Ligji për mediat online, OSBE e gatshme të punojë me autoritetet shqiptare
Zyra e OSBE-së për shtypin e bëri këtë deklaratë pas marrjes së dokumentave shpjeguese nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta për arsye të mosdekretimit të ligjit për shtypin në Shqipëri. “Përfaqësuesi i medias përsërit se asnjë pjesë e legjislacionit të ri nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Ai shpreson se rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e zyrës së OSBE-së për lirinë e medias.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në parlament ndryshimet në dy ligje “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”. Sa i takon ligjit të parë, Presidenti Meta vlerëson se ai bie në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit.
Ndërsa lidhur me ndryshimet në ligjin “Për komunikimet elektronike” Presidenti Meta shprehu shqetësim për fuqinë e tepërt ndëshkimore që merr AKEP ndaj mediave. Qeveria e Shqipërisë dhe shumica socialiste në parlament kanë këmbëngulur se paketa anti-shpifje ka mbështetjen e plotë të OSBE-së. /Voa/