Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Mbi ikjen e Besnik Hallaçit…

Covidi ka marrë dhe Besnik Hallaçin, biolog. “Ti ishe ambasadori i Natyrës së Kukësit në panelet shkencore dhe mediat sociale…” i drejtohet me dhimbje një nga miqtë.
Nuk e kam njohur personalisht, Besnikun, as mik në fejsbuk nuk pata fatin ta kem. Emrin e tij e kam hasur shpesh në blogun ‘Regjistri elektronik i specieve shqiptare’ ku percillte foto kafshësh e shpendësh nga Liqeni i Kukësit, Parku i Koritnikut e vise të tjera.
E vizitoj jo rrallë këtë blog, mbase se në kushtet e pandemisë më mungon natyra, flora dhe fauna jonë jetëdhenëse. Po mbase vizitat në këtë blog kanë edhe një tjeter shtysë: na kanë lodhur deri në neveri ca njerëz ekranesh, duke filluar nga politikanët llapaqenë e duke ardhur tek te rinjtë bjerrakohës të reality show-ve.
Besnik Hallaçi bënte pjesë në njerëzit e punës dhe dashnorët e natyrës, fjalëpak e punëshumë. Punonte tek administrata e zonave të mbrojtura në Kukës. Por aktiviteti i tij social e mediatik dëshmon se, para se të ishte rrogëtar i natyrës, Besniku ishte misionar i saj. Dhe si gjithë misionarët meriton respekt e mirënjohje.
Njerëz të tillë, me dashurinë dhe perkushtimin ndaj jetës dhe natyrës të kujtojnë vargjet e Walt Whitman: “Unë besoj se … edhe milingona është e përkryer, dhe një kokërr rërë, dhe veza e cinxamiut, /…dhe lopa që pëllet me kokën lart lë në hije çdo statujë,/ dhe një mi është një mrekulli që lë në hije një mori kokëboshësh…”.
Misionarë të ambjentit si Besnik Hallaçi edhe me ikjen e tyre na kujtojnë se natyra është altari i altarëve.
Please follow and like us: