Alma Dema Tërshalla: A t’kam vy?
Ka për t’ardhë një ditë ku mendjes ke me i thirr
Me i kërku llogari si të kërkosh gjilpërën n’kashtë
E shpirtin ke me zhvesh lakuriq, si gjel deti n’t’ falenderimeve ditë
E si fetus ke me u mbledhë
Pa gërthizë të prerë, pa këmishë, gërthizës hjedhë…
Ka me ardhë një ditë ku ke për të dasht me ia nxjerrë sytë vetes e me verbërinë tënde dashninë t’kërkosh
Po, fiks si kërkohet gjilpëra n’kashtë
E verbëria jote, ka për ta gjet’ po, ka për ta gjet; n’dashtë…
Ka për t’ardhë një ditë a natë, kush po e di
Hija ka për të t’dalë për thonjsh
E ka për të të parë thellë n’sy
N’sytë e dalë
E ka për t’pyet: hë, a je ti?!
Hija, që të sillet rreth belit si uja, që këmbët t’i trallit
Ty, që deri dje, ishe avatar
Ka me ardhë një ditë e damarët e syve do t’i shohësh varë
Në sytë e dalë
E gjunjët do të të priten si i ftohti barkun ta pret
Kjo, që ti, anash i rrëshket…
Veten do ta pyesësh nën zë, pa sy
A bëra sa duhet
Ty, për çfarë t’kam vy…