Gresa Latifi: 2020, viti i vajzave e grave shqiptare
Ndonëse ishte vit i përballjes me një pandemi, megjithatë viti 2020 ka qenë tejet i mbarë për vajzat e gratë shqiptare, të cilat e shënuan vitin që e lamë pas me suksese të shumta, duke lënë gjurmë edhe në nivel global, shkruan AlbFem.
Politikë
Viti 2020 nuk ka se si të mos përmendet, kur Vjosa Osmani u zgjodh kryeparlamentare e Kosovës, duke u bërë kështu gruaja e parë në historinë e shtetit të Kosovës, që mban një pozitë të tillë.
Ajo ishte gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit në Kosovë, si dhe personi i dytë më i votuar në nivel vendi.
Suksesi i grave në politikë kaloi kufijtë kombëtarë, kur Ylfete Fanaj u zgjodh kryetare e Këshillit Kantonal, në Lucern të Zvicrës. Nuk ka se si të mos kujtohet ceremonia e veçantë e inaugurimit të saj, pasi në të përfshiu motive të prejardhjes së saj shqiptare, konkretisht përgjatë ceremonisë u këndua kënga “Moj e bukura more”.
Gentiana Fana është një tjetër grua shqiptare, e cila ndonëse e re në moshë, u bë këshilltare e presidentes së Kroacisë.
Ndërkohë, Ermina Lekaj Prljaskaj, politikane nga Kosova, fitoi mandatin e saj të tretë rresht si deputete e Parlamentit të Kroacisë, duke përfaqësuar atje komunitetin pakicë shqiptar.
Kur përmendet suksesi i vajzave e grave shqiptare në politikë, nuk mund të mos veçohet suksesi i Besiana Kadaresë. Ajo u përzgjodh zëvëndëspresidente e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në sesionin e 75-të të saj.
Afërdita Bogiqi ishte e vetmja grua që gjatë vitit 2020 u zgjodh në ekzekutivin e Monthey të Zvicrës. Ajo është gruaja e parë që u bashkua me ekzekutivin e Monthey pas tetë vjetësh pa gra, shkruan AlbFem.
Shkencë & Arsim
Majat në karrierën akademike mund t’i mbërrini edhe nëse bazat e formimit i keni marrë në vende si Kosova apo Shqipëria. Këtë e dëshmon rasti i Gresa Latifit, e cila gjatë vitit 2020 u bë pegadodge në universitetin më të mirë të Gjermanisë.
Vigjilenca Abazi është një tjetër emër që arriti majat e karrierës së saj, duke botuar një libër për një nga universitetet më të mira në botë, atë të Oksfordit.
Ajo është anëtare e ‘Emile Noel’ në Fakultetin Juridik në New York dhe asistente në Universitetin e Mastrihit.
Vajzat shqiptare gjatë vitit 2020 shkëlqyen edhe në gara. Era Syla fitoi Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2020.
E shumë e suksesshme u tregua edhe Qëndresa Sahiti, e cila ishte një ndër 10 fitueset e Çmimit Kombëtar të Ekselencës për të diplomuarit e vitit 2020 në Kanada.
Viti 2020 ishte shumë i veçantë edhe për Lindita Camajn.
Akademikja shqiptare u emërua “Director of Graduate Studies”, pranë Fakultetit të Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Houston-it.
Gjatë po të njëjtit vit, astronaturja e re kosovare, Pranvera Hyseni u bë edhe zyrtarisht pjesë e Fushatës Ndërkombëtare për Kërkime të Asteroidëve.
E gjatë muajit tetor, Shoqata Amerikane e Mjekëve Infermierë, i ka ndarë çmimin shtetëror për përsosmëri, infermieres Lindita Vinca.
Përderisa ky çmim shtetëror i ndahet çdo vit një individi i cili demonstron punë cilësore dhe angazhim në praktikën klinike, për Vincën kjo mbetet një sukses tjetër në karrierën e saj, shkruan AlbFem.
Biznes
Duke pasur në konsideratë, mijëra gra shqiptare që suksesshëm kanë udhëhequr binzese gjatë vitit 2020, po ndalemi vetëm në disa suksese që shënuan vajzat dhe gratë shqiptare në këtë vit pandemik.
Gratë shqiptare gjatë 2020-ës shënuan sukses të jashtëzakonshëm edhe në biznes. Një nga të ishte edhe Rudina Seseri, e cila në SHBA, nga Revista Entrepreneur u përzgjodh në mesin 100 grave më të fuqishme në biznes, në Universitetin Teknik të Munihut.
Ditët e para të pandemisë ishin tejet të vështira për çdo shtet, e veçanërisht për Kosovën, e për këtë ndihmë ofroi kreatorja e njohur nga Kosova, Lirika Matoshi.
Ajo mblodhi mbledhur plot 23.250 dollarë amerikanë për vetëm 4 orë, si ndihmë për familjet në nevojë në Kosovë, vetëm nga shitja e maskave që kishte prodhuar.
Ushtri
Viti 2020 duket se ishte viti më i suksseshëm për gratë shqiptare në ushtri.
Arelena Shala është shqiptarja e parë nga Kosova, që ka arritur të diplomohet në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo më parë ishte emëruar në pozitën e udhëheqëses së Komandës së Regjimentit në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka komanduar me 1100 ushtarë amerikanë.
Kurse, Antigona Kalimashi, aspirante për nënoficere të Armatës së Zvicër, ishte personi parë që nga komandanti i përgjithshëm i ushtrisë mori dekoratën Ribbon për kontribut te jashtëzakonshëm.
Antigona kishte shpëtuar një person pas një aksidenti me tren.
Në Akademinë Amerikane të Rreshter Majorëve, në El Paso –Teksas, gjatë vitit 2020 ka diplomuar Reshter Major Rifadie Ramadani, duke u bërë një nga shqiptarët e vetëm me këtë arritje.
Muzikë
Viti 2020 do të kujtohet si një nga vitet më të suksesshme për vajzat dhe gratë e angazhuara në fushën e kulturës.
Kur përmendet muzika, nuk se si mos të shkojë nëpër mend emri i këngëtarës shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila vitin 2020 e bëri vit të sukseseve në karrierën e saj muzikore.
Janari i viti 2020 e gjeti Dua Lipën si një nga këngëtaret e para shqiptare që arriti t’i ketë dy miliardë klikime vetëm me një video në Youtube, përmes këngës ‘New Rules’.
Ajo u nderua me çmimin “Best British Act”, në edicionin e sivjetmë të ndarjes së shpërblimeve “Global Awards”.
Dua Lipa arriti që të rrëmbej një çmim edhe në “MTV Video Music Award 2020”, ku u nderua në kategorinë “Kënga më efektet më të mira vizuale”, për hitin e saj të padiskutueshëm “Physical”.
Lipa një dominim të jashtëzakonshëm e ka pasur edhe në ndarjen e çmimeve Grammy, ku u nominua gjashtë herë.
Albumi i saj i fundit, “Future Nostalgia” po konsiderohet nga kritikët si albumi më i mirë i vitit 2020.
Ky vit i solli suksese edhe këngëtares tjetër me prejardhje shqiptare, Rita Ora, e cila krahas sukseseve të arritura me projektet muzikore të publikuara gjatë vitit 2020, u bë edhe anëtare e jurisë në “The Voice of Australia”/
Për më tepër, këngët e tri këngëtareve me prejardhje shqiptare u përfshinë në Top 30 këngët më të mira në botë nga revista Billboard. Këto ishin: Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Ava Max.
Një sukses e korri edhe këngëtarja tjetër me famë botërore, Ilira Gashi, e cila njihet për stilin e saj “pa filter” dhe për zërin e saj të mrekullueshëm. Ilira, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, tashmë edhe zyrtarisht është ndër këngëtaret më të suksesshme dhe më të dëgjuara në Zvicër, duke mbledhur plot 87.7 milionë klikime në Spotify.
Art & Film
Ky vit solli shumë suksese për krijueset e artit në Kosovë, suksesi i tyre përgjatë vitit 2020 tejkaloi kufijtë kombëtarë.
Sukseset nisën me një nga aktoret më të mira shqiptare, Ilire Vinca, e cila ishte ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit. Ajo ka një karrierë të pasur si aktore e filmit, teatrit dhe si profesoreshë e aktrimit në Universitetin e Prishtinës.
Aktorja tjetër e mirënjohur nga Kosova, Adriana Matoshi fitoi çmimin “Aktorja më e Mirë” në Festivalin e Francës, për rolin e saj në filmin “Cold November” apo në shqip “Nëntori i Ftohtë”.
Gjatë muajit tetor, Matoshi ka fituar çmimin “Aktorja më e mirë”, në festivalin “Mostra de Venecia”, në Spanjë.
Antoneta Kastrati është regjisorja e njohur shqiptare, e cila me filmin “Zana”, e dërgoi Kosovën në Festivalin e Kinës. Ky film ka korrur sukses jashtëzakonisht të madh nëpër festivale ndërkombëtare të filmit, duke fituar disa çmime.
Filmi ‘Zana’ i regjisores Antoneta Kastratit, po ashtu është futur në mesin e 25 filmave më të mirë të zgjedhur nga ’48 Hills’. Sipas ’48 Hills’, në këtë listë bëjnë pjesë të gjithë filmat për të cilët ne kemi pasur nevojë më shumë se kurrë dhe të cilët janë vlerësuar nga kritikët e filmit.
Sukses të madh korri edhe regjisorja Kaltrina Krasniqi, e cila me filmin e saj të gjatë artistik “Vera andrron detin”, fitoi çmimin “Post Republic”, në Sarajevë.
Viti 2020 i solli suksese edhe aktores dhe shkrimtares shqiptare në SHBA, Erjeta Cufaj, e cila u bë pjesë e jurisë të festivalit ndërkombëtar të filmit “International Filmmaker Festival of New York 2020” (IFFNY).
Filmi debutues i regjisores dhe skenaristes, Blerta Basholli, “Zgjoi” (Hive), është përzgjedhur në konkurrencë zyrtare kryesore në festivalin e njohur, “Sundance Film Festival”, që do të mbahet gjatë këtij muaji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Viti 2020 nxori në pah shumë piktore, skulptore dhe ilustratore të reja, të cilat arritën suksese lokale e globale në këtë vit pandemik.
Një ndër to padiskutim është edhe Mimoza Rraci, e cila famë të jashtëzakonshme mori gjatë pandemisë me veprat e saj kushtuar pandemisë.
Madje, piktura e saj për mantelbardhët u bë edhe kartë postale në Tajlandë. Kjo vepër artistike shfaq një mjeke që në maskën e saj ka flamurin e Kosovës.
Së fundmi emër bëri edhe ilustratorja e re nga Kosova, Diellza Gorani, e cila vjen me emrin artistik “Diego”, që inspiruar nga Disney, solli një mori ilustrimesh të grave shqiptare që lanë gjurmë në histori, ku përfshihet emri i Norës së Kelmendit, pastaj Bareshës, etj. Për më tepër, ajo ka realizuar edhe një krijim tjetër artistik, të quajtur “Abetare e ilustruar e Prishtinës”, një minienciklopedi e qytetit, që njëherësh mund të shërbejë si një udhërrëfyes turistik, që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e kulturës së kryeqytetit të Kosovës.
Sport
Të fundit, por aspak për nga rëndësia, na vijnë sportistet tona, të cilat sikur në secilin vit tjetër, shënojnë në historinë e trojeve shqiptare suksese të jashtëzakonshme, madje edhe në nivel botëror.
Lista nuk ka se si të mos fillojë me Majlinda Kelmendin, e cila që në fillim të vitit 2020 u shpall “Sportistja e Vitit 2019” në Kosovë. Madje, asaj iu ngrit edhe një shtatore në qytetin e saj të lindjes, në Pejë.
Ajo mori edhe epitetin “Xhudistja më e mirë e dekadës” nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.
Suksesi i xhudistëve nga Kosova vijon me Distria Krasniqin, e cila fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Xhudos, që u mbajt në Budapest.
Ajo në nëntor fitoi edhe medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Xhudos, që u mbajt në Pragë të Çekisë.
Në Grand Slamin e Xhudos medalje fitoi edhe xhudistja e re, Loriana Kuka, e cila fitoi medaljen e bronztë. E po të njëjtën medalje e mori edhe në Kampionatin Evropian të Xhudës, në Çeki.
Sukses pati edhe në boks, me ç’rast bokserja nga Kosova, Donjeta Sadiku arriti të fitonte medaljen e argjendtë në turneun ndërkombëtar të boksit, “Balkan”, të mbajtur në Sofje të Bullgarisë.
Kur numërojmë sukseset e futbollisteve shqiptare, Kosovare Asllani mbetet histori suksesi në vete. Ajo u bë pjesë e ekipit të Real Madridit dhe hyri në histori si golashënuesja e parë në historinë e këtij klubi. Ajo vazhdon të mbetet një nga futbollistet më të mira në ligën e Spanjës.
Viti 2020 filloi më së mbari për alpinisten e re, Mrika Nikçi, e cila u bë vajza më e re në botë, dhe atë në moshën 14 vjeçare, që ngjitet në majat më të larta në shtatë kontinente, të njohura si “Seven Summits”.
Urojmë që viti 2021 të jetë po kaq i suksesshëm sikurse ai paraprak./AlbFem/