Këndvështrime lidershipi nga Iris Halili
Iris Halili
Pjesa e parë
- Gjithkush ka lindur lider, por jo çdokush mund të jetë një lider i mirë!
Tek mendojmë për një lider, shpesh na vjen imazhi i një presidenti a kryeministri, një politikani, gjenerali apo CEO. Në fakt ata janë lider për nga profesioni, por kjo nuk do të thotë se vetëm ata drejtojnë. Gjithkush nga ne çdo ditë drejton, këtë e bën pa kuptuar e më së shumti në formë rituale. Çdo individ për aq kohë sa jeton edhe drejton!
Një nënë tek ngrihet çdo mëngjes dhe fillon të rregullojë punët e ditës, si të ushqejë, të shëtisë apo mjekojë fëmijët e saj, ajo pa kuptuar drejton; ajo udhëheq veprimtarinë e fëmijëve të saj të vegjël, çdo minutë të ditës së tyre dhe natyrshëm ajo kështu drejton fëmijërinë e tyre, duke krijuar çdo çast personalitetin e tyre. Drejtuesja e parë e njerëzimit ka qenë nëna me “profesionin” e saj të mëmësisë. Ajo mbetet lideri parësor që çdo ditë krijon në fakt bërthamën e karakterit familjar, shoqëror e botëror!
Lidershipi është instinkt i lindur i gjenit njerëzor, pak rëndësi ka seksi apo profesioni, mosha apo kombësia. Tek kërkojmë shërbimin e një kafeje në bar apo të një taksie ne as që na shkon në mendje se edhe kamerieri apo shoferi i taksisë janë në pozicion lideri. Por në fakt ata janë. Le të përfytyrojmë këtë situatë. Nëse kamerieri ka marrë dy porosi në të njëjtën kohë dhe njëra është ajo e një grupi vajzash të reja dhe tjetra e një grupi të moshuarish, një kamerier që ka normat e lidershipit etik do t’i shërbejë së pari grupit të të moshuarve.
Një shofer taksie duket sikur ka detyrë vetëm të drejtojë mirë makinën, të njohë të gjitha rrugët, por edhe të flasë pak dhe me etikë. Deri këtu saktë. Por ne pothuajse gjithmonë harrojmë se një shofer taksie para së gjithash është ai që na sjell apo risjell thjeshtësisht prezantimin e qytetit ku nesapo kemi zbritur së pari, apo që nee njohim prej vitesh. Ai padashur kthehet në lider tek na rrëfen rrugën më të bukur që ne duhet të vizitojmë si turistë të sapohyrë në qytet, apo një muze apo lulishte të re, të sapohapur në qytetin ku ne jetojmë prej vitesh.
Tani le të kthehemi në fillim të rasteve të përmendura dhe të mendojmë se çdo të ndodhte nëse shoferi i taksisë do të na sillte rrotull nëpër qytet pa na çuar në kohë në destinacionin e duhur, apo do na rekomandonte të vizitonim një pjesë të qytetit fare pa interes? Apo çdo të ndodhte nësekamerieri në bar së pari do u shërbente vajzave të reja, do bënte edhe një bisedë të gjatë me to dhe do të shpërfillte shërbimin në kohë të grupit të të moshuarve? Thjesht kuptojmë se për të njëjtën situatë, të njëjtin profesion dhe ndaj të njëjtit grup shoqëror, veprime të ndryshme, përcaktojnë akte të ndryshme lidershipi. Në të dyja rastet e kundërta do të kemi ushtrim të lidershipit, por diferenca vjen nga mënyra se si e ushtrojnë atë.
Kjo na çon në përfundimin se gjithkush ka lindur një lider, por jo gjithkush është një lider i mirë. Gjithkush në të njëjtën kohë mund të bëhet një lider i mirë kur bën zgjedhje të mira. Zgjedhjet e veprimeve të çdo individi janë rezultat i karakterit të tij. Lidershipi nga ana tjetër është pjesë e karakterit të njeriut, pasi është karakteri ai që formëson lidershipin personal. Karakteri është ajo çka ne përsërisim çdo ditë. Dhe ajo çka ne përsërisim çdo ditë është më së shumti ajo me të cilën ne jemi në kontakt çdo ditë dhe që bëhet pjesë e jona fare natyrshëm, krejt pa kuptuar dhe në formën më të përsosur të imitimit. Vajza synon të rrisë fëmijën e saj me modelin që ka parë nga nëna, mashkulli e trajton partneren sipas modelit që ai ka parë dhe në mënyrën si i ati ka trajtuar të ëmën; kamerieri në bar shërben sipas asaj që ka parë t’i shërbehet ndër vite apo sipas modelit që i është mësuar apo me të cilin ndeshet çdo ditë. Shoferi i taksisë po ashtu. Të gjithë imitojmë në masivitet çdo gjë rreth asaj me të cilën jemi në kontakt. Kjo është absolute! Çështja ngrihet çfarë modeli na ofrohet, kë zgjedhim të imitojmë dhe çfarë bën secili prej nesh për të përsosur modelin apo modelet dhe më së shumti veten? Lidershipi i mirë prodhohet kur imitohen modelet e mira dhe modelet e mira i prodhojnë shoqëritë e shëndosha, ndërkohë që shoqëritë më të shëndosha janë ato që mbështeten tek normat morale dhe shkalla e lartë e edukimit dhe vetëpërsosmërisë të çdo individi.
2. Lidershipi dhe forca e pamatë e ndjekësve!
Lidershipi është marrëdhënie njerëzore në shkallë të gjerë. Lidershipi i mirë është forma më e lartë të cilën mund të realizojë një individ në marrëdhëniet njerëzore. Gjithkush është një lider nëse është në gjendje të frymëzojë njerëzit që ka rreth e qark, nëse është në gjendje të jetë gjithmonë udhërrëfyes për ta, nëse u imponohet atyre dhe nëse është në gjendje t’i motivojë ndjekësit deri në atë pikë sa t’i bëjë bashkudhëtarë të denjë në rrugën e tij, duke e kthyer atë në të njëjtën kohë edhe në rrugën e tyre.
Kur ky grup nuk është më vetëm rrethi i ngushtë shoqëror, por zgjerohet në komunitet, organizatë, krahinë, komb apo në shkallë botërore, atëherë ky lider e ka shtrirë marrëdhënien njerëzore përtej krahëve normalë dhe ai cilësohet me shumë influencë dhe automatikisht ndikimi i tij te ndjekësit është vendimtar po aq sa ka qenë edhe frymëzimi që ai ka krijuar tek ata. Në përgjithësi forca e ndikimit të një lideri është e barabartë me masën e frymëzimit që ai krijon tek ndjekësit. Kjo është edhe arsyeja pse liderët e mirë sjellin përparim kudo ku shkelin, ndërsa liderët negativë sjellin regres.
Çështja e lidershipit nuk përfundon në çka është lideri në vetvete, por sa është në gjendje që kjo ‘vetvete’ të influencojë tek ndjekësit. Ndjekësit imitojnë liderin në më të shumtën e rasteve kur gjejnë tek ai atë çka do të donin ta gjenin tek vetja. Ata falin pushtetin e tyre, dhe mes procesit të adhurimit apofrymëzimit e ndjekin liderin të sigurt dhe shumë herë në verbëri.
Jo rastësisht formula bazë e çdo lidershipi është: “Lideri formëson mjedisinku drejton”. Ndaj sa më i arrirë në vlera, sa më etik dhe sa më efektiv lideri, aq më të arrirën djekësit dhe si rezultat aq më i përsosur mjedisi ku ato veprojnë së bashku.
Procesi më kyç për një lider është ai i fillimit, pasi nëse ai është në gjendje të rrisë numrin e frymëzuesve, ai është njëkohësisht në gjendje të rrisë me të njëjtën masë numrin e mbështetësve. Procesi më i vështirë i ndjekësve fillon pasi i ka dhënë besimin liderit; pas këtij momenti ata nuk duhet të ndjekin verbërisht liderin por duhet të jenë vigjilentë, skeptikë dhe të akullt në çdo analizë që i bëjnë veprimeve të tij dhe në çdo mbështetje të mëtejshme që i bëjnë atij. Menaxhimi i fitores ka qenë dhe mbetet në fakt pika vendimtare e marrëdhënieve lider-ndjekës. Ka qenë pika vendimtare që ka bërë historinë dhe ka nënshkruar përcaktimin e liderëve si të mirë apo negativë. Asnjë lider nuk vjen dot në pushtet pa ndihmën e ndjekësve dhe asnjë lider nuk rri dot në pushtet pa mbështetjen e tyre. Ndaj ka shumë rëndësi që tek flasim për liderët, të mos harrojmë kurrë forcën e pashterueshme të ndjekësve “Nuk ka lider të mirë me ndjekës të këqij dhe anasjelltas”!
Para do ditësh vizitova muzeun e Holokaustit në Washington DC. Mes të tjerave, ciceroni përmendi një fakt të njohur nga historia por që ndoshta nuk është veçuar aq dhe sa duhet: “Hitleri e pati shumë të thjeshtë të persekutojë hebrenjtë e Gjermanisë pasi tek populli gjerman ndër vite ishte kultivuar vetvetiu antisemitizmi”. Liderët, në më të shumtën e herëve përdorin ndjenjat sociale kolektive duke i kthyer ato më pas në kauza personale. Efekti pasqyrë është shumë aktiv në marrëdhënien lider-ndjekës. Tek kjo marrëdhënie reciproke mbështetur në ndjenja dhe mendime reciproke fillon ngritja e liderit, por edhe pushteti i vërtetë i ndjekësve. Pas këtij momenti lideri përdor të gjitha mjetet të fuqizojë vetveten. Edhe për ndjekësit është pikërisht momenti kur duhet të fillojnë fuqizimin e tyre. Fatkeqësisht shumë herë ndjekësit e nënvleftësojnë këtë moment kyç që në fakt kurorëzon apo ndërton gjithë marrëdhënien midis tyre dhe liderit dhe që në fund nënshkruan ecurinë apo fatet e të dyja palëve dhe jo vetëm.
Fatkeqësisht të verbuar nga forca sugjestionuese e liderit dhe pushteti natyral që i japin atij, ndjekësit në përgjithësi nuk e njohin forcën e vërtetë që kanë apo që mund të fitojnë. Që nga çasti që lideri fillon fuqizimin e tij duhet të fillojë paralelisht fuqizimi që ndjekësit duhet t’i bëjnë vetes. Për ndjekësit ky proces nuk është i lehtë sikur është për liderin, pasi kjo ka të bëjë me natyrat e tyre të ndryshme. Në teori kush zgjedh të jetë ndjekës nuk është ambicioz për pushtet dhe pikërisht kjo është arsyeja që ata e dhurojnë pushtetin e tyre natyrshëm tek lideri që kanë zgjedhur t’i përfaqësojë. Lideri nga ana tjetër, ka lindur me ambicien për pushtet dhe në çdo moment, edhe lideri më i mirë, mendon si ta shtojë pushtetin personal. Ndaj dhe ndërgjegjësimi i ndjekësve për t’u fuqizuar është një proces më i vështirë. Megjithatë, e vërteta është që në shoqëritë e civilizuara dhe të emancipuara fort, shkalla e ndërgjegjësimit të ndjekësve vjen natyrshëm nga vetë formimi i tyre.
Fakti është që çdo ndjekës ka mundësi të fuqizojë vetveten dhe mund të bëjë këtë në shumë forma. Së pari, më i rëndësishmi dhe më i vështiri si proces, është çlirimi i vetvetes nga marrëdhënia emocionale me liderin dhe nga ideja fikse e konsiderimit të liderit si pushtet suprem. Kjo arrihet duke qenë gjithmonë në kontakt me mendimet e kundërta dhe opozitare për të mësuar të vërtetën e thënë nga shumë burime. Ndjekësit duhet të mbajnë shënime, që do të thotë të shënojnë çfarë është premtuar dhe çfarë është arritur. Sa i vërtetë dhe i ndershëm është lideri në veprimet e tij, si i argumenton ai humbjet, si dhe sa punon ai për të arritur objektivat dhe cilat janë mjetet që përdor në arritje të tyre. Mbi të gjitha, ndjekësit duhet të mbajnë shënime nëse lideri është njeri i akteve apo fjalëve. Çdo ndjekës duhet të arrijë në pikën e vetëdukimit dhe vlerësimin e çdo lideri duhet ta mbështesë në arritjet dhe jo në fjalimet apo propagandën. Në kohën që jetojmë, apo siç quhet ndryshe edhe koha e informimit, asnjë lider nuk mund të ushtrojë propagandën deri në atë shkallë sa të verbërojë ndjekësit, pasi gjithkush sot merr informim nga shumë burime profesionale apo jo profesionale dhe gjithkush vetëdukohet në formë të pandërprerë. Të manipulosh ndjekësit në ditët e sotme është gati e pamundur dhe kjo është një ndër arritjet më të mëdha të shekullit të 21. Kjo shumëllojshmëri informacioni e ardhur në çdo minutë nga burime të specializuara për lajm apo jo dhe të shoqëruara me komente të gjithfarëllojshme kanë krijuar informimin alternativ të ndjekësve. Kohët tona i kanë fuqizuar ndjekësit në atë shkallë sa ata edhe kur nuk veprojnë, nuk veprojnë me dashje dhejo se i mungon analiza apo informacioni i mjaftueshëm.
Le të marrim rastin e ndjekësve në Shqipëri. Shqiptari i komunizmit e dinte që s’kishte bukë të hante, por nuk guxonte të fliste e jo më të vepronte. Shqiptari i demokracisë e ndjen që po sfilitet çdo ditë nga oligarkia e pushtetarëve, ka guxim të flasë, por nuk ka forcë të veprojë. Ka fituar forcën e fjalës, por ende nuk është konsoliduar guximi i veprimit.
Fatkeqësisht, në ditët e sotme edhe në shoqëritë botërore vihet re një apati në veprim dhe duket sikur edhe shoqëria shqiptare nuk bën përjashtim. Përpos shumë vlerave që ka bota e informimit, internetit dhe e lajmit të lirë që merret menjëherë nga rrjetet sociale dhe jo vetëm, kjo ka shpënë edhe në një fenomen tjetër që mund të konsiderohet jo pozitiv. Individi i kohëve të informimit, pra njeriu i kohës sonë, shpenzon më shumë kohë në mjedise të mbyllura përpara kompjuterit apo nën ndikimin e telefonit. Atje në mjedisin e mbyllur pasi gjen informimin fillon e shkruan mendimet, komenton, kritikon apo lavdëron si t’i vijë e pa drojë. Deri këtu mirë, pasi gjithkush është sot i hapur të bëjë gazetarin apo analistin dhe mes këtij procesi njerëzit zhvillohen dhe kultivohen, por kjo natyrshëm ka sjellë një farë apatie në veprim. Dr. Frojdi do na ndihmonte edhe më shumë ta sqaronim këtë fenomen duke sjellë teorinë e tij të sublimimit. Ndjekësit tek ulen e shkruajnë çfarë t’u vijë në mendje pas çdo lajmi që lexojnë apo revolte që ndiejnë dhe duke e bërë këtë në mënyrë publike, ata në fakt sublimojnë aktet e veprimit, dmth kompensojnë në njëfarë mase veprimet që duhet të kryenin. Vetëm kështu mund të shpjegohet fakti që sot të gjithë e shohintë keqen, e argumentojnë atë deri në detaj, por shumë pak e luftojnë atë dhe shumë herë çdo revoltë arrin deri tek fjala e thënë.
Askush nuk e parashikon sa e si do të shkojë kjo apati bashkëkohore e ndjekësve dhe sa e deri ku do të ndikojë tek lidershipi. Megjithatë një gjë është e sigurt: binomi lider-ndjekës do të mbetet përherë i pandarë. Liderët drejtojnë bashkë me ndjekësit dhe çdo impakt te një palë do të ndikojë natyrshëm te pala tjetër.
3. Lidershipi etik
“Mendo, thuaj dhe vepro njëlloj”
Gandi
Studiuesit kanë arritur në përfundimin se pjesa më e madhe e njerëzve besojnë se janë më etikë se mesatarja e atyre që i rrethojnë (Trevino et al., 2000). Në fakt, realiteti tregon se shumëherë e rëndësishme nuk është vetëm çfarë në mendojmë për veten por edhe çfarë vlerësimi kanë të tjerët për ne. Liderët nuk bëjnë përjashtim nga ky gjykim. Është një fakt i pakontestueshëm që etika e një lideri e merr vlerësimin vetëm nga opinioni i ndjekësve.
Lideri më shumë se kushdo prodhon atë që ai vetëpërfaqëson në sytë e ndjekësve. Ky raport sjell atë që quhet reputacion. Lideri udhëheq përmes reputacionit të tij. Reputacioni i lartë tek një lider nuk është gjë tjetër vetëm se një fjalë ndryshe për të përshkruar liderin me etikë të lartë. Një lider etik do prodhojë një organizatë, shoqëri apo ndjekës po të tillë. Etika është vetë shpirti i lidershipit, thotë Joanne Ciulla në librin e saj me të njëjtin titull (1998). Kjo shprehje është bërë tashmë klasike në studimet mbi lidershipin.
Po ku dhe si shfaqet etika në lidership? Cili lider meriton të quhet me etikë të lartë e cili jo? Cila është pika vendimtare që e ndan liderin etik nga ai që nuk është i tillë?
Ka shumë faktorë dhe cilësi që përcaktojnë fatin e një lideri, por vetëm njëri jep veton finale dhe ky është vendimi apo vendimet e ndërmarra. Proverbi popullor, “Veprat flasin më fort se fjalët” mbetet aktual edhe kur flasim për lidershipin. – “Lidershipi është veprim”. Kjo do të thotë se ndjekësit harrojnë shpejt atë çka tha lideri, por ata nuk harrojnë kurrë atë që bëri lideri.
Përkufizimi kyç që ndan liderin nga jo lideri është – “Që të jesh lider, duhet të kesh ndjekës. Lider pa ndjekës nuk ka dhe nuk mund të ketë”.
Shumë figura qëmund të mos duam t’i numërojmë si liderë, kanë qenë të tillë, pasi ata kanë pasur mijëra ndjekës që i kanë frymëzuar dhe drejtuar. Por nëse je lider etik apo jo, për këtë vlerësimin e japin të tjerë faktorë. Për t’u bërë më konkretë, le të krahasojmë Gandin me Hitlerin. Ata të dy arritën të frymëzojnë mijëra ndjekës. Por ndërsa Gandi arriti të marrë vendime etike që rezultuan progresiste, Hitleri bëri krejt të kundërtën. Pra për të dy liderët notën finale nuk e dha forca e frymëzimit tek ndjekësit, por e dhanë veprimet e tyre etike.
Por ç’do të thotë të veprosh në mënyrë etike? Mes shumë e shumë përcaktimeve rreth kësaj dileme shprehja e Gandit mbetet më universalja. Sipas tij “Të jesh i arrirë në aspektin etik, do të thotë të mendosh, të flasësh dhe të veprosh njëlloj”. Kjo frazë në detaje përmbledh të gjithë sintezën e qenies me etikë të lartë. Pikë së pari, ky përcaktim rrëfen se individi që mendon dhe flet njëlloj është i kthjellët, i pastër dhe i sinqertë me veten. Çdo ndershmëri fillon së pari nga vetja. Çdo etikë gjithashtu. Vetëm një njeri që është i sinqertë me veten, mund të jetë me të tjerët e mund ta kërkojë këtë tek të tjerët.
Ndërkohë të veprosh realisht atë çka ke menduar dhe thënë do të thotë të kesh një integritet dhe moral të lartë personal si dhe kjo padyshim rrëfen për një karakter të forte e guxim human tepër të arrirë.
Kontradikta më e madhe ku kalojnë shumë njerëz është pasja apo jo e forcës humane brenda vetes për të thënë hapur mendimet apo edhe për të hedhur hapin e madh, për të kthyer në akt atë çka ata mendojnë. Në fakt një lider etik, sikundër një individ etik, duhet medoemos t’i kalojë të tri fazat: duhet të jetë e sinqertë dhe besnik; të flasë për ato në të cilat beson dhe të punojë për t’i realizuar ato që thotë. Sikur vetëm njëra prej tyre të ketë çarje, etika humbet e përdhoset.
Kjo vijë e pandërprerë dhe në unison e asaj që mendon, thua dhe vepron njëlloj është në fakt shkalla më lartë e etikës. Pas kësaj analize arrijmë në përfundimin se mund të konsiderohet me etikë të lartë ai lider që nuk tradhton asnjërën prej këtyre tri hapave gandeske, që do t’i quanim ndryshe trekëndëshi gandesk i virtytit etik. Tradhtia qofte edhe e njërës pikë prish balancën në trekëndësh dhe e deformon të tërën.
Sinqeriteti i liderit dhe etika e tij fillon në fakt tek mendimi si i tillë. Dhe mendimi nuk është as më shumë dhe as më pak vetëm se shfaqja e moralit personal të liderit. Mendimet e mira vijnë vetëm nga një karakter i mirë, ndërkohë që thënia hapur e mendimeve është serish rezultat i një karakteri të fortë, që shfaq kurajë morale. Kjo e bën liderin transparent dhe të besueshëm në sytë e ndjekësve.
Kuptohet se jo çdo vendim i moralshëm për një grup social është i tillë për një grup tjetër, apo një vendim i drejte në një kohë mund të mos mbetet i tillë në një kohe tjetër apo nga një kulturë në një tjetër. Megjithatë, historia ka rrëfyer se vendimet etike i kanë rezistuar të gjitha kohëve. Vendimi etik mund të jetë guximtar për momentin, por me siguri ai është hapi i madh i një epoke të re që do të sjellë progres. Martin Luter King është një shembull klasik përkëtë.
Natyrshëm tani lind pyetja se ç’e shtyn një lider të marrë vendime etike?
Vendimi etik është vendimi i ndershëm; është ai që rrëfen transparence dhe vërtetësi. Ndershmëria si virtyt është pjesë e moralit dhe karakterit të individit. Aristoteli theksonte: “Ne jemi ajo që në përsërisim se bëri çdo ditë”. Kjo do të thotë se nëse në e kthejmë në zakon ndershmërinë ajo do na kthehet në karakter e ky i fundit na drejton në çdo hap. Nuk është rastësi që të gjithë studimet e lidershipit na çojnë në konkluzionin që lider i shkëlqyer është ai që ka karakter të shkëlqyer, pasi lideri me karakter të shkëlqyer do të marre vendime etike dhe këto vendime janë të vetmet që i çojnëndjekësit në progres.
Pennino në vitin 2002 kreu një studim për marrëdhënien midis vendimmarrjes dhe moralit të liderit. Deri në atë kohe shkollat e lidershipit nuk kishin një rezultat për këtë marrëdhënie. Ai arriti të studiojë vendimmarrjet e 270 drejtuesve në disa kompani amerikane dhe doli në konkluzionin sesa më etik të jetë lideri aq më vendime të drejta dhe afatgjata është në gjendje të marre ai.
Ndërkohë shumë studiues janë nxitur të mësojnë nëse faktorë të tjerë të jashtëm kanë efekt në vendimet etike apo jo të liderit. Në studimet e tyre ata kanë shtruar hipoteza të tilla për shembull, si dhe sa, apo në ç’mënyrë ndikon stresi në vendim, apo sa ndikojnë interesat personale të liderit në vendimet që merr; apo si ndikojnë situatat jo të qarta me të cilat ai mund të përballet. Ndonëse këto faktorë janë parë si ndikues, rezultatet e studimeve kanë rrëfyer se efektet e tyre në vendimmarrje kanë qenë gjithmonëanësore. Në fund, notën finale e ka dhënë morali i liderit dhe karakteri i tij. Pra shtysa e vetme që e shtyn një lider të marrë vendime etike është as më shumë dhe as më pak, por morali dhe karakteri i tij i lartë. Ndaj për ta mbyllur mund të themi se nëse etika është shpirti i lidershipit, morali dhe karakteri i liderit, janë shpirti i etikës.