Pse po e sulmojnë Veliajn mediat e Irfan Hysenbelliut dhe Ylli Ndroqit?
Erion Veliaj i akuzuar pafundësisht si i përkëdheluri i mediave që i bënin fresk, ka humbur përkohësisht përkrahjen e së paku dy prej tyre. Televizioni Informativ Nevs 24 i është bashkëngjitur një fushate më të gjatë që Ora News ka filluar kundër kryebashkiakut. Në një kronikë të fundit TV me pronar Irfan Hysenbelliun ka vënë theksin tek udhëtimet e shpeshta që bën jashtë shtetit Veliaj, ndërkohë që në Tiranë transmetohen lajme sikur ai, atë ditë është në krye të punëve (Lexo ketu).
Ajo që bën përshtypje është kthesa e beftë e këtij televizioni, i cili edhe vetë nuk ka rreshtur së transmetuari kronika të tilla të gatshme, madje edhe duke mos transmetuar fare hulumtime investigative se si Erion Veliaj mashtronte me kronikat.
Edhe më surprizues është qëndrimi që po mban Ora Nevs. Prej një kohe të gjatë ekrani i Ylli Ndroqit, nuk i ka rreshtur sulmet, madje ka njoftuar kontraktimin e një firmë daneze e cila do të sjellë në Shqipëri një pajisje smart, me emrin Dynatest, që kontrollon cilësinë e rrugëve. Në kronikat e Orës është lajmëruar kjo nismë e televizonit duke sqaruar se qëllimi është kontrolli i të gjitha rrugëve të Tiranës, me qëllim identifikimin e cilësisë dhe shkeljeve të mundshme nga ndërtuesit dhe institucionet.
Natyrisht kthesa të tillë të forta në qëndrimet editoriale nuk janë surprizë e madhe për publikun që është mësuar me to. Ato shpesh nuk bëhen me qëllime informimi, por sepse interesat okulte të palëve bien në kontradiktë me njëra tjetrën.
Aq me tepër që kryebashkiaku është një njeri që ka demonstruar publikisht se shpërndan favore në këmbim të interesave të tij politike ashtu sikurse bëri në rastin flagrant të përçarjes të artistëve të teatrit disa prej të cilëve i rekrutoi në mënyrë të paskrupullt.
Nuk dihet nëse kjo ka ndodhur dhe mes Veliajt dhe Irfan Hysenbelliut apo Ylli Ndroqit, por se sa e vërtetë është kjo do të kuptohet nga vijimësia e sensit kritik të ekraneve të tyre./lapsi.al/