Hakmarrja disavjeçare mes fiseve që i mori jetën pronarit të televizionit
Pronari i televizionit “Media plus-tv” në Lezhë, Kastriot Reçi mbeti i vrarë ditën e sotme në rrethana ende të paqarta në zonën e Rrëshenit.
Ai është pjesë e një fisi me influencë në këtë zonë por që është përfshirë në një konflikt me një tjetër familje. Nga ky konflikt deri tani dyshohet se kanë humbur jetën të paktën 4 persona.
Ngjarja e parë që ndezi sagën e përgjakshme ka ndodhur më 9 shtator të 2016. Dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje drejtuesin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për veriun, Saimir Jakun. Ai është qëlluar me kallashnikov , teksa ka qenë duke pirë kafe në qytetin e Rrëshenit bashkë me një shok të tij. Autorët braktisën automjetin tip “Benz-Mercedes” në fshatin Gallatë të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan.
Pas kësaj ngjarje, më 28 Prill të 2017 është ekzekutuar Gasper Reçi, vëllai i Kastriot Reçit. Ai është qëlluar pranë shtëpisë së tij në në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata në Romë. Në momentin që është qëlluar në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij. Edhe pse ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Gasper Reçi nuk ka mund të shpëtojë, pasi plagët e marra i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reci kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Pesë muaj më vonë, në 6 shtator të 2017, në Belgjikë u ekzekutua 31-vjeçari, Kreshnik Gjini, kushuri i Sajmi Jankut. Ai u qëllua me dy plumba nga dy persona të maskuar dhe të panjohur. E gjithë ngjarja ndodhi para syve të koleges së tij të punës, Liliane.
Kreshnik Gjini punonte kamarier në një lokal në Saint-Denis. Mbrëmjen e së martës, ai mbylli llogaritë e xhiros ditore, kyçi biznesin dhe u largua me kolegen e tij. Këtë të fundit do ta shoqëronte me makinë në shtëpi, pasi nuk kishte mundur të arrinte tramvajin e fundit mbrëmjen e së martës. Të dy shkuan drejt parkingut ku shqiptari kishte makinën. Sapo 31-vjeçari u fut në automjet, aty u shfaqën dy persona të maskuar. Ata e qëlluan me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend.
Sot, rreth 2 vite e gjysmë pas vrasjes së Gjinit është ekzekutuar në qendër të Rrëshenit, Kastriot Reçi. Shkaku kryesor dyshohet hakmarrja megjithatë ngjarja mbetet ende e pa zbardhur deri në identifikimin dhe kapjen e autorëve.