Xhoi Jakaj: Nevoja për shkolla riedukimi për të rinj dhe adoleshentë
U mbushën burgjet plot e përplot
Ca me të drejtë e ca kot më kot.
Shto dhe faktin që nuk ka gjykata sepse janë gjyqtarët në veting, e një dosje qëndron vite të tëra pa i ardhur rradha për gjykim.
1- A e dini që një i dënuar i kushton shumë shtetit dhe vendit?
2- A e dini që për metër katror një i dënuar ka një hapsirë të caktuar që duhet respektuar sipas te drejtave të njeriut edhe pse ai/ ajo janë në shkelje të ligjit?
3- A e dini sa të mitur, adoleshentë dhe të rinj ka në burgje?
Duhet të hapen shkolla riedukimi për të rinj dhe adoleshentë që abuzojnë me lëndët narkotike dhe kanë tendenca të kthehen në hajdutë dhe vrasës, ndryshe ky vend pas 5 vitesh do kthehet në problem të madh social dhe do mbushet me kriminelë serialë.
Një nga problemet me të cilat përballet shoqëria, jo vetëm shqiptare, por edhe ajo globale janë mënyrat me të cilat ne përballemi me njerëzit devijantë, pra me njerëzit që kanë sjellje ndryshe, siç është rasti edhe i adoleshentëve e të rinjve të dhunshëm.
Në vendin tonë mungojnë shkollat e riedukimit dhe mënyra e vetme që të rinjtë e adoleshentët të vuajnë dënimin e tyre është burgu.
Si një për drejtueseve të një IEVP që shikoja shumë të rinj në burg, ku jo në pak raste të denoncuar edhe nga familjet e tyre për shkak të dhunës sistematike që i riu ose e reja ushtronte, e jeta e tyre familjare kthehej në makth, detyroheshin t’i denonconin fëmijët e tyre me shpresë se një ditë do përmirësoheshin e do ndryshonin sjellje me prindërit. Por, a ndodh përmirësimi? Aspak, përkundrazi bëhen më keq dhe jeta tyre merr kah krejt tjetër.
Jam përballur disa herë me prindër që denonconin fëmijët e tyre, sepse nuk ka shteti një shkollë riedukimi që këta të rinj problematikë t’i drejtojnë në këto dyer për t’u riedukuar dhe rehabilituar. Institucionet shtetërore përgjegjëse për edukimin social në këtë vend të formojnë dhe rregullojnë me ligj shkolla riedukimi.
Dua t’i bëj një thirrje shtetit shqiptar për nevojën e këtyre shkollave të riedukimit, sepse ka mësues pafund në pritje të një punësimi dhe ata do jenë shumë të dobishëm, nëse këto kapacitete shfrytëzohen në dobi të kësaj kategorie. Një i ri, një adoleshent që prek dyert e një burgu nuk rehabilitohet, por ndryshon përgjithnjë jeta e tij dhe nuk ka asnjë shans të integrohet në shoqëri pas traumës që përjeton në dyert e një burgu dhe kur del nga ato dyer në shoqëri, nuk i ofrohet asgjë. As punë, as jetë të rregullt dhe përsëri kthehet në recidivist. Përkundrazi, shpesh vetë elementet që janë shokët e tij të dhomës e ditës gjatë vuajtjes së dënimit e orientojnë të kthehet në vrasës me pagesë, apo hajdut i rëndomtë rruge ose profesionist për mbijetesë. Ka psikologë pa fund, të cilët kanë të mbaruar shkollat që kapacitet e tyre sociale e psikologjike të përdoren për të rehabilituar këta të rinj, që për njëmijë e një arsye në këtë vend prekin dyert e një burgu dhe e kalojnë ditën në shoqëri të të rriturve, që kanë shumë eksperiencë negative për të ua induktuar lehtë të keqen. Sa nuk është vonë, shpëtoni të rinjtë shqiptarë, por kjo rregullohet vetëm me politika social-psikologjike të mirëmenaxhuara nga shteti, duke ngritur shkollat e riedukimit.
Po ju rrëfej një histori të dhimbshme si një drejtuese burgu.
Në vitin e parë të punës sime më vinin shumë letra nga të dënuarat. Isha e ndjeshme kryesisht ndaj letrave të shkruara nga të rejat, (unë njihem si një njeri me prirje të theksuara për të zgjidhur problemet e mëdha sociale, për shkak të punës që kisha bërë në vite si mësuese gjimnazesh dhe pedagoge universiteti me adoleshentë e të rinj). Në këndvështrimin tim këto kategori ishin të pambrojtura, shpesh nga jeta që bënin, varfëria në familje dhe pamundësia për shkollim më tepër se 9-vjeçarja e detyrueshme nga shteti dhe burgu për ta ishte destinacion i dhimbshëm në shumë pikëpamje.
Një nga letrat e javës që shqyrtova në grup ishte e një vajze të re 21-vjeçare, që më rrëfeu se mamaja e saj e ka denoncuar dhe e ka futur në burg vetëm për ta ndarë nga i dashuri. Më impresionoi si histori dhe mblodha sektorin e edukimit, të shëndetësisë dhe sektorin e policisë që të zbulonim të vërtetën në grup, pasi punët e dobishme në atë institucion funksiononin mirë nëse realizoheshin bashkërisht dhe duke u konsultuar me psikologen që ndjek rastin, me mjeken për të parë problemet e shëndetit mendor dhe shefen e policisë për të kuptuar më thellë a paraqet rrezik për sigurinë e personave të dhomës ose të grupit ku ajo kryen aktivitetin ditor. Vajza me inicialet A.K. ishte pa probleme të theksuara dhe ndodhej në paraburgim, shpesh mbytej në lot dhe nuk e pranonte që të ketë abuzuar me të ëmën. Ishte vajzë me sedër dhe në konkluzionet që arritëm, ishte e rritur me vështirësi pasi i mungonte babai dhe punonte vetëm nëna. Kjo gjatë kohës që e ëma ishte në punë kishte braktisur shkollën dhe ndodhej në shoqëri problematike, që po e orientonte drejt rrugës së drogës e prostitucionit. Kërkuam takim me mamanë e saj dhe arritëm pas disa përpjekjesh 6-mujore që të bindnim nënën e vajzës me emrin A. të tërhiqte denoncimin dhe të pajtohej më të bijën. Arsyeja që ngrite nëna e A-së ishte dhuna që ushtronte vajza e saj në familje, sepse shoqërohej me një djalë narkoman dhe ai e detyronte në mënyre sistematike t’i merrte para nënës së saj me apo pa pahir. Pas shumë e shumë takimesh të lodhshme, stresuese dhe problematike që bëme në grup me nënë e bijë, arritëm të bëjmë paqe mes tyre dhe ditën që i vinte e ëma në takim, ajo herë ishte e lumtur, herë e ngarkuar emocionalisht dhe grindej me mamanë e saj.
Ditën që ajo fitoi lirinë më premtoi se do i rikthehej shkollës dhe jetës normale, e bëri apo jo, ne si institucion nuk e kishim për detyrë, por as mundësi financiare që ta ndiqnim rastin edhe jashtë dyerve të burgut, e për pasojë na rrëmbenin histori të tjera me po aq dhimbje e dramë. Ndaj, për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjeve dhe të rinjve me probleme, detyrimisht duhen hapur shkolla riedukimi, që rasti nga fillimi deri në fund të përmirësohet e të zgjidhet në rrugë shtetërore përmes riedukimit dhe rehabilitimit, pikë e dobët e sistemit dhe e parregulluar akoma me ligj.
Shpresoj…