RRËFIMI I HELENA KADARESË PËR VITET NËNTËDHJETË NË SHQIPËRI
Natën e Krishtlindjeve ishim ftuar te Lic Barnier dhe Liri Begeja regjisorja e versionit francez të “Prillit të thyer”, por kaq shumë ishim të hutuar pas lajmeve rumune, saqë mbërritëm tek ata me një vonesë skandaloze.
Në shënimet e tij të botuara, kur ka qenë fjala për përjetimet e vitit 1990, Is nuk e ka përmendur asnjëherë këtë takim. Ashtu siç nuk ka përmendur njerëzit që ka liruar nga burgu ose internimi, ose jehonën e intervistës ku, duke kërkuar vendosjen e bustit të Gjon Buzukut, përpara Akademisë së Shkencave, kërkonte praktikisht heqjen e bustit të Stalinit, që ndodhej pikërisht te hyrja e Akademisë.
Arsyeja e mospërmendjes së këtyre fakteve, ishte trysnia që u bë e zakonshme në Shqipëri fill pas rënies së komunizmit… po të flisje për gjëra të tilla, me dhjetëra njerëz të hidheshin në fyt: pse i përmend këto? Mos do të hiqesh si hero?
Trysnia bëhej sidomos nga njerëz që duke mos bërë asgjë për të ndihmuar sadopak zhvillimin e ngjarjeve nuk donin të përmendeshin shembujt që tregonin të kundërtën.
Ndoshta as unë nuk do ta përmendja ardhjen e të dërguarit të të rinjve antistalinistë shkodrane te ne, sikur Ardian Ndreca, kryeredaktor i tanishëm i ‘Hyllit të Dritës’, të mos e përmendte atë vite me pas, në një forum në Tiranë, bashkë me falënderimin publik ndaj Is.
Gjatë asaj periudhe, Is pati dy takime me presidentin e vendit, Ramiz Alinë. Të dyja herët vinte me shpresë, pastaj, pas disa ditësh bëhej nervoz. Loja hiporkite e regjimit sa vinte e bëhej më e qartë. Reformat ekonomike vazhdonin me pikatore, ai vendimi për lejimin e mbajtjes së dy qengjave, që, siç më tha Is ishte hartuar me rreth njëzet e dy faqe. E po kështu, lejimin e një lope. E po kështu, për lejimin e ca pulave e ca gjelave… Qesharake! Is thoshte se kjo punë ngjante njëlloj sikur të nxirreshin vendime për ajrosjen e shtëpive, apo orarin e fjetjes, sipas qejfit të secilit. Më e rënda nga këto ishte terrori politik, që ushtrohej po aq i egër sa më parë. Në kufi bëheshin vrasje, në burgje torturat vazhdonin…