Mevi Rafuna: Kur banaliteti quhet humor
Tek ne mjerisht iu jepet hapësirë mediatike turli lloji që me injorancën e tyre po shkatërrojnë këtë shoqëri.Këto ditë po qarkullon një video e të ashtuquajturit aktor Naser Rafuna i cili paraqitet me një skeç me këngëtarin Sabri Fejzullahu, e ku në mënyrën më të turpshme fyhen shqiptarët e besimit katolik. Është edhe më i mjerueshëm fakti se si RTK çdo javë ju shfaq publikut seriale të tilla banale.
Si kanë guximin këta persona të dalin hapur dhe të përçojnë frymë ndasie dhe urrejte kur dihet që kjo është dëshirë e kahmotshme e armiqëve tanë?
Si është e mundur që kaq hapur të fyhen shqiptarët e besimit katolik duke u quajtur shkie pse hanë mish derri kur ne falë klerit katolik ende ruajmë gjuhën dhe traditën shqipe?
Si është e mundur kjo fyerje e tillë banale dhe asnjë reagim publik apo institucional?
Edhe sa kohë do shkoj dhe ne do helmohemi me banalitet, ku në emër të lirisë së të shprehurit shohim dhe dëgjojmë lloj-lloj marrëzie?
Çfarë e ardhme i pret fëmijet tanë që helmohen nga kjo injorancë mediatike banale?
Ky skeç është aq i turpshëm fyes dhe çdo gjë tjetër përveç humorit. Ka shumë fytyra të tilla publike që përmes hapësirës mediatike po shfryjnë urrejtje, injorancë dhe çdo që tjetër përveç artit.