Albspirit

Media/News/Publishing

Endri Shabani: Histori me hajdutët politikë…

Image result for sherr ne kuvend

Në vitin 1996 ne na vodhën shtëpinë.

Ka qenë një eksperiencë e frikshme, pasi hajdutët na patën hyrë në shtëpi, ndërkohë që ne ishim duke fjetur.

Atë mëngjes e kaluam duke mbledhur veten dhe duke hamendësuar se kush mund ta kishte bërë.

Mirëpo babai im nuk humbi shumë kohë me gjëegjëza. U çua, shkoi në Polici dhe bëri denoncimin. Pastaj, menjëherë erdhi dhe analizoi pikat e dobëta të sigurisë në shtëpi.

Kuptuam se hajdutët kishin shfrytëzuar faktin që dritaret ishin të vjetra. Kështu që kishin çmontuar kasën nga jashtë, kishin hequr xhamin dhe kishin hyrë brenda. Pastaj, kishin hapur derën, e cila kishte vetëm një shul të lodhur dhe nga aty kishin nxjerrë të gjitha sendet e vjedhura.

Menjëherë babai porositi kangjella për dritaret, dritare duralumini dhe një derë të blinduar me elementë shtesë sigurie, si dhe një sistem alarmi.

Që prej asaj dite nuk kemi patur më kurrë probleme.

Sa herë më kujtohet ai moment, kuptoj se çfarë bëri babai për shtëpinë tonë:

Ai nuk i vari shpresat tek vullneti i hajdutëve. Ai nuk humbi kohë me muhabete të tipit: “jo po na vodhi ky, jo po na vodhi ai” (këtë punë ia la policisë). Ai nuk shpresoi se hajdutët nuk do vinin më.

Jo, babai ndërtoi një sistem sigurie që ua bënte hajdutëve të pamundur vjedhjen. Kjo e bëri shtëpinë tonë të sigurtë, pavarësisht se vërdallë vazhdonte të kishte hajdutë.

Në një farë mënyrë, kjo është ajo që po bëjmë me ‘Nismën’ që kemi ndërmarrë për shtëpinë tonë të përbashkët, e cila ka 30 vite që vidhet sistematikisht…

Ne po kërkojmë një model tjetër zgjedhor që nuk i lejon kryetarët e partive të na çmontojnë kasat e dritares.

Po përpiqemi të ndërtojmë disa mekanizma mbrojtëse që t’i pengojmë kriminelët të futen me dhunë nga dritarja.

Dhe po kërkojmë instalimin e një sistemi alarmi që na lajmëron sapo afrohet një hajdut, në mënyrë që të marrim masat në kohë dhe të mos e lëmë të hyjë brenda…

Please follow and like us: