Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Profecia e Dritëro Agollit dhe Shqipëria e dergjur në muzg

Image result for bardhyl berberi

Bardhyl Berberi

 

Kur vinte Dritëro Agolli në Pogradec, në fshatin Tushemisht, pothuajse çdo ditë e pinim bashkë kafen e mëngjesit. Një ditë më tha:

– Aty e ke makinën ta pijmë sot kafen në Ohër.

Dhe ashtu bëmë, shkuam atje dhe më pas ndaluam në Strugë. Qëndruam në një lokal buzë liqenit. Dritëroi qëndroi dhe vështroi për një kohë të gjatë disa lejlekë që futuronin rrotull dhe më pas qëndronin në një pemë të lartë në  breg të liqenit.

Në orët e mbrëmjes u kthyem, pasi i ramë reth e rrotull liqenit të Ohrit. Dritëroi përshëndeste njerëzit e shumtë, të cilët qëndronin dhe i jepnin dorën, sidomos në Strugë që pjesa dërrmuese është me shqiptarë. Të nesërmen më zgjati një poezi të tijën në një bllok të thjeshtë shënimesh. Shkëputëm disa vargje nga kjo poezi e mrekullueshme e Agollit:

Shumë ujë gri/shumë qiej gri/gazeta hapen me tituj gri/gri në dritare,/gri në vetmi/ikën lejlekët në arrati…

Grija nuk është ngjyrë më vete. Ajo përftohet nga përzierja e të zezës me të bardhën, qëndron në mes të tyre dhe në këtë mënyrë i mungon si njërës, ashtu edhe tjetrës. Shqiptarët duke menduar më shumë bardhë e zi e kanë pranuar, janë ambientuar me të, i janë përshtatur. Gjithmonë kanë ecur nën një hije-gri si ajo e fundvjeshtës, e cila herë anon nga e errëta, e herë nga drita. Asnjëherë nuk ka shkëlqyer të marrë ngjyrat e dritës dhe asnjëherë nuk është errësuar të humbasë orientimin.

Ngjajnë shqiptarët në një mug të dendur, të shushatur në lajmet e mëngjesit apo të mbrëmjes nga më sensacionale. U kap kaq drogë, kaq gomone drejt Italisë, nga ky tender u fituan kaq milionë euro, ky koncesion prodhoi kaq miliona, grekët përsëri duan detin, kapet drogë tjetër në Qafë –Thanë etj., arrestohet baroni i drogës, filani ka kaq milionë euro në Qipro, tjetri kaq milionë në Zvicër.

Dhe populli fukara mbetet thjesht një dekor muzgu që vazhdon të ngryset pa arritur pikën e shuarjes nga errësira e natës, ndërsa në të gdhirë, një agim që nuk e ngrohin kurrë rrezet e arta të diellit. Hija e opozitës rri si çadër gjigande duke i prerë rrugën, çdo rreze drite apo përpjekje për progres, sidomos tani që vendi ndodhet para hapjes së negociatave për në Europë.

Disa vezullime të rralla, por shumë të forta, i kanë mjaftuar të mbijetojë në një fundvjeshtë të gjatë me erëra dhe shira të pandërprerë, që kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme. Hija mbetet përherë një gri e zënë. Një horizont i ngushtë e i mbyllur, pa shpresë.  Edhe pse ka njohur agime të mëdha shqiptari pas rënies së diktaturës, përsëri hija gri dhe mugëtira nuk i është ndarë atij. Hija nuk e lëshoi pushtetin e saj duke e ruajtur me fanatizëm si nga dielli, ashtu edhe nga errësira. Edhe në demokraci vazhdojnë të jetojnë në hije gri. Jeta tek ne ka pësuar një inflacion të çuditshëm si ai i lekut. Të gjithë njerëzit duan të ikin, atdheu nuk është më brenda tyre… Drejt një jete dhe kontinenti të ri, virtytet njerëzore po marrin përmasa torturonjëse. Nuk ka asnjë varr që mund t’i mbante madje as i nënës…

Rendin drejt ëndrrës. Dashuria njerëzore bie si një gjethe e vyshkur bulevardeve të huaja nëpër shtete të ndryshme të botës. Po kush mund të besonte te zhgënjimi? Shqiptari rend në kërkim të vetvetes dhe identitetit të humbur… Këtu, atdheu i varfër dhe i pistë, larg tij lajmë pjatat e një atdheu të pastër, kur ndonëse je me shkollë të lartë, mbetesh i huaj mallkueshmërisht papunë kur njerëz të paditur ose gjysmë të ditur me një teserë partie ngjitin shkallët e karrierës duke bërë tenderë dhe marrë koncesione. Ne ëndërruam një realitet tjetër për të flakur varfërinë e tejskajshme të krijonim pasuri, jo jetë, por para jo për t’iu dashur jetës por për të qenë vetë jeta qëllimi i parasë…

Por shqiptari i zgjuar dhe i ditur me halle të shumta mbi supe që nuk arriti të ngopi barkun me bukë bën art dhe fiton festivalin e Sanremos në Itali, bëjnë gola nëpër skuadra të ndryshme të njohura në Europë, gjenerojnë ide dhe fitojnë çmime ndërkombëtare në art dhe muzikë nëpër skena më prestigjioze, shkëlqejnë nëpër vende të huaja herë pas here si një meteor përballë zymtësisë shqiptare.

Grija u përshkua nga nuanca të forta të së blertës dhe u mendua se shumë shpejtë, retë e pranverës do të shpërndaheshin për t’i lënë vendin diellit, i cili pritej si shpëtimtari që do ta fuste edhe Shqipërinë në zonën e vendeve me diell. Por jo, nuancat e blerta, në vend që t’i bashkoheshin dritës së diellit, u shkrinë dhe u bënë një me hijen e reve. I gjithë vendi vazhdon të jetoj njësoj si më parë, në hije, pasi ata që erdhën në pushtet në demokraci të dy partitë opozitare iu kishin dalë liderët që i udhëhoqën nga e njëjta mitër ajo e PPSH…

Erdhi në dimër, pas dimrit më të gjatë e më të egër demokracia atë natë dhjetori, por ngeli në mugëtirë. Trupi jetonte e ecte nëpër gritë e gjata të vjeshtës, Shqipëria dergjet në muzg. Një muzg që shkonte gjithmonë e më shumë nga errësira, drejt shkrirjes së plotë me të. Kështu që agimi që zbardhi pas një tufani me erë të fortë e shira te rrëmbyeshëm, nuk ishte fatlumi për popullin…

Pas gati tre dekada demokraci Shqipëria vazhdon të jetojë nën të njëjtën hije, por tashmë me bashkëudhëtarë të përhershëm, me një opozitë që kurrsesi nuk ngjall shpresë. Një ushtri  gjyqtarësh dhe prokurorë që po largohen me një mal me korrupsion, gjyqësor i kalbur që është bërë virus i gjithë të këqijave këtu te ne. Populli ka një shpresë të vetme se reforma në drejtësi do të na zhveshë nga hija gri, e cila e ka mbështjellë prej dekadash, rrezet e diellit do t’u japin dritë syve për të zbuluar e gjetur më të mirën dhe grija që na ka mbytur të shkojë sëbashku me ata delenxhinjtë në qelitë e ftohta të burgut, të cilët duhet të paguajnë haraçin këtij populli për djersën e grabitur të cilët i kanë pirë gjakun. A mos vallë këto desh të thotë i madhi Dritëro në këtë poezi…

Gri… gjithçka gri është në Shqipëri, një jetë e mërzitshme dhe monotone gri. E gjithë kjo grixho në jetën tonë ndodh vetëm për një arsye të thjeshtë se të paditurit që kanë kapur karriget e mëdha na shesin dituri dhe të pandershmit ndajnë drejtësi…

 

 

 

 

Please follow and like us: