Albspirit

Media/News/Publishing

Nexhat Halimi: Fshati me një shtëpi

 

Tregim

 

Guri i palosur mbi gurin e ngulur në brez të bjeshkës. Udha lakohej rreth e qark shkëmbit, të zbriste prapë te guri i zgjidhur nga muri i shtëpisë që tashmë shkapërderdhej.

–Çfarë ngjet?! Bien muret e vjetra, ngelin pa të zotët e vet!

-Vetëm hija i ndjek.

-Hija e atyre që për unaza kohësh i shoqëroi, – dëgjohet nga brendësia e secilit send zëri i çjerrë i derdhur ndërmjet.

– Bie hapësira në gur!

-Gur qe e mbetet prapë gur, djerrinë, – më thotë njëri nga druvarët, me të cilin ec përkrah.

E mesdita flinte pikërisht në gur. Lëviz. Rrokulliset. Jep shpirtin e vet të lashtë…

Shiu tashmë prante e dielli nxirrte syrin e zjarrtë përgjatë kurrizit të secilës bjeshkë, ndërmjet flegrave të përhirta prej guri,të latuar me mjeshtri.

Është e s’është pranverë në shkurt!

Druvarët kthenin nga qyteti i xehetarëve, të lodhur, me sy të picërruar e buzëshkrumb, nga me mund përcillnin shalët thatake të shokut që ikte përpara, e – në bregun mbi Lisicë, të ndahen, të nisen nëpër kurrize për në shtëpia. Fillikat, me meditime të thella, vetanake për jetën – e, më të pasur për një grusht para nga dengjet e drurëve të shitur. më të plakur për një ditë, më të thellë për një udhëtim.

Gjithmonë përsëriten degëzime  në atë breg, në ngjitje e zbritje. E, secili -në kthim nga kishte zbritur në ag, shuan etjen e zgjuar në kroin e lashtë të  Lisicës. Ndahen siç takohen me mëngjes, të zbresin në Pazar me kuajt e mushkat e ngarkuar me dengje drurësh. Ata që mungojnë ndoshta tashmë i shikojnë për dritare të shtëpish gjysmë të rrënuara, në kujtim të hapësirës së jetës së ikur.

-Te ky krua ngjet e tërë kjo,- më flet druvari, që më ec përkrah, me një frymëmarrje të thellë. Ngjet kjo tashmë e sa pranvera e vjeshta…vetëm unë i shkëputem vargut të malësorëve, që u mbathën kurrizeve për në shtëpitë e fshatin e tyre, tek harkojnë jetën e vet – një, me këtë shpatull guri… –Hesht për një çast, vetëm për t’u kollitur, e prapë flet, njeriu thatak nga Lisica, e unë – ngul, e unë kureshtje e shikoja në sytë e zezë, të skalitur përreth nga rrudhat e lëshuara.

Druvarët tashmë shihen të rralluar nga larg, në brigjet nën mjegull të dendur e të përhirtë. Përbironin dhiareve thepore nga bjeshka në majën tjetër të bjeshkës e ne sikur i matnim për çudi në këtë mesditë hijet nëpër gur, afër kroit rrinim e sodisnim me kureshtje para vetës: një pullaz, të përhirtë.

-Kjo shtëpi prej guri është imja, – tha druvari.

-Të shkojmë sonte te unë e çfarë ka qëlluar do të pimë e të hamë…Për muhabet nuk iu lë aspak keq, ore.

-Ti e bëre nderën tende, ore. Mos e zgjat më tepër, -e ia zgjatëm dorën njëri tjetrit, me dëshirë të shihemi për të mirë. Ai iu afrua derës së oborrit, tevona ktheu kokën na shikoj e hyri brenda. Pak më pastaj dëgjuam një mori zërash.

-A kalove mirë, baba.

-Mirë të kesh ardhur.

-Ndoshta nuk ke harruar t’ m’i blesh lapsin e një fletore?

-E mua fyellin, baba.

-Ka mbetur vetëm dhe pak të punoj në të mjeshtri. Ndoshta e kryen herën tjetër. Nuk ka shumë punë aty, vetëm ta latoj dhe pak që t’i dalë zëri më i mirë.

-Kaq shumë javë iu dashka mjeshtrit të punoj në një fyell, baba. Ka javë që e ke porositur, – rrodhi nga andej gardhit me thupra zëri thellë i dëshpëruar.

-Ndoshta javën tjetër e kryen punën!

E  vargut të druvarëve të shkëputur e të lakuar monopatesh në breg mbi Lisicë iu ndamë dhe ne bashkë me  AhmetiLatifi, kreun e shtëpisë së vetme, që po flinte në atë gjysmë shpat, tek e gjelbra dhe e verdha rrinin afër, kishin një gjuhë e një dritë.

(…  e  ndërmjet si t’i ikësh mendimit të  thellë, për bisedën e tjerr për fyellin që kaq gjatë do punë të latohet, apo vetëm pse malësore nuk ka metelikë ta paguaj atë… e ndërmjet si t’i ikësh mendimit sesi u soll e vërteta e zbrazjesh së fshatit, si u soll çdo gjë në këtë mënyrë, nga shtëpitë e gurit tashmë të ngelin vetëm gërmadha – katrorë nga  guri, sesi ndodhi kjo,  nga cila kohë?! Dera, cila është, nga hynë e dolën stinët, pse cijat apo s’cijat e vetme në atë djerrinë hapësira e zbrazët…  do të fle këtu  e tutje e gjelbra në gurë, apo e verdha që, me gjuhën jashtë vizatonte verën e vet, apo jepte shpirt?!)

Ahmetit i fryhet delli në  ballë  t’i zbret në mënyrë vertikale fytit të vrugët, t’i mbështillet qafës ngjyrë kafeje si gjarpër, e të marrë ngjyrë të murrme, të mbyllur.

E prapë, -…këtu mbetem, tash e sa pranvera e vjeshta  vetëm unë, i shkëputur nga radha e druvarëve, e edhe e xehetarëve, që ikin dhiareve, larg, për në shtëpitë e  veta…

–…çdo gjë ndryshon në  mënyrën e vet, – ndërhyj.

-Natyrisht, ndryshon çdo gjë për të mirë e jo…

-E jo?

-Ndryshon, ndryshon… veç kurrë   guri nuk bie nga vendi i vet. E në fillim këtu qe vetëm guri,pastaj lëshoi shtëpia, pastaj një copëz e oborrit do të thuret me thupra, e natyra e pakufishme… e secilit varet kush sesi e përjetonte, me lugje, me brigje, me drurë të pasur ahu e bungu

-Natyra është e tillë, njëjtë. E pasur!

-Natyra, pa njerëzit e vet!

-Lëviz, çdo gjë! Ndryshon!

-Natyrisht, ndryshon, – tha dhe e uli kokën me rrëmbim. -…ishte por, kështu në një  kohë, ende të njomë, çdo gjë, si thua… guri! Ja, erdhinga kohë e lashtë, megjithatë, e tillë e jeta ndryshoi e, edhe ne, njerëzit!

Këtu, në këtë breg s’isha i vetmi që shkëputesha nga vargu i druvarëve, xehetarëve, i fshatarëve të Shalës. Mbe­teshin me mua dhe shumë këtu në këtë burim të lashtë të Lisicës të shuajnë etjen, të uleshin në gur e të tirrnin mendime për jetën në malësi, për atë veta­nake, e — edhe për atë, këtë nën hije të thella të maleve plaka.

Lisicën s’e prekte nata vetëm me një pullaz, vetëm me një tym oxhaku. Frymonin, në këtë gjysmëshpat edhe njëzet e më shumë familje, e tash s’janë më.Braktisën çdo gjë, ikën… — po më fliste Ahmeti, e unë, diktoja te ai ndryshim, sidomos nga po i thahej fyti, e — me mund nxirrte secilën fjalë, që do të mund të ndërrohej edhe në sharje, e ndoshadhe në dashu­ri.

-E the fjalën në dashuri?

-Pikërisht. Unë kam dashuri të pafund për këtë pëllëmbë tokë. Njëjtë siç e ndiejnë kaq shpirtra, qoftë tashmë larg apo afër…

-Veç ndërkohë ndodhi ikja, apo jo? E pse?

-Pse ikja,braktisja, -i them dhe e përsëris.

-… ikën, e pse? Braktisën vatrat e varret meqë s’kishin mjaft tokë buke, s’kishin (s’ka as tash) rrugë të mirë, e as rrymë elektrike — dritë. Për t’i parë gjërat që ndodhnin në jetë. E kaq gjëra të bukura ndodhin. Natyrisht, duam t’i përjetojmë, ta zgjerojmë horizontin e dijes…

Secili edhe i kishte dhembjet e veta. Frymonin këtu, e sytë gjithmonë- në rrafsh, gjatë, në këtë mënyrë stinët ranë kat-kat në gur, deri te ai iguri i fundit, i cili  rrënoi shtëpinë me themel, e rrënoi ardhmërinë në këtë hark të botës. Në këtë mënyrë, ata i mblodhën plaçkat. Njëherë njëri, më pastaj tjetri, e i treti dhe zbritën  në rrafshinë…

-Pse? — prapë i them.

-Ata, me kohë nisën t’i ikin tokës, ta lënë djerrë. S’bënin hulli në të. Përtesa çdo fryt e vret mu në farë…Po ngjau rrënjën ta ruajë, atëherë papuna e djeg frytin pikërisht në lule.

-Ra në këtë mënyrë kjo e keqe?

-Është një e keqe tjetër…

-Cila?!

-Gazrat e fabrikave të shpërndara në tokë … Kulm mbi tokë nuk lanë… Ishte dhe kjo: një pjesë të tokës, edhe ashtu të pamjaftueshme për bukë e mori „Trepça” për nevojat e veta…

– Dhe? — ndërhyj.

-Eata, që çdo ditë frymonin këtu, shuanin etjen ne kroin e lashtë, zbriten përgjatë rrjedhës  së uji në rrafshinë.Braktisën vendlindjet, shtëpitë mbetën të zbrazëta (disa edhe sot s’janë rrënuar tërësisht) – e në to, mbretëron vetmia…

-Ato shtëpi, edhe pse ta zbrazëta, e kanë domethënien e vet, ndoshta…

E shikoj, kush e di për të satën herë Ahmetin, e  mendoj: cila mund të jetë rruga e kthimit. Ai e fërkon ballin e kthen plisin në kokë dhe shikon larg, andej nga janë hedhur nëpër kurrize shtëpitë e shpërndara, si yje të vetmuar,të Rahovës e të Lipës, e mendohet.        Prapë në ballë i fryhet delli i madh, tash pak më i kuqërremtë.

Fshati me një shtëpi, Lisica. Me vetëm pesëmbëdhjetë banorë, do të mbetet edhe pa ta, do të mbetet vetëm me kroin e lashtë nga e rrjedh ujin nën hënë dhe varret e vetmuara në natën e thellë, derisa të rrafshohen.

…Fshati, ndoshta nuk përfundon këtu. E ka edhe rrugën e dytë të kthimit. Lisica të lidhet me qytetin e xehetarëve, me gjuhën e asfaltit. Pret, vetëm t’i shkrepë dhe drita elektrike sa më parë. E sidomos, sa të gjendet ilaçi për gazrat e fabrikave të Trepçës, që tashmë mbysin bimët m’u në farë.

Lisica kurrë nuk do të jetë fshat i braktisur. Nesër nuk do të jetë as me një shtëpi të vetme, me një tym oxhaku! – thotë Ahmeti, Mohikani i fundit dhe gërmuqet në gjunjë e i bie kroit të lashtë sipër dhe një herëdhe shumë herë të shuajë etjen e zgjuar. Ai pi ujë e unë përpiqem të zë druvarët, me të cilët u ndamë  në bregun mbi Lisicë, tashmë  nga ikin në njëshkolonë, secili të përvidhet në shtëpinë e vet. Ja, tashmë më ikin sysh dhe  gjithnjë shikoj vetëm gjysmë shpatet, teke gjelbra dhe e verdha rrinin afër.

 

Please follow and like us: