Joe Biden në inaugurimin e tij: “Kjo është dita e Amerikës dhe e demokracisë“
Uashington, 20 janar 2021 – “Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Një ditë e historisë dhe shpresës”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pasi bëri betimin si president I 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në platformën e Kongresit amerikan, në Uashington.
“Amerika është provuar dhe është ngritur ndaj sfidave”, theksoi ai.
“Sot, ne festojmë jo fitoren e një kandidati, por të një kauze, një kauze të demokracisë. Në këtë tokë të bekuar, ku vetëm pak ditë më parë dhuna u provoi të shkundë themelet e Kapitolit, ne, të gjithë së bashku, erdhëm për të kaluar në mënyrë të paqtë pushtetin. Siç e kemi bërë gjithmonë ne amerikanët”, tha presidenti në fjalimin e tij”, tha Biden.
“Ne mësuam përsëri se demokracia është e çmuar. Demokracia është e brishtë dhe, në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka mbizotëruar”, shtoi Biden.
Ai u zotua se do të jetë president i të gjithë amerikanëve, pa marrë parasysh përkatësisë së tyre racore, etnike, politike e të tjera.
“Kemi shumë për të rregulluar, shumë për të fituar. Pak njerëz në historinë e kombit tonë kanë pasur një kohë më sfiduese se sa kjo në të cilën gjendemi sot. Ky virus që ka marrë më shumë jetë gjatë një viti se sa Amerika i ka humbur në Luftën e Dytë Botërore”, u shpreh Biden.
Ai u bëri thirrje të gjithë amerikanëve të bashkohen përballë sfidave me të cilat përballet vendi.
“Në janar të vitit 1863, presidenti Abraham Lincoln e nënshkroi aktin e emancipimit. Ai tha se kishte dhënë shpirtin e tij në ky vendim. Sot, në këtë janar, edhe unë jap shpirtin tim për ta bashkuar kombin tonë. Dhe i kërkoj çdo amerikani të më bashkohet në këtë kauzë. Të bashkohemi për t’u përballur me armiqtë e përbashkët, si urrejtja, sëmundja, mungesa e punës, përmirësimi i arsimit për fëmijët tanë, të kalojmë ndasitë racore dhe ta mposhtim këtë virus”, tha presidenti Biden.
Në fund, presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara dha edhe një mesazh për gjithë botën.
“Amerika është vënë në sprovë, por do t’i rindërtojmë aleancat. Do të udhëheqim jo me shembullin e fuqisë sonë, por me fuqinë e shembullit tonë”, theksoi Biden./ylliria press/