Albspirit

Media/News/Publishing

Anila Kalleshi: Trashëgimia e Hipokratit

Image may contain: 1 person, standing and indoor

Anila Kalleshi

 

Para Hipokratit nuk ka ekzistuar shkenca e mjekësisë. Besohej se sëmundjet ishin dënim nga Zoti dhe se “mrekullia” nuk vinte nga faktorë natyrorë, por mbinatyrorë. “Shërimi” vinte vetëm nga mbinatyrorja me anë të magjisë, besëtytnisë apo ritualeve fetare. Hipokrati u ndesh drejtpërdrejt me këtë pikëpamje, duke treguar vetëbesim të habitshëm për kohën në të cilën jetonte. Në këtë përballje të racionales me irracionalen, mjekësia nisi epokën e arsyes. “Ka dy gjëra, – thoshte Hipokrati nga ishulli Kos, – dija dhe besimi. Nga e para rrjedh dija, nga e dyta padija”.

Teoria e humoreve
Hipokrati e shihte trupin si një tërësi, kurse thelbin e shëndetit e mbështeste te baraspesha brenda kësaj tërësie. Ai besonte se këtë baraspeshë e siguronin katër “humore”, që ishin: gjaku, mukoza, tëmbli i zi dhe ai i verdhë. Kur ato gjenden në trup në sasi të barabarta, atëherë trupi është i shëndetshëm. Ndërsa, kur njëri prej tyre gjendet me shumicë, atëherë zhvillohet sëmundja. Për të rivendosur baraspeshën, duhen ndërmarrë veprimtari ose duhen konsumuar ushqime, të cilat nxitin ”humoret” e tjera, duke u përpjekur që, në të njëjtën kohë, të frenohen ato që mbizotërojnë. Kjo bën që trupi të shërohet.

Edhe pse kjo teori, krahasuar me standardet e sotme mjekësore, mund të na duket joshkencore, vetë fakti që Hipokrati e ka përshkruar aq natyrshëm, tregon se zgjidhja ”tokësore” ka qenë një përparim madhor. Për më tepër ideja e “humoreve” dhe ndikimi i tyre në trupin e njeriut ka mbijetuar për dy mijë vjet, deri në shekullin e shtatëmbëdhjetë, e në disa aspekte edhe deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Përveç kësaj, mënyrat që ka përshkruar ai për një jetë të shëndetshme, si dieta dhe ushtrimet trupore, edhe sot, dy mijë vjet pas Hipokratit, trajtohen si ”ilaçe të mira”. Gjithashtu edhe sot përmenden faktet që solli Hipokrati lidhur me temperamentet: te grekët personi me sasi më të madhe të lëngut të zi tëmblor (biliar) ishte melankolik, kurse personi ku mbizotëronte flegma apo mukoza ishte flegmatik.

Përballja me mend në kokë

Për Hipokratin sëmundja dhe shërimi i saj ishin tërësisht tokësore. Ai nuk u bazua te besëtytninë, por u drejtua kah natyra, nga ku frymëzohej duke vështruar, duke regjistruar dhe duke analizuar simptomat dhe ecurinë e sëmundjes. Prognoza e sëmundjes (parashikimi i ecurisë së një sëmundjeje sipas disa të dhënave) ishte pika kryesore ku duhej të mbështetej mjekësia, sipas Hipokratit, në mënyrë që në të ardhmen të shmangeshin rrethanat të cilat, në përgjithësi, shkaktonin sëmundjen.

Përdorimi i barnave apo i kurave shëruese nuk është edhe aq i rëndësishëm. “Ajo që vjen nga natyra, – thoshte Hipokrati, – duhet të shërohet nga natyra; prandaj pushimi, ushqimi i shëndetshëm, ushtrimet trupore, higjiena dhe ajri i pastër janë barnat më të mira për shërimin dhe mbrojtjen nga sëmundjet. Shëtitja është ilaçi më e mirë për njeriun”.

Këshillat që jepte Hipokrati edhe sot, pas dy mijë vjetësh, janë “mjekësia e mirë”

Të dhëna të hamendësuara

Për Hipokratin nuk dihet thuajse asgjë, përveçse ka lindur në ishullin Kos, me siguri diku nga mesi i shekullit të pestë p.e.s. Si në rastin e Anaksimandrit, ato pak të dhëna që dihen, janë aq të pabesueshme, saqë nuk ia vlen të përmenden.

Shumë prej rezultateve të punës së Hipokratit përfshihen në Përmbledhjen e Hipokratit, një seri me gjashtëdhjetë deri në shtatëdhjetë tekste mjekësore, të shkruara në fund të shekullit të pestë dhe në fillim të shekullit të katërt p.e.s. Pranohet gjerësisht se ai nuk mund t’i ketë shkruar i vetëm të gjitha ato vepra, prandaj nuk mund të thuhet se të dhënat për jetën dhe veprën e tij janë të sakta.

Këto vepra janë shkruar gjatë një periudhe njëqindvjeçare dhe kanë stile të ndryshme shkrimi dhe argumentimi. Prandaj mendohet se ato ose kanë ardhur nga biblioteka e shkollës mjekësore të Kosës, ose i ka grumbulluar një autor, të cilit i janë caktuar më vonë.

Hipokrati, të cilin Aristoteli e quan “mjeku i madh”, sot njihet si “babai i mjekësisë”. Edhe pse të dhënat që kemi për jetën e tij janë të pasigurta, Hipokrati është pa dyshim ai që ka kontribuar në vendosjen e themeleve të shkencës së mjekësisë dhe ka ndikuar në zhvillimin e saj, edhe në ditët e sotme.

Please follow and like us: