Xhoi Jakaj: Mirëmëngjes Shqipëri, vendi më i bukur në botë!
Por duke menduar për veten e për Shqiperinë mos u nisni nga shprehjet e Faik Konica ‘që nuk jetoj në Shqiperi’ e as nga shprehjet e një vajze me emrin Silvana që në një moment të jetês së saj do të largohet, po na lë shëndenë me shprehjen “Mirupafshim Shqipëri” se nuk është dakort me çfarë ndodh në vendin e saj.
Çudia nuk është te Silvana se punë e madhe po iku ajo dhe la vendin për një jetë më të mirë sipas formës së asaj, por te lemeria që zuri gjithë dynjanë nga shkrimi i saj që e bënë share, por shtojnë edhe ca të shara paraprakisht për Shqipërinë e tyre.
A nuk do ishte më mirë secili prej nesh të vë një tullë aty në llogoren e tij, ore fundja të tentojmë sado pak të bëhemi europianë, të mos bëjmë lëmsh trafikun, të mos hedhim plehrat vend e pa vend, të punojmë e të respektojmë oraret e punës, të rrisim kulturën individuale…
Ose a nuk do ishte më mirë nëse…
- Studentët t’i përkushtohen më tepër mësimnxënies,
- Pedagogët më shumë mësimdhënies,
- Mjekët, shëndetit të pacientit,
- Arkitektet, inxhinierët dhe ndërtuesit e projekteve të mos u shemben ndërtesat e projektuar prej tyre,
- Policët, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, t’i shërbejnë qytetarit e vendit,
- Burrat, më shumë gruas dhe fëmijëve e të mos i lënë rrogat në pijetore,
- Gratë të sillen si nëna të përgjegjshme e të mos pijnë cigare në sy të fëmijëve,
- Intelektualët të protestojnë ndonjëherë e të tregojnë se lufta për vendin tënd ia vlen në çdo kohë e moshë edhe kur punët e tua i ke në terezi,
- Politikanët të bëjnë politikë të ndershme dhe nëse ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, sepse është “sfidë e madhe për ata” populli t’i ndëshkojë me votë e protestë të gjithfarllojshme dhe të mos bëj kompromis me votën e tij në asnjë rrethanë sepse kostot nese voton një idiot, një injorant, të paditur që ngroh karrigen e parlamentit pa sherbyer për asgjë ose nje të inkriminuar që punon për të mbrojtur dhe trashëguar veprat e tij kriminale ndër vite, do i paguash shtrejtë po ti që guxove dhe e votove, por dhe durove pafund më padrejtësitë në kurrizin tënd.
- Ore një pyetje kam: Kur të gjithë po ikërkan, pse ka kaq shumë trafik në Tiranë?
Mirupafshim të gjithë ju që doni të ikni e rruga e mbarë…
Dhe bravo ju që doni të rrini në Shqipërinë tonë të bukur, me diell, det, dritë, me halle pa halle, me përpjekje maksimale për të ndërtuar jeten dhe rritur fëmijët në këtë vend.
Nëse politika luan si i do qejfi prej 30 vitesh ne e lejuam sepse ose ikim, ose heshtim, ose shkruajmë në rrjetet sociale, por kurre nuk protestojmë si duhet, e t’i vemë me shpatulla pas muri ata që nuk punojnë ndershëm për votuesin e tij dhe vendin.
Mirëmëngjes Shqipëri… për mua vendi më i bukur në botë.