Provohet denoncimi i mjekut të pambrojtur Allkja/Shtohet numri i mjekëve të prekur, Senatoriumi kthehet në spital COVID
Përgjegjësja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Dr. Silva Bino tha se nga të prekurit me koronavirus të konstatuar 24 orët e fundit, 2 janë nga personeli mjekësor i Spitalit “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë.
“Pas hetimit të hollësishëm epidemiologjik në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 2 raste personel shëndetësor që kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar”, deklaroi Bino.
Ajo njoftoi gjithashtu se sipas skenarit, pas spitalit Infektiv, spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID-19.
“Spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID, sipas skenarëve, për të lehtësuar edhe fluksin në spitalin Infetiv dhe Ministria e Shëndetësisë po merr masa për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar stafet mjekësore në terren”.
Sa i përket testimeve Bino tha se ato po i bëhen personave të dyshuar dhe bëri përsëri apel që njerëzit të mos dalin nga shtëpitë dhe për cdo shqetësim të telefonojnë 127.
“Në lidhje me testimet, dua të them që të gjitha rastet e testuara kanë qenë raste të dyshuara. Ne po përpiqemi të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Këtu po përqëndrohet puna e të gjithë shërbimit në këto momente. Ju lutemi mos shkoni menjëherë në spital! Telefononi 127 kur keni shenja të sëmundjes! Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi”, shtoi Dr. Bino.