Hebrenjtë pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri/Si i cilësonte regjimi komunist bashkë me çamët?
Kastriot Dervishi
27 janari është shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr.9280, datë 23.9.2004, si “Dita e Kujtesës”, në përkujtim të shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është fakt i njohur se Shqipëria i mbrojti hebrenjtë gjatë viteve të luftës në fjalë. Nuk mund të thuhet se qëndrimi i regjimit komunist ndaj tyre ishte dashamirës. Regjimi komunist nxori probleme gjatë riatdhesimit të tyre, si dhe i pati gjithnjë kontingjente të dyshuara.
Në një dokument të datës 13.11.1945 të kryetarit të misionit të UNRRA-s Oaklye Hill drejtuar qeverisë shqiptare, bëhej fjalë për një listë prej 70 hebrenjsh, 14 prej të cilëve nuk ishin riatdhesuar (larguar) ende.
Në një shkresë të datës 7.1.1946, drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, Koçi Xoxe, shkruante se ishte dakord për hebrenjtë (në origjinal izraelitët) e përmendur të riatdhesoheshin, me përjashtim të personave: Albert Mazza dhe Marko Menehem, të cilët ishin paraburgosur. Të tjerët që do shkonin në Jugosllavi duhej të merrnin leje nga legata jugosllave.
Megjithatë, procesi i riatdhesimit u ndal në vitin 1946. Në terminologjinë e regjimit komunist, ata cilësoheshin me përbuzje “çifutë”. Në direktivat agjenturore të vitit 1953 theksohej kontrolli i rreptë mbi çamët dhe hebrenjtë. Dyshimet rreth çamëve dhe hebrenjve ishin shtuar së tepërmi ndërsa faktet konkrete të veprimtarisë “agjenturore” të tyre thuajse mungonin fare. Direktivat vërenin se “nuk ka veprimtari armike në Shqipëri, e cila të mos jetë e lidhur me spiunazhin e huaj ose që të kalojë gjatë pa u lidhur me të”.
Në vitin 1952 organizata e hebrenjve në Austri mori masa për organizimin e largimit të hebrenjve nga “vendet e demokracisë popullore” për në Izrael.
Deri në vitin 1954 rezultonte se në Shqipëri ndodheshin 237 hebrenj, shifër që regjimi e konsideronte paraprake, por që ishte e përafërt. Numrin më të madhe të tyre e kishte Vlora me 140 dhe Tirana me 83 persona.
Në vitin 1961 bëhej fjalë se në vend ishin 92 hebrenj. Politika e regjimit ishte që ata të ishin në kontrolle të forta agjenturore.