Gjezi. Ndjek më pas shkollën e gjuhës dhe kulturës italiane “Lorenzo de Medici” në Firence dhe realizon audicion në Konservatorin e Muzikës “Luigi Cherubini”. Vlerësuar nga docenti i violinës pranë këtij konservatori dhe titullar i Katedrës së Muzikës së Dhomës prof. Giovani Tanzini, për kualitetet e një violinisteje sensibël në interpretim, fillon përgatitjet për mbrojtjen e diplomës pranë këtij Konservatori. Kthehet në Tiranë për t’u diplomuar shkëlqyeshëm në Akademinë e Arteve te Bukura e më pas vazhdon studimet në Firenze me prof. Yvette Gregorian.
Në Tiranë realizon një sërë recitalesh pranë skenave më të rëndësishme muzikore duke ekzekutuar me orkestrën e TKOB- së koncertin Nr. 2 të Prokofievit nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja, sonatat e Grigut, Brahmsit, Frankut, Shumanit, Shubertit, Bahut, nga Koreli tek Stravinskij, e deri tek kompozitorët bashkëkhorë si Feliciani. Fituese e konkursit të 7 Nacional të Muzikës “Citta di Monopoli”( 1995), vendin e katërt në konkursin “A. Astarita” në Napoli (1996). Në formacionin e duos, violinë e pianoforte, krahas pianistëve shqiptarë ka bashkëpunuar në Tiranë e Itali me pianisten Giovanna Fratta. Mes të tjerash kanë realizuar koncertin inagural të sezonit të 17 koncertor “Amici della musica” të Lucerës. Nga 1994- 2002 ka ekzekutuar në violinat e para të Orkestrës së TKOB. Ne qershor 2003 në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Institutit Italian të Kulturës krijon orkestrën e harqeve “Paganini” duke qenë soliste, spalë e orkestrës dhe organizatore e projektit. Në tetor 2003 realizon në Orkestrën Simfonike të RTSH-së koncertin për violine dhe orkestër të M. Bruhut nën baketën e dirigjentes Giovanna Fratta.
Nga viti 1994 është pedagoge e jashtme e violinës në Universitetin e Arteve. Ka marrë pjesë si violiniste në shumë transmetime të RTSH-së dhe ka shkruar një numër të konsiderueshëm artikujsh kritikë (rreth 90) për probleme profesionale të artit e muzikës, komente e analiza në të përditshmet e shtypit. Në 2003 realizon pranë Radio Tiranës një cikël emisionesh me komente të interpretimit të muzikës klasike e asaj violinistike. Në sallën e Universitetit të Arteve, me ndihmën e MTKRS në 25 mars 2006, 3 prill 2006 dhe 9 prill 2006 realizon projektin: “Maratona e Muzikës Violinistike”, me tre koncerte recitale, me pianistet Rudina Ciko e Marin Gjollma, përtej traditës shqiptare te interpretimit te një recitali te vetëm. “Përtej Personales”, është libri me përmbledhje artikujsh e studimesh kritike, botuar në tetor 2006. Në maj 2007 publikon studimin “Talente të heshtur”. Në 11 korrik 2007 në sallën TKOB realizon Maratonën e Muzikës Violinistike, Edicioni i Dytë, me muzikë nga Bah, Ravel, Escobar etj., me pianisten Rudina Ciko. Në 9 maj 2008 realizon recitalin në nderim të Ministrit të Parë të Postë – Telegrafave, Lef Nosi, me interpretimin për herë të parë Sonatës së Fan Nolit (1937) dhe vepra të tjera. Në 30 maj 2008 së bashku me pianisten Rudina Ciko realizon Edicionin e Tretë të Maratonës së Muzikës Violinistike, me vepra që interpretohen për herë të parë si: Thoma Nasi, Ç. Zadeja, Copland etj. Në dhjetor 2008, realizon në Televizionin Calvin një cikël emisionesh të titulluara “Metronom”, emision i përjavshëm i muzikës klasike, duke interpretuar në violinë e piano veprat e Bahut, Grieg, Shuman, Brahms, Shubert etj., si dhe duke komentuar live kompozitorët dhe dukuritë e botës muzikore. Në 22 qershor 2009 realizon “Martonën e 4-të të Muzikës Violinistike”, në formacion duo violinë – piano me pianisten Rudina Ciko. Interpreton vepra të panjohura shqiptare si: Papajorgji, Paparisto, Noli, Nasi si dhe vepra premierë Svendsen, Stravinski, Gershwin. Dy DVD të këtij koncerti përfshihen në fondin e Bibliotekës Noliane në Boston për studiuesit shqiptaro – amerikanë. Një letër falenderimi nga Katedralja Saint George mbërrin për këtë koncert si ruajtje e trashëgimisë kulturore dhe stafin e Shoqatës “Bota Artit”. Në Panairin e 12-të të librit nëntor 2009 boton esenë “Pak mall për socializmin”, me shtëpinë botuese Ombra GVG. Më 30 qershor 2010 realizon edicionin e pestë “Maratona e muzikës violonistike” në sallën “Tefta Tashko” pranë MTKRS. Ky recital i duos Kosturi – Ciko në formacionin violinë piano, përveç repertorit të larnishëm, solli dhe interpretimin e pjesës “improvizim për violinë” të kompozuar nga violinistja.
Në shkurt 2012 kandidon për postin e dekanit të Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve. Në maj 2012 boton prozën, “Rrëfim në Tre Kohë” me Shtëpinë Botuese OMBRA GVG.