Helena Kadare rrëfehet te Eriona Rusi për ditët e karantinës në Paris
Helena Kadare ka rrëfyer ditët e saj të karantinës në kryeqytetin francez, në Paris. Me gjuhën e një shkrimtareje të mirënjohur, bashkëshortja e shkrimtarit gjenial Ismail Kadare shprehu edhe mirënjohjen për punën vetëmohuese të ekipit të mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Infektivit.
“Sapo të kem mundësi, dua të shkoj e t’i përulem atyre grave, mes të cilave pashë një heroizëm që nuk e gjen gjëkundi. Dëgjova dhe pashë që shefja e “Infektivit” Najada Çomo, rrinte 20 orë në spital pa pushim, me një përkushtim të admirueshëm. Përshëndes ekipin e bluzave të bardha dhe kryesisht gratë, sepse gratë shqiptare janë kurdoherë më të përkushtuarat që kam njohur në jetën time”.
Në lidhje Skype për emisionin ‘Hipokrati’, Helena tregoi se si po kalon ditët në Paris, me masa të rrepta nga periudha e pandemisë si dhe pamundësinë për të shijuar rrugicat dhe lagjet e bukura të Parisit. Po ashtu mungesën që ndjen për nipërit e saj.
“Kemi respektuar me rigorozitet rregullat, por në këto 4 ditët e fundit kam dale nga pak. Notre Dame ishte tjetërsuar, uji i turbullt i lumit Sena ishte kthyer në një blu të mrekullueshme, një bukuri e jashtëzakonshme që të bënte të mendoheshe ‘ku fshihet ky virus’.
Në fund, ajo përcolli edhe një mesazh për shqiptarët:
“Kam dëgjuar që qytetarët i kanë respektuar rregullat aty, por ka pasur edhe nga ata të disi të papërgjegjshëm. Dëgjova një zonjë e cila thoshte ‘nuk kam frikë’, por kjo nuk është punë frike, duhet të mendojmë për të tjerët, të mos bëhemi rrezik për njerëzit e dashur”.
Intervista për Top Channel