Albspirit

Media/News/Publishing

Ledi Shamku: MBI LIBRIN “RREZIKU SHQIPO-SHQEPAN PËR SHQIPEN”

Image result for fjalori i shqipes se sotme

“Shqipja që u rrezikoka nga shkurtimet e adoleshentëve në celular apo se nxënësit mezi shquakan paraprapashtesat” ishte konstatim i llojit “a të qaj pesë minuta”.

Gulçi për Ligjin e Mbrojtjes së Gjuhës është shenjë e qartë se mund ta nxjerrësh dikë nga bunkeri po nuk e nxjerr dot bunkerin prej tij.

Shqipja rrezikon, po!

1. Rrezikon NUMERIKISHT! Kemi po aq nxënës jashtë vendit sa kemi brenda vendit. Dhe ata janë gjuhëhumbur nëse këtë punë e lemë veç në dorë të përpjekjeve vullnetare dashamira të emigrantëve patriotë. Jemi komb gjuhësor; quhet shqiptar veç ai që flet shqip. Mbi 500 mijë fëmijë emigrantë bij shqiptarësh po përgatiten ta humbin Shqipen.
Ligji i Bunkerit si ndihmon këtu apo ç’nemelazëm se kemi hallin e ë-ve?!

2. Rrezikon SHKENCËRISHT çintegrimin! Numërojmë nga e kaluara Bopp, Meyer, Jokl, Cimohowski, Pedersen, Hahn, Hamp, Pisani, Tagliavini, Desnickaja etj etj etj. Shqipja kishte zë, ishte shkencërisht e ndërkombëtarisht interesante për të huajt. “Studiohem pra jam”! Gazulli, Mjeda, Çabej, Domi etj etj etj, mundën ta mbanin Shqipen para syve të Studimeve Gjuhësore Europiane: fenomenologjitë e saj studioheshin si pjesë e hartës së madhe të gjuhëve. Sot është rrasur në një cep e rri e sheh veten në pasqyrë. Si ndihmon Ligji i Bunkerit këtu apo ç’nemelazëm se kemi hallin e ç-ve!

3. Rrezikon të kuptohet si BEZDI ngaqë këto programe shkollore (madje edhe ankimet e ligjmëtonjësve) po e barazojnë dijen mbi gjuhën me dijen mbi rregullat e gjuhës dhe analizat gjuhësore. Rregulla pa Kulturë bëjnë më shumë dëm se Kultura pa rregulla. Ligji i Bunkerit si e kundërshton bezdinë e si e avit Kulturën, apo ç’nemelazëm se kemi hallin e shkurtimeve nëpër whatsappe!

4. Rrezikon TËHUAJZIMIN E DIGLOSISË duke e parë Shqipen e letrës si mjet sa për të mbaruar punë shpejt e shpejt në një komunikim formal e për ta zhveshur fill siç zbathim nga këmba një palë taka të parehatshme, mbathur sa për një qokë. Ligji i Bunkerit mendon se zgjidhet me shkop ky hall, apo prit se kemi hallin e ca deputetëve!

5. Dhe e fundit: SHQIPJA RREZIKON TË MOS KETË MË GJUHËTARËT E SAJ. Në një mjedis agresiv e të bazuar të gjithin mbi vlerat e qyrkut e të ekranit sikundër është sot mjedisi shqiptar, profesioni i brishtë e gati murgor i gjuhëtarit, që mbahet gjallë veç prej pasionit e dyshimit, ky profesion shihet si punë qyqarësh. Besojeni a jo, gjuhëtarët te ne po firojnë.
Ligji i Bunkerit si jep dorë këtu?

NJËMIJË JETË TË KISHA, NË NJËMIJË JETËT DO ISHA GJUHËTARE. Gjuhëtare, jo xhandare!

Please follow and like us: