Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: KUJDES DIGAT E HIDROCENTRALEVE MBI LUMIN DRIN…!

 

 

Sonte lexova një postim të qytetarit shkodran Agim Tahija.

Ishte një koment i gjatë pranë shkrimit tim për “SISTEMET JO SHKATËRRUESE-NDT”, me të cilat unë shtrova me modesti, para opinionit publik, nevojën urgjente të kontrollit të banesave të mbetura në këmbë pas goditjeve të tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte shqetësimi që shtronte hapur e për të gjithë, bashkëqytetari im.

Ai foli për nevojën urgjente të kontrollit të gjendjes së digave të hidrocentraleve mbi lumin Drin.

E kishte shtruar me pak fjalë çështjen, brenda shqetësimeve të tjera që i solli Shqipërisë, tërmeti fatal i Nëntorit ku humbëm shumë jetë njerëzish të pafajshën e dëmet që pësuam gjithëandej, vonë do të rikuperohen.

E lexova komentin e zotit TAHJA dhe u ktheva pas në vitet kur ndërtoheshin veprat e dritës në SHQIPËRI.

Më pushtuan shumë emocione saqë edhe tash që shkruaj nuk ndjehem mirë.

Poshtë digave të lumit Drin shtrihen me qindra fshatra e vendbanime më të vogla dhe mbi të gjitha, shumë afër tyre ndodhet SHKODRA, një prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë.

Jemi rritur e u plakëm me epokën e Hidrocentraleve e veçmas me VAUN E DEJËS, me KOMANIN, me FIERZËN e me shumë histori teknike e politike me të cilat lidhej ëndrra e parealizuar e ndërtimit të SKAVICËS, një hidrocentral shumë i rëndësishëm në kaskadën e Drinit. Pas futjes në shfrytëzim ai do të bënte rregullimin 3-4 vjeçar të prurjeve të lumit për hidrocentralet e tjera që vinin poshtë tij.

Me mijëra shkodranë jetuan e punuan në këto objekte madhështore të asaj kohe dhe në një farë mënyre, SHKODRA e kishte lidhur fatin e saj me veprat e dritës.

Këto objekte të mëdha punësuan me mijëra specialistë shkodranë si dhe të tjerë nga shumë rrethe të vendit.

Nga ana tjetër, Shkodra në një farë mënyre u fut në rradhën e qyteteve me rrezik të larte sa i përket pasojave të jashtëzakonshme që mund t’i sillnin asaj, dëmtimi i njërës prej digave të kaskadës së HEC-ve mbi DRIN.

Në këto muaj të pastërmetit që posa kaluam, shqiptarët dhe qeveria shqiptare mund të themi të gjithë, përjetuam trauma të të gjitha llojeve.

Po bëhen përpjekje të mëdha për ta normalizuar gjendjen e për fatin tonë miqtë e shumtë nuk na kanë braktisur.

Ndihma e kujdesi i tyre është për t’u vlerësuar.

Çështja është si do të ruajmë jetët njerëzore në të ardhmen e sa do të punojmë në fushën e parandalimit sa më shumë të jetë e mundur të ngjarjeve të jashtëzakonshme të cilat nuk i parashikojmë dot, në asnjë rrethanë.

Në këtë kuadër duhet kthyer koka nga Shkodra, një qytet që është goditur historikisht nga tërmete të rënda dhe që mban mbi kokë, KURORËN E DIGAVE TË HIDROCENTRALEVE…!

Dëmtimi i këtyre digave nga goditjet e një tërmeti të rëndë do të sillte pasoja katastrofike për qindra e mijra banorë të rrethinave dhe do të vinte në pikëpyetje vetë ekzistencën e qytetit të Shkodrës.

Mendoj se duhet një kontroll i përgjithshëm e shumë i specializuar i digave të HEC-ve në Shqipëri dhe me transparencë të plotë të njoftohen për gjëndjen e tyre, qytetarët e Republikës e veçmas banorët e Shkodrës me rrethina…!

Këtë punë duhet ta bëjmë tani dhe kurrsesi nuk duhet ta shtyjmë për të ardhmen…!

 

 

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE-USHC.

Please follow and like us: