Rexh Byberi: In memoriam, Bajram Neza!
Bajram Neza
Sot u nda nga jeta në New York të SHBA ing. Bajram Nezaj, njeri nga personalitetet më të shquara dhe të spikatura të jetës politike e shtetërore të Tropojës në shekullin që lamë pas. Bajram Nezaj do të mbetet thellë në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin si një burrë i urtë e i mençur, tolerant e dashamirës, punëtor e i përkushtuar, intelektual dhe i kulturuar. Ai punoi dhe bëri aktivitet në një kohë të vështirë por la gjurmë mirësie për komunitetet ku punoi e jetoi nga Kukësi, Tropoja e Gramshi deri në Vlorë.
Si një bir fisnik i derës së shquar patriotike të Ali Iber Nezës, Bajram Nezaj e çoi me dinjitet përpara autoritetin e fisit, të familjes dhe mbarë Tropojës. Në këtë ditë të rëndë për familjen Neza, personalisht e në emër të Bashkisë Tropojë i dërgoj djalit, Agronit, bashkëshortes së nderuar të Bajram Nezës, Zojë, mbesave Skivjana, Artenisa, Dona e Erga, të gjithë farefisit, miqve të tij të shumtë, ngushëllimet më të sinqerta. Burra si Bajram Neza e kanë përjetësisht vendin në parajsë dhe në kujtesë!