Ndue Ukaj: Vlerat perëndimore s’mund të na i marrë peng qoftë një president, qoftë një kryeministër!
Vetë fakti se ka ardhë puna që në Parlamentin e Kosovës të diskutohet për raportet tona me Amerikën dhe atë më frikë, tregon se ç’ rrugë pa krye ka marrë vendi ynë dhe sa është betonuar marrëzia politike ndër ne. Sepse, gjuha si mjet komunikimi – sidomos gjuha publike – dihet se është më e rrezikshme se një mijë ushtri.
Sot – një tufë injorantësh mendjemëdhenj e të pazotë për t’i kuptuar dhe gjykuar raportet ndërkombëtare, po sillen kryeneçë dhe po luajnë me të ardhmen e Kosovës.
Gjuha kundër Europës dhe Amerikës, që bëhet herë nga presidenti e herë nga kryeministri dhe shpura e tij, në një tokë të pëlleshme, në të cilën me shekuj është luftuar perëndimi, mund të bëhet cunam shkatërrues për ne.
Njerëz, dijeni: Europa dhe Amerika mund të kenë dallime politike, por ato i bashkon kultura dhe vlerat e përbashkëta.
Ne si komb – për shumë shekuj kemi jetuar jashtë perëndimit, nën despoti orientale, të shtypur e të varfër. Dhe me ndihmën e perëndimit, jemi çliruar, kemi fituar liri dhe i kemi hapur dyert e dritaret që të ajrosmi me vlerat perëndimore.
Kjo gjuhë rrezikon t’i mbyllë këto dyer e dritare.