Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Lule të vyshkura në prill (2)

 

Pjesa e tretë

 

 

Kreu i tetë

 

Gjithë jetën Teuta Shpendi kishte pasur shumë shoqe, por askush nuk kishte qenë kaq e afërt sa Zhuli Pirgu. Ishte një miqësi gati 40 vjeçare. Që ditën e parë kur kishte shkuar në gjimnazin e qytetit. Ajo e ruajti këtë shoqëri deri sa vdiq Zhuli aksidentalisht. Zhuli për Teutën kishte qenë motër, shoqe, qenia më e afërt njerëzore. Ajo ishte mjaft e këndshme shumë zemër bardhë. Cdo çast të lirë e kalonin bashkë. Ecnin të dyja nëpër park, pinin kafe së bashku, gjithçka e ndanin bashkë.

Kur vdiq Zhuli ajo u tmerrua dhe nuk mund ta pranonte vdekjen e saj. Mori disa sende të saj për t`i ruajtur, madje edhe pizhamet. Ajo shkonte shpesh në varreza tek varri i Zhulit dhe bënte dialog me të. Nuk kishte ditë që nuk e kujtonte Zhulin. Më pas e kapi trishtimi. Iu kujtua Alfredi dhe dëshpërimi i tij. Padyshim Teuta ishte në dijeni deri në detaje të lidhjes së saj me Vangjushin. Madje kishte qenë ajo që e kishte shtyrë drejt kësaj aventure. Ju kujtua ajo ditë dimri kur Zhulin e kapi apendiciti, operacionin e më pas ditë qëndrimet në spital. Thuhet se për dashurinë me shikimin e parë nuk jepet asnjë shpjegim. Ndijimet këtu luajnë një rol përcaktues.

Zhulit i pëlqeu tek Vangjushi timbri i zërit, parfumi, shikimet e ngrohta, shakatë gjithë kripë të cilat e çuan drejt një tërheqje fatale. Shikimet e gjata midis tyre ishin sinjale të dashurisë që po linin gjurmë për çdo ditë që kalonte. Ata bënë një lojë lidhjeje vetëm me sy. Më pas erdhi zona intime gjatë mjekimit të plagës, mënyra se si ai ia kalonte dorën përmbi kofshë si pa dashje. Zbulimi më tepër seç duhet gjatë mjekimit të plagës, krijuan një lidhje shumë të fortë impulsive, një tërheqje që askush nuk ia përcaktonte forcën. Por Zhuli kurrsesi nuk e hodhi hapin e lidhjes, ndonëse Vangjushi i pëlqeu. Kishte qenë pikërisht Teuta e cila ishte bërë shtytësja kryesore e kësaj lidhje. Zhuli i kishte hapur zemrën Teutës, se martesa e tyre kishte një fasadë tëshkëlqyer dhe pas kësaj fasade fshihej një njeri i vogël që e trajtonte gruan etij si një kukull. Ajo gjithçka duhej ta kalonte me Alfredin. Nuk bëhej fjalë për një ekskursion jashtë rrethit me kolektivin apo një mbrëmje mes miqsh. Përkundrazi, Alfredi duhet të ishte i pranishëm kudo. Ndonëse kishin kaluar vetëm pesë vjet martesë, Alfredi ia kishte konsumuar bukurinë e jetës Zhulit. Thjesht Zhulit i mungonte gjëja me e shenjtë që ka njeriu: liria! Të fitosh lirinë, mendonte ajo, duhet të shkelësh apo të mohosh diçka. Por Zhuli përveç kësaj, tek Alfredi kishte disa muaj që kishte dyshime për njëekonomiste të re që ai kishte në punë, kur ishte bërë drejtor. Disa herë ajokishte gjetur në jakën e këmishës së tij shenja të kuqi buzësh apo aromë parfumi tjetër nga ajo që përdorte Alfredi. Edhe fjale filluan të qarkullonin…

Ky afrim drejt Vangjushkës nuk ishte thjesht pasionant, për të provuar njëeksperiencë të re, por ajo vinte pas një traume të heshtur bashkëshortore.Mos lindja e një fëmije ndikoi në tharjen e një pjese të rëndësishme tëzemrës së saj. Thjesht Zhulit i mungonte ajo që quhet kënaqësia shpirtërore. Ajo, ndonëse kishte kaluar disa vite martese, ende nuk e kishte gjetur objektin e dashurisë, edhe pse ishte martuar me dashuri. Pas martesës me Alfredin dashuria e tyre u vesh me një mantel misterioz. Zhuli nuk donte ta pranonte se kishte një martesë pa dashuri. Këtë arsyetim të sajin e bënte kundër vullnetit. Ajo nuk donte që ta cenonte dashurinë e saj për Alfredin. Zhuli ia kishte hapur zemrën Teutës një natë me hënë në kopsht, poshtë gështenjave të egra, kur Alfredi ndodhej në Tiranë. Por Teuta, si një femër me shumë eksperiencë në këtë fushë, i kishte thënë se misteri i dashurisë është ai që të eksiton, që të deh, të trullos, është pushteti i sensualitetit… Edhe kur ti nuk do, ai triumfon, nxjerr krye mbi arsyen… Dashuria e vërtetë është si një vullkan që shpërthen dhe nuk e ndal dot. Dhe kur vjen dashuria pushon së qeni thelbi i martesës dhe i moralit. Sensualiteti merr rrugë, jo në kuptimin e ngushtë, vetëm impulse dhe rryma të nxehta gjaku, por ngrihet në një forcë shpirtërore deri në ambicjen për pushtet dhe lavdi. Jeta ka disa shtylla të cilat janë përcaktuese, -kishte vazhduar plot zell Teuta. – Është liria, mençuria, dashuria, pushteti dhe fati. Pasi kishte ndezur cigare e dytë aty poshtë gështenjës së egër, Teuta i tregon Zhulit shembull tjetër konkret: – Dua të të pyes, -i drejtohet ajo Zhulit, – pse shumë gra zënë dashnorë meshkuj që nuk iu vijnë as në thembrat e këmbës burrave të tyre? Sepse bukuria më e madhe e dashurisë qëndron në forcën tërheqëse, joshëse të frytit të ndaluar.- Po kjo është e rrezikshme, – ia pret fjalën menjëherë Zhuli. Kjo ide mua më frikëson!…- Duhet të pranojmë, – shton Teuta, – se po i hoqe kësaj dashurie frikën shqetësimet, vështirësitë, rrezikun asaj nuk i mbetet asgjë. Mbetet vetëm dashnor, në thjeshtësinë e vet primitive. Ja, vazhdon ajo,- të ta bëj pak më të qartë: Ishte njëri dhe kishte të dashur një vejushë. I thonë shokët ke kaq vjet që bën dashuri me këtë vejushë, pse nuk e merr grua. Ai qesh dhe u përgjigjet: Po nëse unë e marr për grua vejushën nuk do të di se ku t’i kaloj mbrëmjet… Dashuria dhe kontrabanda janë si një vorbull thithëse… Teuta ishte një femër me prirje të veçanta, shumë dinake dhe e aftë për intriga. Por misteri përbënte një veçori kryesore të karakterit të saj. Hovet e dikurshme të dashurive të saj të zjarrta e kishin kalitur këtë grua sa egoiste në arsyetim po aq dhe ambicioze në praktikë.

Gradualisht Teuta po i injektonte Zhulit aventurën e tradhtisë. Zhuli ishte një femër me sharm dhe bukuri të jashtëzakonshme e cila i joshte viktimat deri për vdekje. Por duket se ishte pikërisht ky Vangjushi që gjatë operacionit të apendicitit, kur i hapi barku me bisturi Zhulit, sikur pa dhe lexoi brenda saj vuajtjet që ishin strukur atje në thellësi të shpirtit të Zhulit. Teuta kërkoi t`ia pudrosë pak lidhjen e Zhulit me Vangjushin duke e quajtur thjesht një lidhje paralele… apo një aventurë… Teuta ndaloi një moment. Kur pa lëkundjen e Zhulit, si mjeshtre që ishte, Teuta hedh goditjen e saj finale: – Po pse nuk duhet të hakmerresh edhe ti për lidhjen që ka pasur Alfredi me atë ekonomisten e re! Zhuli atë mbrëmje qëndronte e tulatur dhe nuk reagonte. Teuta e mbylli këtë leksion të gjatë morali, duke i thënë Zhulit se dashuria dhe liria e një femre janë themeli për cilësinë e jetës. Veç asaj, shtoi Teuta, Vangjushi është nga ata meshkuj që nuk të rrezikon ekuilibrin e lidhjes martesore me Alfredin. Pas këtij bombardimi të gjatë që Teuta i bëri me një zell të pashembullt, Zhulit iu duk se nuk i mbetej gjë tjetër veçse të menaxhonte këtë lidhje të fshehtë. Atë e ngrohte pak fakti, se Teutën do ta kishte si një ombrellë të mirë mbrojtëse. Ftesa e parë drejt mëkatit ishin sytë e Vangjushi!… Ishte diçka ekstremisht intriguese! Vështrimi i një burri që transmetonte dëshira dhe pasione të zjarrta. Ndikimi i Teutës e futi Zhulin në lojën e flirtit aventuror. Teuta si një specialiste e rrallë në artin e gruas tradhtare, e çoi Zhulin në takimin e parë në periferi të qytetit, në një lokal të këndshëm. Nën shoqërinë e Vangjushit, mbrëmja Zhulit po i dukej mahnitëse: drita e qirinjve, muzika të ëmbël dhe gotat e shampanjës i krijuan në shpirt një gjendje ngazëllimi dehës. Më pas Teuta ishte larguar duke i lënë vetëm të dy…Por koha tregoi se lidhja e tyre zgjati gjatë. Vangjushi u martua, lindi fëmijë, por ai mendjen e kishte tek Zhuli. Për të ajo ishte si një oaz ku ai gjente prehje… Premtimin e tij se do të më kesh në krahë deri në vdekje ai e mbajti për gati 40 vjet, deri sa Zhuli humbi jetën. Vetëm një muaj më parë se Zhuli të aksidentohej, kur Teuta i kishte parë duke u puthur gjithë pasion, u kishte thënë, se ju të dy jeni për në librin ‘Gines’: Besnikë të tradhtisë deri në fund! Zhuli i kishte sfiduar vitet që mbante mbi shpinë. Ishte si e bërë me dorë, me lëkurë të bardhë e të butë, flokë bionde natyrale, me sy të kaltër dhe një zë tejet të ngrohtë. Ishte zbavitëse dhe e mençur. Gazmore por po aq edhe e trishtuar… Zhuli gjithmonë kishte qenë një femër e lakmuar, por përveç Vangjushit nuk kishte pasur mashkull tjetër që ta shtinte në dorë. Ai dukej sikur kënaqësitë ia zbulonte me intuitë. Prekjet e tij i jepnin Zhulit emocione të papara.

Vështirë e pati kur kreu seks për herë të parë me Vangjushin. Ju kujtua rrëfimi i një prostitute, që femra skuqet pesë herë në jetën e saj: Skuqjen e parë të turpit, kur i marrin virgjërinë; të dytën kur tradhton burrin e saj për herë të parë; të tretën kur shkon me meshkuj me para; e katërta kur jep para femra për të kryer seks me partnerë dhe e pesta; kur jep para për seks dhe askush nuk denjon t’i marrë…

 

Kreu i nëntë

Çdo ditë që kalonte, Alfred Pirgu ishte në kërkim të rrënjëve të tradhtisë, por dhe të sistemimit të jetës së tij për ato vite që i kishin mbetur. Ai i kishte kushtuar gjithë jetën asaj gruaje, për t`i dhënë kuptim jetës por paska qenë një dështak. Tashmë kishte ngelur një burrë i plakur, i vetmuar dhe i zhgënjyer. Eh, mendoi, kështu është bota e mbushur me tradhti, padrejtësi, urrejtje, varfëri dhe vuajtje. Sa idioteske iu dukën këtë çast, tentativat për t`u vetvrarë. Ai nuk kuptonte dot kufirin e asaj që ishte e tij dhe cila ishte përgjegjësia e të tjerëve në këtë jetë. Ai kishte pasur disa dyshime mbi një tradhti të mundshme nga ana e Zhulit, por që nuk mundi që ta verifikojë këtë. Kur ai e shihte jetën bardhë e zi e kishte më të lehtë për ta dalluar kush qe e bardha dhe kush ishte e zeza. Por mendja njerëzore e ka të vështirë që të merret me zonat gri. Është e lehtë të thuash, se ky njeri është i keq apo kj ogrua më tradhton mua, pa u faktuar gjërat. Ai tashmë një gjë e kuptonte qartë, se në këtë botë asgjë nuk është tërësisht e përsosur. E mirë apo e gabuar, çdo gjë që bëjnë qeniet njerëzore është produkt i trashëgimisë së vet, genit, përvojës dhe kulturës së tyre. Tashmë Alfred Pirgut i ishte krijuar një fiksasion, ai ndjehej njeri i padobishëm. Ai duhej të tregohej i fortë, por realisht nuk ishte i tillë. Alfredi kishte qenë njeri me botë të gjerë, por gjithçka ishte varrosur brenda tij. Tashmë ai ishte një i moshuar i padëshiruar. Me një fytyrë të pikëlluar si të marrë me qera, me faqe të varura dhe vetulla të ngritura lart, duke ngjitur shkallët e katit të dytë, Alfredit iu morën mendtë. U kap pas një fikusi që ndodhej aty, por u rrëzua së bashku me vazon dhe fikusin. Në çast i erdhi në mend Teuta. Ishte e vështirë të zbuloje diçka tek Teuta. Ishte i bindur se ajo ishte një femër e rrahur me vaj e uthull. Teuta kishte dashur në jetë disa burra në mënyrë paralele. Ajo i dukej atij si një zhonglere, që hidhte e priste një dyzinë meshkujsh përreth vetes. Femër misterioze që nuk mundi që ta zbërthente dot. Ai një gjë kishte të qartë, se vuajtjet ia kishte lënë zoti tani për pleqëri! Ju kujtua një porosi e një mikut të tij: “Të flakësh jashtë qenies tënde tradhtinë e njeriut të zemrës është njëlloj sikur t`i heqësh trupit tënd një tumor të keq“. Tashmë Alfredi në këtë mjedis nuk mund të qëndronte dot. I kishte lindur ideja që të largohej edhe nga qyteti i tij. Nipi i tij Edi, cili ishte një nga firmat më të njohura të ndërtimit, po ndërtonte në një fshat buzë liqenit një vilë. Vila ishte në përfundim dhe Alfredi do t`i lutej nipit që përbri vilës të ngrinte edhe dy dhoma për Alfredin. Edi ishte djalë bujar dhe sapo Alfredi i shprehu mendimin, ai nxori çelësat nga xhepi dhe ia dha duke i thënë se vila e fshatit ishte e dajës dhe ai ta gëzonte. Ky gjest e ngazëlloi së tepërmi Alfredin. Ai nxori nga xhepi çelësat e vilës së tij dhe ia zgjati nipit. Pamja ishte vërtet impresionuese për Alfredin. Nipi i tij Edi, shumë shpejt i mobiloi ambientet e vilës e cila ishte vendosur mbi një shkëmb, pothuajse të futur në liqen. Një mëngjes u nisën së bashku me Edin për tek vila në fshat. Fshati buzë liqenit ngjante me një kryqëzor të madh të ankoruar në breg. Gati treçereku itij ishte i futur në ujë. Pamje e bukur, mendoi, ngjan si një pikturë e Vangjush Mios. Ne çast u turbullua. Risjellja e emrit Vangjush në kujtesë rindezi tensionin në nervate tij. U përpoq ta qetësojë veten, me arsyetimin, se artistëve u mbetet mbiemri dhe veprat, ndërsa lapangjozëve, pisllëqet!… Sapo mbërritën atje, liqeni iu shfaq me madhështor. Hodhi shikimin mbi valët e tij. Një ngjyrë blu më pas kalonte në ngjyrë gurë kali, pastaj kthehej në blu të thellë, në bojëqielli, blu violetë, në blu kobalt… Liqeni ngjante me një qilim ujor gjithë nuanca të cilat transformoheshin vazhdimisht. Disa re të bardha ecnin në qiellin e kaltër si në një paradë ushtarake. Alfredit mbi shkëmb ku ishte ndërtuar vila iu duk vetja sikur ishte në tribunë. Më pas shndërriti dielli duke trazuar atlasin e ngjyrave te valëve të liqenit. Tufa të mëdha të pulë bardhave fluturonin ultas mbi liqen, duke lëshuar klithjet etyre që ngjanin si kor vajtojcash.. .Edi hapi derën e vilës. Një korridor dhe përballë tij një dhomë e madhe me oxhak të stilizuar dhe disa kolltukë të rehatshëm. Dritarja e madhe nga ana eliqenit ishte shumë e madhe, me xham të trashë e të kaltër që dukej si zgjatim i liqenit. Në njërin krah ishin frigoriferi, televizori dhe pajisjet e kuzhinës. Në krahun tjetër ishte një dhomë gjumi me një garderobë të madhe dhe një krevat dopio. Nëpërmjet një derë xhami kaloje direkt nga dhoma e gjumit në banjë. Ky ishte kati i parë, të cilin Edi ia fali dajës. Për të mos e bezdisur Alfredin, ai i kishte adoptuar vilës një palë shkallë nga jashtë për t`u ngjitur në katin e dytë, ku do të vinte herë pas here me familjen e tij për fundjavë.

Megjithë mrekullinëqë e rrethonte, Alfredi po ndjehej si i vetmuar në këtë vilë. Por ai shpresonte se do gjente forcë, që këtu të jetonte qetësisht. Kishte një besim, se shpirti i tij do të gjallërohej prej këtyre valëve. Dallgët e shkumëzuar të liqenit i dukej se do t’ia largonin tallazitjen dhe brengën që atë e mundonte. Alfredi mendonte se këtu do të jetojë në komfort të plotë, për të shtyrë vitet e mbetura të jetës së tij në mënyrë normale. Ai i kërkoi Edit që të fillonte të jetonte aty që atë natë. Edi ia miratoi mendimin, por i kërkoi që të shkonin së bashku dhe të merrnin ushqime në qytet.

-Po pse nuk ka dyqane këtu? – ia preu Alfredi.

– Po kemi… – ia priti Edi.

Më pas ata shkuan në dyqanet e fshatit dhe e mbushën frigoriferin plot. Atë natë qëndruan të dy në vilë. Ishte një natë e mrekullueshme. Aty ndjeje dallgët e liqenit sikur i kishe nën jastëk, si një ninullë e bukur hipnotizuese, përzier me pllaquritjet e peshqve dhe fshikëllimën e lopatave të peshkatarëve. Këtu ishte një parajsë e vërtetë… Ndërsa shihte liqenin me një lloj përmallimi, ati iu duk vetja sikur ishte në ëndërr. Më pas e zuri gjumi. Kishte bërë një gjumë të rehatshëm. Nga ai krah që kishte rënë, ishte ngritur. Mëngjesi kishte tjetër magji. Liqeni dhe qielli ishin bërë njësh me njëri-tjetrin. Frynte pak erë dhe liqeni kishte dallgë. Pesha e dallgëve vinte fuqishëm dhe përplasej në shkëmbin e vilës. Stërkalat thërmoheshin atje dhe duke lëshuar energji zemërake. Pavarësisht dallgëve, në liqen kishte shumë peshkatarë të cilët ishin duke u kthyer nga gjuetia e natës. Alfredi ishte duke u bindur se kjo vilë dhe ky liqen do ta përtërinin. Këtu gjithçka ishte e virgjër. Aq shumë gjëra kishin ndodhur gjatë atyre ditëve, sa që njollat e turpit kishin mbuluar gjithë jetën e tij. Por Alfredi tashmë donte të shtynte vitet e jetës së tij pa e rënduar shpirtin me peshën e mallkimit. Ky fshat liqenor do të ishte kapitulli i fundit i jetës së tij. Në përkundjen e këtij peizazhi donte të prehej shpirti i tij deri në amshim.

Ndjeu hapa. Përballë ndaloi një burrë i moshuar, eshtërmadh e me një deng mustaqe mbi buzë. Një llullë të zezë e mbante në ca dhëmbë të rrallë. Mbi kokë kishte vene një kapelë oficeri, model i vjetër. Plaku i zgjati dorën miqësisht Alfredit. Pasi shkëmbyen përshëndetjet e rastit mysafiri u ul pranë Alfredit duke i zgjatur qesen e duhanit. Alfredi nxorri paketën e cigareve.

– Nuk i pi Myrtezai këto, – tha duke mbledhur buzët. – Nuk i pi dot, se janë shumë të buta.

Alfredit që në momentin e parë Myrtezai iu duk interesant. Ai banonte vetëm pak metra më tutje, tek shtëpia në krah të vilës. Plaku ishte shumë burrëror, kishte një qetësi dhe prirje për një humor të këndshëm. Plaku i foli çiltër Alfredit. Ai i tregoi se kishte punuar mbi 50 vjet si peshkatar. Brenda zërit të tij herë-herë ngrihej një dallgë zemërimi. Para disa vitesh i kishte vdekur gruaja dhe kishte ngelur fillikat. Dy djem i kishin ikur në Amerikë me llotari, ndërsa i vogli ishte në Itali. Vinte nga një herë në vit djali i Italisë, ndërsa ata dy të mëdhenjtë kishin ardhur vetëm një herë pas vdekjes së plakës. Më pas Myrtezai i thotë, se duhej t`i falej fatit që kishte shëndetin dhe ishte me këmbë e me dorë. Fëmijët, që kur kishin ikur jashtë, ishin bërë akull të ftohtë, pa pikë dashurie… Myrtezai më pas i foli për historinë e jetës së tij. Ky emigracion ia kishte shkatërruar familjen, i kishte copëtuar dashurinë dhe zemrën ia kishte kthyer në eshkë.

– Ishim të varfër, -vazhdon Myrtezai historinë e tij, – por shpirtin e kishim të pa cenuar. Oborrin e kishim plot me nipa dhe mbesa. Na i kanë bërë shpirtin copë-copë. Ndjehemi krejt pa pavlerë dhe pashpresë. Gëzimi i jetës për gjyshërit janë nipat dhe mbesat…

Për gati tri orë ata kuvenduan. Nga ana tjetër e liqenit u ngrit një avion i madh pasagjerësh në aeroportin e shtetit fqinj. Avioni i kujtoi historinë e pilotit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili e ndiqte në liqen Myrtezain. Atëhere djalë i ri, së bashku me një shok ulur në varkën e tyre. Aeroplani fare pranë sipërfaqes së liqenit. Vorbulla e ajrit qe linte pas avionic gati sa nuk e përmbysi varkën. Aeroplani kthehej dhe bënte të njëjtin ritual. Presioni i ajrit e rrotullonte varkën si lëvozhgë. Dallgët e mëdha e lëkundnin varkën e cila për pak sa nuk u përmbyt. Ndërsa Myrtezai me shokun e tij, ishin alarmuar me rrezikun që u fluturonte mbi kokë, piloti gjerman u kthehet prapë duke qeshur me lojën e tij. Herën e tretë piloti i entuziazmuar duke u argalisur, u ul më tepër seç duhej dhe aeroplani ra në liqen. Një dallgë e madhe u krijua mbi liqen. Varka e tyre u përmbys vërtet, por mbeti në sipërfaqe. Ndërsa aeroplani shkoi drejt e në fund të liqenit.

– Nuk e dinim, – thotë xha Brahua, – nëse do të na vriste në fund të lojës gjermani, apo do të na linte të gjallë. Kam dëgjuar se Hitleri para se të sulmonte Jugosllavinë, kishte kaluar me avion mbi këtë liqen. Drita e fortë i kishte vrarë sytë dhe brigjet në të dyja anët e liqenit e kishin mahnitur. Nga xhelozia kishte dhënë urdhër që këto brigje të bombardoheshin nga avionët luftarakë dhe të mos ngelej asnjë ndërtesë. Por lajmi se Hitleri do të sulmonte u mor vesh dhe njerëzit filluan që t`i luten zotit. Anembanë liqenit të Ohrit ka pasur shumë vende të shenjta dhe banorët ndezën qirinj nëpër to. Në mbrëmje kalon një skuadrilje me aeroplanë bombardues dhe shikojnë poshtë që digjej toka. Qirinjtë e ndezur ngjanin nga sipër sikur toka kishte marrë flakë. Aeroplanët kaluan pa hedhur asnjë bombë duke kujtuar se kishin bombarduar të tjerët… Kështu kemi shpëtuar ne dhe fqinjët tanë përtej liqenit. Më pas plaku e mbështeti kurrizin tek muri i shkallës së parë, me një vështrim të gjatë dhe kuptimplotë në drejtim të liqenit.

– Kam vite, -miku im, -shtoi Myrtezai, -që jetën nuk e marr më seriozisht dhe nuk vuaj më për gjërat e të tjerëve. Tani shikoj vetëm xhanin tim. Alfredi ndryshoi në fytyrë dhe përjetoi një tronditje. Fjalët e Myrtezait e goditën si me kamxhik. Ai e kuptoi dhe iu drejtua Alfredit.

– Ty ore miku im, -çfarë e mirë të solli në fshatin tonë?

Alfredi u mundua që të shtronte zërin dhe u përpoq që të shqiptonte sa më qartë fjalët, por dridhja dhe troshitja e zërit u dalluan dukshëm. Ndërkohë që fytyra iu skuq e iu bë ngjyrë vishnjë, sytë iu hapën së tepërmi dhe morën pamje kërcënuese. Plaku e kuptoi se miku i tij i ri mbante mbi supe një hall të rëndë. Me duart që i dridheshin Alfredi i zgjati Myrtezait një cigare. Më pas ai i tha Myrtezait se do kishin kohë të flisnin nesër. Myrtezai e pa me keqardhje duke iu lutur që drekën ta hanin bashkë. Ai një ditë më parë kishte kapur një krap të madh në liqen dhe i tha Alfredit ta piqnin aty, në zallin e liqenit dhe të pinin nga një gotë verë. Të nesërmen, plaku e kishte bërë gati krapin dhe e poqën në prushin e zjarrit. Alfredi mori nga shtëpia dy shishe verë dhe u afrua pranë zjarrit. Era e mire e peshkut të pjekur në prush e ngopi ajrin rreth e rrotull. Krapi ishte i madh dhe ata po kënaqeshin. Edhe pse kishin pirë disa gota verë, Alfredi ishte i kthjellët dhe tepër i qartë në arsyetimet e tij. Në pije e sipër Alfredi mendoi që t`ia tregojë hallin e vet këtij plaku të mirë. Por në çast iu duk sikur i ra qielli mbi kokë. Më në fund, Alfredi mori guximin te flasë.

– Më shikon mua, që jam përballë teje? Para ca kohësh kam qenë në zgrip të humnerës. Çfarë nuk bëra që të vdisja. Para ca muajsh preva damarët. Erdha të mbytem në këtë liqen ku jemi bashkë. Por zoti nuk më la të vdisja deri sa të mësoja të vërtetën. Një të vërtetë që ma ka shkuar tërë jetën dëm.

Myrtezait i ngriu gota e verës në dorë dhe shqeu sytë.

Alfredi vazhdoi: – Gruaja me të cilën kisha jetuar 45 vjet, që pas pesë vitesh martese me mua, lidhet me një burrë tjetër. Dashurohet pas tij marrëzisht për vite me radhë dhe unë e zbuloj këtë gjë dy vjet pas vdekjes së saj. Ishim pa fëmijë dhe njëri-tjetrin e donim shumë. Zoti nuk na dha fëmijë dhe kjo mungesë e fëmijëve na lidhi akoma më tepër.

Myrtezai ia priti: – Jo ore mik, kur të do dikush, nuk të tradhton! Por unë besoj se këto do të jenë llafe poshtë e përpjetë, nga një takëm llafazanësh.

Por Alfredi ia preu shkurt:

– Kështu do besoja edhe unë, por kam gjetur një mal me letrat e dashurisë që dashnori ia dërgonte.

Myrtezai ngriti duart lart dhe tha:

-Po të kesh gjetur kartat e jaranit, nuk kam se çfarë të them. Më ardhka shumë keq.

Alfredi vazhdoi: – Më la një pleqëri të tmerrshme, të mjerë, pa dashuri, pa mall dhe kujtime… Në vend të zemrës më ka mbetur një copë gur.

Alfred Pirgu tejet i trazuar dhe shqetësuar pas pak heshti u struk Brenda qenies së tij. Këtu buzë liqenit, pranë këtij plaku të panjohur më parë, Alfredi kuptoi një të vërtetë të madhe, se ai duhet të flakë kujtimet me Zhulin që të mund të jetonte vitet e jetës e tij. Ata i pinë të dyja shishet e verës dhe çuditërisht ndjeheshin esëll. Por asnjeri nuk fliste. Të dy u bënë gjuhë lidhur.

Më pas Myrtezai u shpreh:

– Tani tek ty duhet të veprojë vetëm harresa. Ky është ilaçi më i mire, – tha plaku me sytë e buhavitur ku lexohej lehtë dëshpërimi për Alfredin. Më pas Myrtezai i tregoi Alfredit një histori tjetër:

– Kishim pasur në fshat një brigadier që ishte edhe sekretar partie i fshatit. Ai i ngacmonte gratë e fshatit në brigadën e tij. Madje, edhe pse ka vdekur, ky brigadier kopuk ka fëmijë në fshat të cilët i ngjajnë atij kopje. Edhe plaka ime punonte në atë brigadë. E shikoj që kur vinte nga puna në cooperative qëndronte e menduar. Pasi e shtrëngova unë, më tregon se brigadieri i thoshte ca fjalë që asaj nuk i pëlqenin. Pa i thënë gruas e ftoj këtë brigadier zuzar një ditë për peshk dhe e marr në varkën time. Sapo u futëm në thellësi e hedh nga varka në ujë. Uji ishte i ftohtë se ishte vjeshtë. Ai po përpëlitej në ujë, unë eca disa metra me varkë. Po qante si fëmijë. I thashë: Po t`i trazosh më gratë e fshatit, kështu do të mbyt! M’u lut si fëmijë. E nxorra në breg si mi të lagur duke e pështyrë në fytyrë. Gruan nuk e nxorra më në punë. Ai nuk u ndje fare. Kur më shikonte mua ndërronte rrugën. Ka disa vite që ka vdekur. Kur shkova një ditë në varrezat e fshatit tek varri i tij lexova një epitaf “Vdiq i pa ngopur në këtë jetë”. Në kllapa shkruhej “jo për bukë”. Ishte kurvar ordiner! – ngriti zërin Murtezai.

Alfredi vuri buzën në gaz. Qenka e fortë kjo thënie, -mendoi- “Vdiq i pangopur me femra”. Myrtezai e vështronte qetësisht. Alfredi ishte burrë shumë i pashëm, me një zë të ngrohtë, edhe pse të ngjirur nga dhimbja. Spikatin tiparet mashkullore energjike, ndonëse kishte shumë vite mbi supe. Ata u ndanë secili nëpër shtëpitë e tyre, të heshtur…

Të nesërmen Alfredi nuk po e pinte kafenë. Ishte në pritje të Myrtezait. Ishte i qetë dhe kishte bërë një gjumë shumë të rehatshëm nën mbretërinë e valëve të liqenit. Klithjet e pulëbardhave ishin të parat që e zgjuan.

Doli dhe u ul në stol, pak metra larg bregut. Në liqen kishin hyrë për gjueti shumë peshkatarë. Nga larg varkat e tyre ngjanin të vogla si ato që fëmijët bënin prej letre e lëshonin në pellgje uji. Befas pranë vilës u afrua një motobarkë duke sjellë një gjëmim nën ujë. Shkuma e krijuar mbrapa varkës ngjante si një ugar i trazuar që ndante liqenin në dy pjesë. Në motobarkë ishte Myrtezai, i cili e ankoroi varkën në zall. U takuan si dy miq të njohur prej shumë kohësh, e jo sikur ishin njohur para një dite. Alfredi ishte tip i ftohtë, por për ata që i ngjitnin, që me takimin e parë i bënte miq. Ata pinë kafenë tek vila e Alfredit dhe morën ca djathë, bukë dhe sallam për ta ngrënë mëngjesin në liqen. Dukej sheshit, se Myrtezai që kishte ardhur me gjithë motobarkën, kishte plan që të shëtisnin në liqen. Alfredi u vendos në krye, pranë një tende plastike që kishte motobarka, ndërsa Myrtezai afër motorit. Befas motobarka u shty përpara dhe motori gjëmoi nën ujë, duke krijuar shkumë e dallgë. Filluan të ecin në drejtim të thellësisë. Bluja e liqenit sa vinte edhe theksohej dhe uji dukej si i lyer me mellan. Mbrapa i shoqëronte një tufë pulëbardhash. Në këtë kohë nisi të fryjë një erë që peshkatarët i thoshin llackë. Myrtezai nxori rrjetën që e kishte vendosur tek bazamenti i motobarkës.

-Pse do ta hedhësh rrjetën për gjueti? – e pyeti Alfredi.

-Do ta hedhim, por pak më tutje, se këtu nuk ka gjë, – iu përgjigj Myrtezai. – E njoh liqenin me pëllëmbë. Kam një jetë të tërë në këtë liqen.

Tashmë në sytë e Alfredit liqeni nuk ishte më një fushë e kaltër që mund të kërkosh fatin…

-Peshkimi nuk është fat, – ia preu mendimet Myrtezai, – por shkencë, përvojë.

Pasi ecën edhe disa minuta Myrtezai shoi motorin dhe përgatiti rrjetat të cilat i lëshoi në liqen. Më pas Myrtezai nxorri kutinë e duhanit dhe e mbushi me duhan. Edhe Alfredi ndezi një cigare. Liqeni filloi të ngrohet nga dielli dhe si për të shprehur ngazëllimin, lozte me brigjet duke i spërkatur me shkumën e valëve. Era që frynte ua mbushi mushkëritë me oksigjenin e pastër që dukej sikur filtrohej përmes kallamave. Era e peshkut u përzie me aromën e eshkës me të cilën Myrtezai ndezi çibukun. Myrtezai u djersi gjatë hedhjes së rrjetave, ndërkohë që Alfredi e shikonte gjithë zili. Një i moshuar që po i afrohej të 80-ve ishte i fortë si një shkëmb. Myrtezai ia nguli sytë Alfredit dhe foli:

– Edhe unë kujtoja se vetëm unë kisha halle, duke jetuar në këtë moshë i vetmuar, por halli-hallit nuk i ngjaka… Ajo që i kishte treguar Alfredi e kishte lënë mbrëmë pagjumë… Alfredi heshti dhe uli kokën.

– Më iku jeta dëm!…

– Hë, more mik, – shtoi Myrtezai, sa burra ka që ia u dredhin gratë, por nuk e dinë dhe i shtrëngojnë pas krahu!… Burri e merr vesh i fundit, po nëse ti nuk do t`i kishe gjetur ato letra, apo gruaja t`i kishte grisur, ti do të ishe bërë kurban.

– Lëre, lëre…, -ia preu Alfredi. -Ajo grua për mua është fshirë… nuk ekziston asgjë…

– Mirë, mirë, – e ndërpreu Myrtezai, -por ato 45 vjet që ke jetuar me gruan, ku do t`i çosh?

Alfredi heshti. Myrtezai pasi e pa drejt dhe në sy i tha Alfredit:

– Tek oborri i shtëpisë kam një fik. Sa herë shkoja për dru, mbushja një shportë me fiq dhe hipur mbi kalë, deri sa shkoja tek mali për të prerë dru, njomja gojë me ndonjë fik. Një ditë fiqtë mu dukën shumë të shijshëm. Më të shijshëm se çdo herë tjetër. E hapa njërin fik për të pare se ku ishte sekreti dhe pashë se fiku kishte zënë krimba nga brenda. Zbrita nga kali, futa gishtat në grykë dhe i volla fiqtë…. Po ti, ore miku im, a mund ta vjellësh një jetë të tërë, ashtu si unë nxora fiqtë?

Alfredi shtangu.

– Prandaj, – vazhdoi Myrtezai, – lëre Zhulin atje ku është dhe shiko jetën tënde. Mos u merr më me të vdekurin, se ajo e mbylli kapitullin e saj… – Eh, -shtoi pas pak Myrtezai, – t`i mund të bësh një analizë me veten tënde, se çfarë ajo nuk gjeti tek ty që ta drodhi!

U vendos një pause heshtjeje. Alfredi ngjante me atë shahistin që kapet mat. Ai e pa me bishtin e syrit Myrtezain, duke menduar, se një fshatar pa shkollë po i jepte mend atij leksion… Por çuditërisht, fjalët e tij kishin zënë vend!…

Myrtezai po tërhiqte rrjetat pas gjuetisë, ndërsa Alfredi tymoste cigare. Motobarka po i afrohej gadishullit të fshatit. Në pjesën shkëmbore filloi të duket edhe vila e Myrtezait. Pak më pas edhe shtëpitë e fshatit. Rrjetat që kishte hedhur para disa orësh në liqen ishin plot me peshk, barku i të cilëve shndërriste si argjend. Mbi liqen filluan të kalojnë rryma të lehta dhe valet dukeshin sikur nanurisnin lehtë

…- I bukur liqeni, – foli Alfredi.

– Po, po, – tha Myrtezai. Tani në kthim është akoma më i bukur… sidomos pas kësaj gjuetie të mbarë…

Drekën e hëngrën përsëri bashkë, me peshkun që sapo kishin kapur. Gjatë drekës Alfredi dukej i shqetësuar dhe herë-herë binte në mendime.

– Pse mendohesh? – e pyeti Myrtezai.

– Më duhet të shkoj në qytetin tim, të marr rroba për t`u ndërruar. Erdha për një ditë të shikoja vilën dhe kaluan tre ditë pa u ndjerë.

– Mos u mërzite?

– Jo, jo – ia priti Alfredi. – Brenda dy ditësh më ke këtu.

Alfredi nuk piu verë se i dhembte koka. Peshkun e poqën në tjegull, një specialitet tjetër i Myrtezait. Alfredi edhe pse po kënaqej shumë, mendjen e kishte gjetiu… Kur shkoi tek vila e zuri gjumi menjëherë. Ishte e vështirë t’i bënte një analizë asaj që i kishte thënë Myrtezai. Ai ishte një plak i mençur që kishte përvojën e jetës. Nuk ishte vetëm një i moshuar i këndshëm, por edhe një njeri shumë i zgjuar. Kishte aftësi që të tregonte histori të ndryshme duke i lidhur me problemin në fjalë, deduksioni i të cilës të shpartallonte! Përvoja e tij e jetës, intuita dhe arsyetimi i fortë të impononin respekt dhe admirim.

 

Kreu i dhjetë

 

Herët në mëngjes Alfredi u nis drejt qytetit të tij. Ishte një ditë e nxehtë prilli. I zhytur në fundin e një minibusi, ai filloi të meditojë… Risolli në mendje gjithë turbullirën e kohëve të fundit. Nëpërmjet autoanalizës Alfredi zbuloi atë që është njerëzore dhe gjërat që përjeton njeriu kanë një mister të brendshëm. Të gjithë jemi të aftë të urrejmë dhe të dashurojmë. Kureshtja për të ditur se pse njerëzit tradhtojnë, është një tërheqje e palëkundshme e jetës. Sjellje të tilla mund të jenë produkt i një mjedisi të caktuar apo i genit, ose i të dyjave bashkë. Eshtë e pamundur që t’i përgjigjesh saktë kësaj pyetje. Mjegulla e mos perceptimit i shoqëroi gjithë udhëtimin. Kur zbriti nga minibusi tek agjencia, një grumbull lypësish zhele-zhele iu lëshuan udhëtarëve duke iu kërkuar lëmoshë. Alfredi u fali të gjitha lekët e shkoqura grupit të lypës. Tek i shihte se sa ata u lumturuan, Alfredi mendoi se lëmosha është e mire, por asnjëherë nuk zgjidh problemin. Iu duk se kot po hallakaste mendimet tek ata njerëz të varfër. U rikthye në fillin e arsyetimit të tij. Një gjë e kishte të qartë: Rrënjët e tradhtisë janë gjenetike, përderisa ai asaj gruaje nuk i kishte lënë asgjë mangët. Konfliktet shpirtërore që mund të lindin si shkak i evolucionit, Alfredi i rendiste në plan të dytë. Ai nuk do t’i vuante këto vitet e pleqërisë, nëse Zhuli do të ishte treguar korrekte me jetën saj nderin tij.

U fut në një restorant buzë rrugës. Kishte uri. Edhe në restorant ai vazhdoi meditimin. Kishte qenë gjithë jetën njeri i ndjeshëm, kishte pasur relat adashamirëse me njerëzit. Asnjëherë nuk mendonte se si mund që t’i bënte keq njeriu. Por tani në pleqëri duhet të tregohej edhe i fortë. Sapo doli nga restoranti shkoi drejt dhe në shtëpi. Sapo u fut në oborr lulet kishin varur kokën. Ai nuk ia kishte lënë Zanës çelësin e vilës. Tapeti i barit në kopsht kishte filluar të zverdhej. E nisi nga vaditja e tyre, ende pa u zhveshur. Impianti i ujit filloi të vadisë oborrin dhe kopshtin njëherazi.

U fut në shtëpi. Një heshtje vrasëse që ngjante me heshtjen e varrezave. Ju krijua një makabritet në shpirt. Mendoi të dale nga parku. U ul në një stol poshtë blirë ve. Çuditërisht aty iu kujtua një poezi. U mundua të sistemojë vargjet:

“Një plak e një plakë dhe një park, pranë ishte një stol dhe ata u bënë katër…

Pas një viti mbetën tre: Një plak, një stol dhe parku i gjelbëruar…

Por në vjeshtë mbetën veç dy: Parku dhe stoli… një stol krejt i vetmuar,

që pret aty a mos po kthehen ata dy pleqtë e dashuruar…“.

Poezia e turbulloi, por pse i erdhi pikërisht kjo poezi në mend këtë çast. Zhuli dilte shpesh shëtitje në atë park me Teutën mbase dilte edhe me Vangjushin. Stoli i tij ishte përballë Universitetit. Aty pranë tij u ul babai i një fqinjës së tij. Kishte parkuar makinën në anë të rrugës dhe priste vajzën të dilte nga fakulteti. Por çuditërisht vetëm pas një ore vajzën e tij e solli një benz… Ajo, sapo u fut në godinë, doli më pas dhe i ati e mori. Alfredit i erdhi për të qeshur, se si fqinja e tij e bukur edhe të atin e mashtroi. Të gjithë mashtrojnë, mendoi Alfredi. E mashtron nëna beben e vogël të sapolindur. Në vend që t`i vendosi sisën për të pirë qumësht, i fut biberonin… Sa e dhimbshme të mashtrosh një foshnjë! Kalon rastësisht një e njohur që ka veshur një fustan të ri. Edhe pse ajo mund të jetë e shëmtuar, çdokush do i thotë: sa e mirë që je bërë sot! Këto janë mashtrime të ëmbla, më pas vijnë ato të politikanëve… E tërë jeta është një mashtrim, mendoi Alfredi. Ishte turbulluar. Ndjeu nevojë të pijë diçka, për të humbur mendjen. Kishte qejf pijet me ngjyra. Përballë ishte një lokal i studentëve. U fut atje. Lokali ishte pothuajse bosh. Porositi një konjak ‘Metaksa’, më pas e përsëriti. Kishte dëshirë që të pinte e të harronte dhe më pas të flinte si qingj. Piu dhe një dopjo tjetër. Konjaku ishte i ftohtë dhe ai vazhdonte të ishte esëll .Kambana e kishës pranë binte me ndërprerje, sipas ritit kur vdes njeri .Oshtima e kambanës sikur e shkundi nga ajo gjendje. Ju kujtua kambana që binte ditën e varrimit të Zhulit, me intervale e shkëputje gjatë ditës dhe kur e çuan trupin në kishë. Më pas Alfredi doli nga topitja e plotë. Ishte pikërisht e njëjta datë që Zhuli kishte humbur jetën. Kishin kaluar tre vjet nga vdekja e saj. Kishte gati një vit që ai pas zbulimit të letrave të dashurisë nuk kishte shkuar në varreza, të prekte tek pllaka e varrit të saj. I lindi ideja që të shkonte t`i çonte një tufë lule, pasi Zhuli kishte qenë vajzë e vetme dhe prindërit i kishin vdekur prej shumë vitesh më parë.

Doli në rrugë dhe iu drejtua një taksie. U nis drejt varrezave. Ishte pasdite e nxehtë prilli e cila ngjante me një ditë të meskorriku. Kur mbërriti në hyrje të varrezave, shitësja e luleve po i mblidhte arkat me lule. Alfredi i kërkoi një buqetë shitëses së luleve, por ajo ia preu:

– Lulet nuk bëjnë për ju drejtor. U ka rënë ky dielli i pasdites dhe kanë filluar të vyshken.

Por Alfredi këmbënguli t`i ajo jepte një buqetë lulesh edhe pse e kishin humbur freskinë dhe kishin filluar të vyshken.

Shitësja i formoi një buqetë me karafila të kuq.

Alfredi u nis drejt varrit. Hapat i hidhte krejt bosh, pa asnjë emocion si herët e tjera. U afrua tek varri i Zhulit. I dukej sikur po shkonte drejt një varri të panjohur. U ul dhe vendosi buqetën e luleve. Fotoja e Zhulit iu duk si pak e njohur. S’kishte kaluar as një vit dhe ajo fytyrë po i dukej si e harruar. Fytyra e qeshur dhe flokët e rëna supeve dukej sikur i kërkonin të falur Alfredit për tradhtinë.

Alfredi ndezi një cigare dhe vazhdonte ta hetonte atë portret, pafajshmërisht të këndshëm të fotografisë… Papritur në anë të varrit të Zhulit dëgjoi një klithmë:

– O baba, ku do ta lëvarrin tënd!

Thirrjet ishin në formën e kujës nga një mesogrua. Ajo vazhdonte dialogun në formën e kujës:

-O baba, kush do të sjellë një tufë lule tek varri!… Ti do rrish këtu i vetmuar dhe ne atje larg, mijëra kilometra!…

Ndërkohë, një burrë, tip pijaneci, me sy të skuqur vazhdon dialogun:

-O vjehërr, po na ka dale llotoja dhe do ikim në Amerikë!…

Situata u kthye pak komike dhe Alfredit i erdhi për të qeshur. Jetojmë në epokën e llotove, mendoi. Në momentin që nisi të largohej, dalloi të afrohej një burrë me një buqetë të madhe. Lulet e bukura dhe të freskëta ai i vendosi mbi varrin e Zhulit.

Alfredi e pa vëngër dhe desh ta pyeste se kush ishte ai. Por u kujtua, patjetër që duhej të ishte ai, Vangjushka! I porsaardhuri qëndronte i pikëlluar para varrit të Zhulit në mënyrë solemne, duke përkëdhelur me dorë foton e saj. Skena ishte vërtet e tronditëse! Dy realitete përballeshin heshturazi: Sedra e thyer e burrit nga besnikëria e humbur; me dashurinë e fituar prej pasionitdhe ndjeshmërisë shpirtërore!…

Alfredi u mat të largohej. Ktheu kokën edhe një herë nga varri, si për t’i thënë lamtumirë… Sytë i mbetwn mbi buqetat e luleve… i erdhi keq që lulet që ai kishte vendosur, dukeshin si të mjera para freskisë së petaleve të buqetës tjetër…

Alfredi hipi në taksi dhe i kërkoi taksistit ta çonte në shtëpi. Ai po mundohej të kuptonte mëkatet dhe përçmimin që iu kishte bërë të tjerëve. Mendoi se njeriu në këtë jetë duhet të jetë i lirë dhe i vërtetë… Më pas Alfredi arsyetoi, se tek çdo njeri ka më shumë gjëra për t`u admiruar se sa për t`u përbuzur… Jeta është një lojë e pamëshirshme e absurdit me njeriun, i cili shpesh mbetet viktimë e rrethanave të pakuptimta. Alfredi tashmë një gjë kishte plotësisht të qartë: duhej të pajtohej me situatën e re dhe t`i nënshtrohej fatit! Tani ai ndjehej i lirë nga ai makthi i tmerrshëm që e pushtoi pas gjetjes së letrave. Ne çast vendosi se nuk donte t’ia dinte se çfarë mendojnë të tjerët për të. Nuk do të shqetësohej nëse njerëzit do shpiknin histori të mbrapshta për të. Historia e jetës së tij ishte historia e një njeriu që nuk la pas diçka në këtë botë. Ai kishte qenë i lirë dhe e kishte jetuar jetën në të gjitha dimensionet, ndërsa Zhulit ia kishte censuruar lirinë. Më në fund pas këtij ankthi çuditërisht po ndjehej i kthjellët.

Kur ai u kthye në shtëpi rizbuloi pjesën e pastër e të çmuar të shpirtit të tij, por dhe të fshehtat dhe mëkatet që nga fëmijëria e tij e hershme. Ai e ndjeu se duhej të falte Zhulin, përndryshe do të binte në grackën e urrejtjes dhe të ankthit për gjithë jetën. Dhe nëse nuk do të falte Zhulin, ai nuk do të ishte në gjendje të falte veten e tij… Pavarësisht se po përpiqej të justifikonte të kaluarën tij, ai e kishte te qartë, se të falësh me mendje nuk do të thotë se ke falur edhe me shpirt. Alfredi do t’i kalonte tashmë vitet e fundit të jetës atje, majë shkëmbit ku ndodhej vila e tij buzë liqenit… Çdo mbrëmje e zinte gjumi duke parë stërkalat e liqenit, përzier me vezullimin e yjeve që shndërrisin në qiell. E çdo mëngjes, zgjohej në nmelodinë e valëve që puhizave e erës dhe klithjeve të pulbardhave.

Pogradec, prill 2009.

Please follow and like us: