Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: VIT I RI, KOMBI MBI TË GJITHA!

Image result for frank shkreli

Optimistët shprehen në gjuhën e popullit: “Ditë e re nafakë e re”. Po pse të mos themi në fillim të këtij viti edhe “Vit i Ri –Nafakë e re”, ose të pakën një fillim i ri.  Të pakën, të shpresojmë për një vit më të mirë, më me fat për të gjithë shqiptarët kudo e sidomos për bashkatdhetarët tanë në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Anë e mbanë botës, festat e fund vitit janë një stinë shprese e pritëshmërishë për gjëra më të mira në vitin e ri, një rast për bashkimin e familjeve dhe një kohë për të menduar për paqë e përparim dhe për një jetë më të mirë për familjen dhe shoqërinë, ku jetojmë,në përgjithësi. Në shumë vende të botës është traditë që me rastin e fillimvitit të ri, të behen zotime dhe të merren vendime, qoftë nga individë e shoqëri, por edhe nga shtete e qeveri, për t’u përpjekur që në Vitine Ri të hiqet dorë nga veprat dhe sjelljet e dëmshme kundër interesave kombëtare dhe të fillohet një jetë e re, në interes të të mirës së përbashkët.

Viti që kaloi ishte një vit i vështirë për të gjithë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe kjo gjëndje vazhdon edhe në fillim të javës së parë të Vitit të Ri, për arsye që dihen. Kjo gjëndje e nderë nuk vazhdon të jetë e tillë për arsye të ndonjë ndërhyrjeje nga jashtë, por fatkeqësisht, është shkaktuar dhe vazhdon të frymëzohet nga e njëjta klasë politike e mbrendshme, e cila, në kushte normale, ka si përgjëgjësi të parë, sigurinë dhe mirëqenjen e shqiptarëve, që kulminojnë me mbrojtjen e interesave kombëtare, të cilat jo vetëm që nuk po mbrohen aktualisht, por po shkelen brutalisht në gjëndjen e krijuar nga kjo klasë politike, si në Shqipëri ashtu dhe Kosovë. Nga fjalët, aktet dhe sjelljet e papërgjegjshëme aktuale nga individë të kësaj klase politike, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, Interesi Kombëtar, në përgjithësi, rrezikon të pësoj goditje të renda afatgjata, të cilat kollaj, mund të këthejnë mbrapa sukseset e deritanishme historike të Kombit shqiptar, të realizuara me gjak e sakrifica të mëdha gjatë gjithë historisë e sidomos gjatë dekadave të fundit.

Kjo klasë aktuale politike, e cila i ka prurë punët në këtë situatë ku janë sot shqiptarët në dy shtetet e tyre, rezulton se jo vetëm që nuk ka bërë asgjë gjatë këtyre viteve në mbështetje të interesave afatgjata kombëtare dhe as në përmirësimin e jetës së shqiptarëve në përgjithësi por, përkundrazi, me politikat e tyre aktuale vazhdojnë të dëmtojnë interesat kombëtare dhe emrin e mirë që shqiptarët mund të gëzojnë ende, të pakën, në radhët e disa prej miqëve të tyre historikë.

Problemet dihen mirë nga të gjithë dhe nuk ia vlen të radhitën këtu. Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, sondazhe të ndryshme kanë pasqyruar, gjatë viteve, mendimet e shqiptarëve në të dy shtetet, ndaj politikanëve që i udhëheqin ata. Në shumicë dërmuese, populli fajëson klasën dhe partitë e shumta për gjendjen e krijuar politike dhe ekonomike në trojet shqiptare. Në mungesë të besimit ndaj kësaj klase politike, shqiptarët bëjnë atë që mund të bejnë në këtë situatë, duke “votuar me këmbë”, për një të ardhme më të mirë për ta dhe të fëmijve të tyre – marrin rrugën e kurbetit! E gjithë kjo shkon në interesin e vendeve fqinje dhe miqëve të tyre historikë, të cilët, pa marrë parsyshë se çfarë mund të mendojë ndonjë udhëheqës shqiptar, ata nuk ia duan të mirën shqiptarëve, as sot, as dje as nesër!  Shqiptarët janë të detyruar të jetojnë me ta në rajon, pasi nuk ka rrugëdalje tjetër – pasi kemi dreqin kojshi – por ama nuk duhet që të shesim interesat kombëtare për hir të një miqësie të imagjinueshme dhe të rrejëshme. Qëllimi i këtyre qarqeve anti-shqiptare është që – ndërsa ndjekin realizimin e interesave të tyre rajonale, njëkohësisht t’i shkaktohet dëmi maksimal emrit të mirë të Kombit shqiptar në Evropë dhe në botë.

Unë e kam thënë se, megjithë manovrat e fqinjëve jo dashamirës, në dëm të interesave shqiptare, besoj se është në dorë të vet shqiptarëve që shekulli XXI të jetë shekulli i Kombit shqiptar. Viti i Ri 2020 duhet që — pa vonesë — të jetë fillimi i kësaj ndërmarrjeje madhore mbarë kombëtare, në mbrojtje të interesave të Kombit, para se të bëhet vonë. Vit i Ri –Nafakë e Re! Le te shpresojme që fillimi i Vitit të Ri të shërbejë si një rast i mirë për politikanët dhe partitë politike në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan dhe, njëherazi, të jetë edhe një këthesë historike. Që ata të përqendrohen e të tregojnë kurajo, jo për konflikte, mosmarrveshje, mburrje e pontifikime midis tyre, siç e kanë zakon, në mbështetje të interesave thjeshtë personale e partiake, por mbi të gjitha të lidhin besa-besën me njëri tjetrin dhe ndaj interesave madhore të Kombit shqiptar, duke çuar përpara kështu idenë e pajtimit të pikëpamjeve të ndryshme politike për mbrojtjen e interesave të Kombit. Ky angazhim, nga klasa aktuale politike në Tiranë dhe në Prishtinë në fillim të këtij Viti të ri, është gur-themeli për një të ardhme më të ndritur që do të çojë Kombin shqiptar drejtë integrimit të plotë e përfundimtar me botën perëndimore euro-atlantike dhe do ta çojë atë drejt realizimit të objektivave historike kombëtare, të brendshme dhe të jashtme, për të cilat shqiptarët kanë pritur aq gjatë. Ky është urimi dhe dëshira ime për këtë Vit të Ri, 2020 për Kombin Shqiptar, që për çdo gjë që bën kjo klasë politike të konsiderojë se interesat e Kombit duhet të jenë mbi të gjitha!/gazeta dielli/

Please follow and like us: