Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Lasgush Poradeci

Ti buzëndritur në stoli

 

Nër ato male shtat-mëdhaja,
Nër ata pyje me fshehtësi,
N’ato mburima lozonjare,
N’ata shkëmbenj plot llaftari;Ku fryn një erë pastërtije,
E vetëtin një bukuri,
E ritet malli posi deti,
E ndizet zemëra në gji;

Ku nuku duket asnjeri,
Ku vemi shpesh veç un’e ti
Ku djeg si zjarr, moj dashuri!
Ku ndrin si yll, moj perëndi.

TI PO VJEN QË PREJ SË LARGU

Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lëndina.
Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trëndelina,
Shtrihet luleja mitare e zembakut që t’u fal.

E si shkon me hap të matur, më pushton një dhëmshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbës s’ate,
T’i pushtoi i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli këmba jote.
Të të shtroj nga dhëmbja ime një çudi prej pikash lote,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.

Të m’a shkelish hije- letë! të m’a shkelish mes për mes!
Të të shoh si më lëkundesh me sy fjetur e fatuar,
Brënda lotëve të mija të të shoh të pasqyruar,
E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes.

SYT’ E TU VETËTIMTARËT

Syt’e tu, vetëtimtarët, i mbulon pluhur i zi.
Syt’e tu vetëtimtarët ndezin yj mi vala detesh.
Me vështrim të perënduar, kaq hirplotë ti më mbetesh
Si t’i fshesh qipall’e rëndë të paçmuarat stoli.

Kur i pash’oh! Në nat’helmi, hën’e largë-ish derdhur n’ar.
Kur i pashë në nat’helmi, ar i derdhur m’u bëj zija:
M’u bë gas ndaj fërfëllonte vgjeri-i shenjt’ hijen e tija:
Mi shtrat fletë sapo shtruar… na shij qjelli zilitar…

Syt’e tu- enigm’ e kohës; syt’ e tu-çudi pa çmim;
Syt’e tu- çkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte.
Kish durim yll’ i zhuritur, yll me zjarr durimi kishte,
Që krijoj kaq dritë djelli, që mbaroj kaq dëshërim.

Syt’e tu vetëtimtarët, sillen qark gjerakorisht.
Syt’e tu vetëtimtarët ëndërojne-aq të qetuar.
Ndaj shtron hijen vgjeri-i shentë kur i putha-i llaftaruar,
Syt’e tu vetëtimtarët buzëqeshnë dhemshurisht.

PËRSE TË DUA

Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-

Prandaj.
Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë-
Prandaj.

Se të desha prapë,
Dhe t’u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.

Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s’të gjeta vashë-
Prandaj.

Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.

Dhe s’më flet përhera,
Dhe s’më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.

O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj.

Please follow and like us: