Kurti dhe 46 kandidatëve të tjerëve s’u lejohet të garojnë për deputetë
Prishtinë, 20 janar 2021 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk është certifikuar për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet e 14 shkurtit. Rrjedhimisht, ai do të hiqet nga lista e kandidatëve të kësaj partie.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se Këshilli Gyqësor i Kosovës ka informuar zyrtarisht se 47 kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk mund të rarojnë për deputetë, pasi janë shpallur fajtorë për vepra të ndryshme penale gjatë tri vjetëve të fundit.
“Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1,080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”, ka thënë ai.
Elezi ka bërë të ditur se KQZ ka kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë konfirmimin për përshtatshmërinë e kandidatëve për deputetë, bazuar në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në bazë të këtij ligji kandidat për deputet nuk mund të jetë një person që është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.
Elezi ka treguar se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe për Certifikim do të përgatisë rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe të kandidatëve të tyre dhe se këto rekomandime do të paraqiten në mbledhje të KQZ-së.
Ai ka thënë se këto rekomandime do të bëhen gati gjatë ditës së mërkurë dhe ditës së enjte, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim më së largu deri më 22 janar.
Elezi ka sqaruar se në rast se subjektet politike apo kandidatët që nuk certifikohen mund të paraqesin ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa de pastaj çështja mund të shkojë në Gjykatën Supreme.
Sipas tij, periudha e ankesave dhe e marrjes së vendimit përfundimtar do të përmbyllet më 31 janar, ndërsa tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve do të bëhet më 1 shkurt.