Albspirit

Media/News/Publishing

Lutfi Alia: Arbërit nga Piqerasi, themeluesit e Villa Badessa

Prof. Lutfi Alia

 

Pas vdekjes të Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe pasi ranë Kruja (15 qershor 1478) dhe Shkodra (4 janar 1479)  dy bastionet e fundit të rezis-tencës heroike të popullit tonë kundër hordhive barbare osmane, ambasa-dori i Venedikut Tommaso Malpiero dhe Sulltan Mehmeti II – Fatihu, më 5 korrik 1479 firmosën aktin e pushtimit nga Pernadoria Osmane të gjitha trojeve arbërore. (Topkapi Sarayi Arşivinde Fatih II – Sultan Mehmede Ait belgeler Belleten, 53, 1950, pp 49 – 56, dokumenti E9695).

Pas pushtimit të Arbërisë, barbarët osmanë vranë me dhjetëramijëra banorë, shumë të tjerë i morën robër dhe i dërguan në Anadoll, grabitën, dogjën, çdukën, shkatërruan shumë vlera kulturore dhe artistike; shumë kisha i dogjën, të tjerat i shndërruan ne xhami; ndaluan të flitej dhe të shkruhej në gjuhën shqipe, vepruan egërsisht për të shkatërruar kulturën dhe artin arbëror, kërkuan të vrasin identitetin tonë kombëtar.

Kjo dramë e historisë sonë, u pasua me një dhimbje tjetër, largimin e shumë albanezëve drejt brigjeve të Italisë. Disa eksode njeri pas tjetrit, largime në grupe të banorëve për të shpëtuar jetën dhe fenë, një kalvar pa fund, ikje pa kthim dhe vendosja e përherëshme në troje të huaja.

Në vitet 1468-1550, nga trojet arberore u larguan mbi 250 000 banorë. Ikanakët e parë ishin familjet fisnike, të ndjekur nga një pjesë e madhe e popullit. Ishte ikje e detyruar, për t’i shpëtuar reprazaljeve, hakmarrjes primitive dhe gjenocidit të arbërve, që kryenin barbarët osmanë. Grupet e familjeve arbërore u shpërndanë në të gjithe territoret e Italise, por më shumë u vendosën në rajonet qendrore dhe jugore.

Një ndër eksodet e voneshme të arbërorëve është ai i vitit 1742, kur një grup i madh familjesh himariote zbarkoi në Pulja. Sipas Don Bellizi, ishin familje nga Piqerasi, Lukova, Likursi, Shen Vasili e Nivica-Bubar. Nje grup i familjeve nga Piqerasi u vendosën në Villa Badessa (arbëreshët e quajnë Badhesa) në komunën e Roshiano, Provinca e Peskarës – Abruco. (Lino Bellizi. Villa Badessa, oasi orientale in Abruzo. 1a Edizione, Tracce, Pescara 1994).

Villa Badessa, një oaz autentik arbëresh në Abruco, përbëhet nga familje nga Piqerasi, të ritit bizantin, me traditat e lidhura me kishën ortodokse, me pasuri kulturore dhe artistike të vendlindjes dhe me ruajtjen e gjuhës së vjetër shqipe. Komuniteti albanezo – italian i Villa Badessa tutelohet nga ligji Italian nr. 482 i vitit 1999, që sanksionon mbrojtjen eminorancave historike linguistike (D. Bonamore. Lingue minoritarie, lingue nazzionali, lingue ufficiali. legge 482/1999, Edit Franccoangeli, Milano 2008).

Historia e komunitetit arbëror në Villa Badessa, lidhet me dy rre-thana, së pari me kërkesën e oficerave dhe ushtarëve himarjotë të rekrutuar në Regjimentin Real Maqedon, të cilët i kërkuan mbretit Karli III i Napolit, të ndihmoheshin të sillnin familjet në Itali, për t’i shpëtuar shtypjes dhe reprazaljeve turke, presionit për t’u islamizuar dhe sulme-ve të vazhdushme të lebërve myslimanë, që i grabisnin banorët e krish-terë të bregdetit.

Paskuale Kastanja tregon se 25 rekruta dhe kapiteni Kostantin Vlasi i Regjimentit Maqedono – Ilir, i refuzuan rrogat, me kusht, që Mbreti Karli Burbon të lejonte vendosjen e familjeve të tyre në mbretërinë e Napolit. Natyrisht Mbreti Karli e miratoi kërkesën e tyre, madje dhuroi 3000 dukate ari për shpenzimet e udhëtimit. (Pasquale Castagna, Villa Badessa: Il Regno delle due Sicilie. Vol. XXVII. Napoli 1853, 132)

Grupi i ikanakëve të vitit 1742 ishin nga Piqerasi. (Papas Andrea Figlia. Manoscritto ineditto di Papas A. Figlia. Scritto a Napoli 12 giugno 1764). Në italisht emri Piqeras shkruhet Pichierri dhe shqip-tohet Pikierri, i ruajtur si mbiemër nga disa familje arbëreshe në Abruco dhe në Pulja, në komunën Faggiano – Faxhiano. Nga Piqerasi ishin 18 familje, që u detyruan të braktisin vendlindjen pas sulmeve dhe grabitjeve nga myslimanët e Golemit dhe Borshit, të cilët më 6 dhjetor 1742 e sulmuan fshatin, por pas 6 ditë luftimesh, u detyruan të largohen duke lënë 27 të vrarë, ndërsa nga piqerasit vetëm dy të plagosur. (Papas A. Figlia, idem. 1764)

Shtypja e egër nga adminsitrata turke dhe sulmet e grabitësve, i detyruan këto familje ta braktisin Piqerasin. Ikja e tyre u organizua nga Spiro Andrea. U nisën natën nga Piqerasi kaluan në Lukovë, zbritën në gjirin mbi Sarandë, hypën në barkat dhe lundruan për në Korfuz e më pas në ishullin Othone, ku do të prisnin ankorimin e anijes veneciane, që do t’i transportonte në Brindizi.

Gjatë pritjes të anijes, dy vëllezërit Martini, morën një varkë dhe natën u kthyen në Piqeras ku morën ikonën e Shen Maria në kishën e manastirit Krimanove të fshatit. Kjo ikonë e shekullit XV, ruhet në kishën Shën Maria Assunta në Villa Badessa. (I diritti e le terre demaniali nel Comune di San Giorgio sotto Taranto. Lecce, 1890; p.10) (Giustiniaani: Dizionario Geografico – T. IV; p. 245) (Francesco Fazio S.J. La Madona Odigitria. Tipog. Italo – Albanese G. Petrota & Filli – Palermo. 1921)

Pasi zbarkuan në Brindizi, u bë regjistrimi i arbëroreve, të cilët u bënë qytetarë të Mbreterise së Napolit. Të prosardhurit i vendosën në kuaran-tenë, pasi atë kohë ishte përhapur epidemia e murtajës, e cila vazhdoi deri në pranverën e vitit 1744. (Papas Andrea Figlia. Idem, 1764)

Pritja dhe sistemimi i familjeve nga Piqerasi u organizua nga koloneli Xhiulio Kajafa, “kështjellari i detit dhe i tokës i Brindizit”, i cili u kuj-des për furnizimin me ushqime dhe për strehimin e banorëve të rinj. Ky grup familjesh qendroi rreth njëmbëdhjetë muaj në Pulja, por duke mos gjetur një sistemim të përshtatshëm e pas një vere të nxehtë e mungesës të ujit aty ku i kishin vndosur, kërkuan një sistemim më të mirë, ndërsa një grup tjetër shkuan në Faxhiano, ku u bashkuan me familjet himarjo-te të vendosur në këtë komunë në vitin 1507. Shumë burra nga ky komu-nitet ishin mobilizuar në regjimentin Real Maqedon.

Kërkesës të familjeve nga Piqerasi per t’u larguar nga Pulja, iu për-gjigj menjëherë administrata mbretërore.

Më 12 tetor 1743, Josè Joaquìn de Montealegre, duka i Salas dhe sekretari i dytë i Shtetit i Karlit III Borbon, njoftoi markezin Antonio Kastilione, tutori i pronave jasht detyrimit feudal i familjes Farnese në Penne – Abruco, se Mbreti urdheronte, që familjet piqerase, të vendosen në tokat e Bakuko, prona të Farnese, si dhe e urdhëronte të ndërtonin barakat ku të sistemoheshin këto familje. Markezi Kastilione organizoi punen, krijoi “librin ditor”, ku regjistronte shpenzimet dhe punimet për kolonët albanezë” (Aniello D’Iorio: inizi di un insediamento albanese nei feudi borbonici. Spaccato Reale. 9. Nov. 2016).

Më 28 tetor 1743, grupi me 73 pjestarë i 18 familjeve të Piqerasit, nga Brindizi u nisën për në Pianella të Peskarës në Abruco. Pas udhëtimit që zgjati dy javë, të shoqëruar nga Demetrio Mikeli, Kostantin Vlashi dhe Gjon Pali, të martën e 12 nëntorit 1743, arrijtën në Pianella dhe u sistemuan në Bakuko, në pallatin Farnese, si rezulton nga letra e sekretarit të dytë të Mbretërisë, dërguar markezit Antonio Kastilione më 15 nëntor 1743.

Banorët e Pianellës protestuan për vendosjen në trojet e tyre të piqerasve, sepse nuk donin që atë pak tokë të kultivuar që punonin, ta ndanin me të ardhurit, por dhe piqeriotët nuk i pëlqyen tokat e Bakuko. (Federico Roggero. La colonizzazione di Bozza e Badessa negli atti demania-li della Provincia di Teramo. Edizione. Scientifica, Neapel, 2014, pg. 546).

Në këto rrethana, markezi Kastilione dhe oficerat albanezë të Regji-mentit Maqedon, vizituan disa qendra të tjera banimi si Akuadosso, Santa Maria del Poggio dhe Rocca (Roka), por edhe banorët e këtyre fshatrave refuzuan, nuk pranuan t’i ndanin tokat me të ardhurit.

Për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet banorëve të Pianella me bujtësit arbërorë, ndërhyri mbreti Karli III, i cili urdhëroi sistemimin e familjeve albaneze në Villa Badessa dhe në Pian di Coccia (Koçia) të Pianellës në Provincën e Peskarës. Mbreti urdhëroi banorët vendas që kishin marrë me qera tokën mbretërore, tua dorëzonin në përdorim albanezëve. Në urdhërin e mbretit theksohej: “… Familjet albaneze të konsiderohen si gjithë nënshtetasit e tjerë – le suddette famiglie di albanesi che indiffe-rentemente considera come tutti gli altri suoi sudditi, così con maggior giustizia deve credersi che possa farlo il Re, nostro Signore, come padrone diretto e dispotico di detti territori col destinare alla coltura alle famiglie di albanesi”.

Njëkohësisht mbreti i qetësoi banorët e Pianelles duke i theksuar se albanezëve do t’iu jipen në përdorim tokat që nuk punohen nga venda-sit, iu njohu të drejtën të kullosnin bagëtitë në tokat mbretërore, çka më parë ishte e ndaluar, i lejoi të përdornin ujin e lumit Nora si dhe iu dha në përdorim disa mullinj në rrjedhën e lumit. (Lorenzo Giustiniani. Dizionario geografico-ragionato del Regno di Napoli. Tomo X, Napoli 1805, faqe 195). (Federico Roggero. Idem. 2014, pg. 548 -50) (Vittorio Morelli. Villa Badesse degli Abruzzi, colonia albanese del XVIII secolo, aspetti storici, antropologici, linguistici e religiosi. Ediz. Melarancio, Penne. Edizione Melarancio 2014, pp 43 – 45).

Ne fakt, mbreti Karli III iu imponoi vendimin e tij banorëve të Pianellës, duke dekretuar kolonizimin me familje albaneze të Pian di Coccia (Koçia) dhe Abbadessa, madje vendimi shprehte projektin për krijimin e një bashkësie vetëm me albanezë, e ndarë nga ajo e Pianellës. (Federico Roggero. Idem. 2014, pg. 552) Duka Josè J. de Montealegre e porositi markezin Kastilione, t’i bindëte albanezët të pranonin tokat që iu dhuronte mbreti e të mos e humbnin këtë shans. (A. D’Iorio, 2016)

Në çensimentin e 13 nëntorit 1743, pra ditën e nesërme që familjet albaneze arrijtën në Pianella, rezulton se trojet që iu dhuruan albanezëve ishin në Abbadessa (arbëreshët e quajnë Badessa dhe Badesha) dhe në Pian di Coccia (Koçia), dy lagje që ndahen nga lumi Nora. Këto toka ishin blerë nga fisniku Farnese, por pas vdekjes të nënës së tij Elisabetta Farnese, kaluan në zotërim të mbretit Karl III Borbon, i cili iu a dhuroi familjeve të ardhur nga Piqerasi albanez. (Lorenzo Giustiniani. idem, Napoli 1805, faqe 201).

Në këto troje u vendosën 18 familje, si rezulton në letrën e Dukës Montealegre dërguar markezit Kastilione më 15 tetor 1743, me listën e 73 personave (27 burra, 28 gra dhe 18 fëmijë), të regjistruar qytetarë të mbretërsisë së Napolit dhe me emërat e kryefamiljarëve: Gjon Duka (23 vjeç), Demetrio Atanasi (dhjakoni) (30 vjeç), Gjon Spiro (18 vjeç), Dhimo Lessi (40 vjeç), Dhimo Andrea (60 vjeç), Spiro Andrea (45 vjeç), Gjin Vranà (60 vjeç), Dhimo Gjoka (28 vjeç), Gjin Vrana (35 vjeç), Gjik Gjoka Zhupa (25 vjeç), Martin Lessi (35 vjeç), Mikel Spiro (18 vjeç), Dhimo Varfi (50 vjeç), Gjok Gjika Guma (35 vjeç), Atanas Dhima (38 vjeç), Mikel Gjini Atanasi (30 vjeç), Mikel Gjini Gjika (30 vjeç) papas Makario Nika (26 vjeç) dhe dy vëllezërit De Martino, që kishin marrë ikonën e Shën Maries në kishën e manastirit të Piqerasit.

Një grup burrash nga Piqerasi, prej kohësh ishin rekrutuar në Regjimentin Maqedon të mbretërisë së Napolit dhe krahas majorit Demetrio Mikeli, që ishte intendenti i regjimentit dhe dy kapitenave Kostantin Vlashi dhe Gjon Pali, militonin dhe oficera të tjerë si kapiteni Kosta Kemdro, kapiteni Mikel Mikeli, që ishin komandanta kompanie dhe togerat Nikolla Zako, Spiro Jovani, Mikel Laze, Kosta Piksio dhe Niko Martini, vëllai i madh i vëllezërve Martini.

Komuniteti albanez në Villa Badessa, shërbehej nga klerikët e ritit ortodoks Makario Nika, nga dhjakoni Demetrio Atanasi nga Piqerasi, nga prifterinjtë himariotë Gjon Nika, Spiridon Andrea, Mikel Spiro Andrea, të cilët si shkruan Andrea Filia “me zell dhe dashuri i shërbyen kësaj gregje të vogël albanezësh”. (Papas Andrea Figlia. Idem 1764).

Padronia e banorëve arbërorë në Villa Badessa është Santa Maria Theotokos – Shen Maria Assunta.

Në famullinë e Villa Badessa, e cila bën pjesë në Eparkinë e Lungro të Albanezëve, kryhen ritet ortodokse, por me disa risi të rekomanduara nga Koncili i Vatikani II. Kjo famulli është themeluar në vitin 1744 kur u vendosën arbërorët nga Piqerasi. Në kishën e Shen Maria Assunta ka shume ikona, afreske dhe mozaikë të artit bizantin si mozaiku i Shen Spiridonit i shekullit XVIII dhe ikonostatsi. Karakteristikat e riteve që kryhen në këtë kishë janë shpërndarja besimtarëve e bukës së bekueme, e vezëve të ngjyrosura dhe e grurit të zierë gjatë Pashkëve, që jipen menjëherë pas shpalljes “Krishti u Ngjall”.

Banorët tregojnë një legjendë të lidhur me ikonën e Shen Maries të marrë nga kisha e Piqerasit, e njohur dhe Madonna Odigitria (nga greqi-shtja – Ajo që tregon drejtimin e udhës). Sipas legjendës, djemtë që mbanin në krah ikonën, ndjenin se pesha e saj rritej kur po afroheshin Pianella, sa i detyroi të ndalojnë pikërisht në sheshin ku u themelua Villa Badessa”. (Chiara di Salvo. Progetto LEM,. febbraio 2010)

Më 4 mars 1744, u firmos akti formal i dhurimit të tokave arbëro-rëve, ku theksohet: “… si trovavano già in questa terra [di Pianella] e collocate nel palazzo della serenissima Casa Farnese sin tanto che avranno fabbricato in detti territori le loro abitazioni e non altrimenti – ndodhen tashmë në këto toka (të Pianellës) dhe banues në pallatin e serenissimës të fisnikërisë Farnese, të cilët prej kohësh kanë punuar këto terrene dhe kanë ndërtuar banesat e tyre”. Akti noterial u hartua në Pianella nga noteri Saverio Fonso di Ortona a Mare, në shtëpinë e Don Karlo de Felici, në prani të dëshmitarëve Avenerio Pantaleone, Domenico Cipriani e Giuseppe Bernabeo, të Kontit Don Françesko Taddei dhe përgjegjësit të thesarit markezit Kastilione. (A. D’Iorio, idem; 2016; Federigo Roggero 2014).

Në dokument theksohet se Karli III Borbon i jep të drejtën albanezëve të banojnë në Badessa ku iu jipeshin në pronësi pyjet e dushkut, vreshtat e rrushit, ullishtat dhe shtëpia e fshatit, gjithashtu të banonin në Piano di Coccia (Koçia), ku iu jipen në pronësi pjesa e pyllit të dushkut dhe shtëpia për banim. (Lino Bellizi, idem 1994; Federico Roggero, idem 2014). Nga këto dokumenta rezulton se terrenet e Badessa dhe Piano di Coccia (Koçia) ishin troje të pabanuara, nuk ishin qendra urba-ne, por kishte vetëm nga një shtëpi në sejcilin nga këto terrene. Me këto akte, mbretëria  i dhuroi 23 familjeve arbërore 320 hektarë tokë, bagëti, kafshë pune dhe vegla bujqësie dhe iu krijoi mundësinë të themelojnë fshatin Badessa. (Federico Roggero, idem 2014).

Në vitin 1748 nga Provinca e Himarës albaneze erdhën dhe pesë familje të tjera të përbëra nga 23 persona, me kryefamiljarët Dhimo Pali, Gjik Pali, Gjok Pali, Gjik Pali Mikeli dhe Gjik Athanasi (Archivio di stato di Napoli). Mbreti Karli III, urdhëroi markezin Kastilione, që grupin i ri ta bashkoi me 18 familjet e më parëshme, që ishin sistemuar ne Badessa dhe Piano di Coccia (Koçia), kësisoj u krijua një bashkësi arebërore me 23 familje. Për të shmangur çrregullimet, konfliktet dhe pakënaqësitë me banorët vendas, më 24 tetor 1753, markezi Kastilione, sejcilës nga 23 familjet, iu dhuroi tokat e Pianellës të shoqeruar me akte formale nga noteri Daniele Buccieri. (Lino Bellizi, idem).

Në vitin 1795, banorët e ardhur nga Piqerasi albanez themeluan Villa Badessa. Në kuvendin tradicional të kreyfamiljarëve arbëror, u vendos të ndërtojnë banesa për sejcilën nga familjet. Fshati i ri u ngrijt në trojet e quajtur Morreicino, në sheshin Monticello të Badessa.

Shtëpitë i ndërtuan vetë, njelloj si ato të vendlindjes, me mure me gurë të marra nga shtrati i lumit Nora, me çatitë e larta të dukëshme nga të gjitha lartësitë dhe luginat rrrethuese. Çatitë i ndërtuan në dy shtresa, e poshtëmja e mbuluar me kashtë të përzierë me argjilë (pra mjeshtrat arbëror në atë kohë praktikonin termoizolimin), ndërsa sipër vendosnin binarë dushku, mbi të cilët rradhisnin tjegullat. 23 shtëpitë u ndërtuan në dy rradhë, ndërmjet tyre ishte rruga kryesore e qendrës së banuar dhe në krye kisha Shen Maria Assunta. Çdo shtëpi kishte një kopësht me pemë frutore dhe të mbjella me perime e zarzavate sipas stinëve. (Lino Bellizi, idem 1994)(Vittorio Morelli idem 2104).

Gjatë dominimit napoleonik në Mbretërinë e Napolit, sipas projektit të ndarjes administrative, bazuar në ligjin e 3 dhjetorit 1806, tre qendrat e baanuaara Villa Badessa, Villa San Giovanni dhe Villa Oliveti, kaluan në komunën e Roshiano. (Federico Roggero, idem 2014).

Historiani A. Morelli, thekson se Giuseppe de Thomasis, komisari i mbretit për ndarjen e pasurive shtetërore, kontribuoi në hartimin e aktit të marrëveshjes të 10 prillit 1811 në Chieti (Kieti), ndërmjet Komunës Roshiano dhe banorëve të Badessa, për rindarjen e tokave mbretërore në bazë të ligjit të 3 dhjetor 1806.

Përfituesit e tokave në Villa Badessa ishin banorët: Maria e veja e Lazarit, Martin Gjoni, Kostantin Milo, Çezar Spiro, Giovanni (Gjoni) i Lazarit, Nestor Zhuppa, Kostantin Spiro, Giorgio Gjon Dimia, Diamante Kosta, Vincenco Blasi, Athanas Kosta Duka, Zakaria Vlasi, Giovanni (Gjon) Andrea, Gjik Gjoni, Domenik Korsi, Mikel Gjika Pali, Mikel Dhima, Kostantin Zhupa, Domenik Lazari, Spiridion di Martino, Katerina di Giovanni Pali, Domeniko Zako, Giovanni (Gjon) Athanasi, Matteo d’Alesio, Regio Demanio, Giorgio Blasi, Spiridione de Mikeli, Kontesha Dimia, Athanas Pali, Silvestro de Micheli, Giovanni Blasi, Athanasi i Silvestro Kosta, LazarAndrea e Athanas de Mikeli. (Federico Roggero, idem 2014).

Në vitin 1843, gjatë udhëtimit nëpër Itali, piktori i shquar anglez Edward Lear u ndal në Villa Badessa dhe ndër punimet me pamje nga Villa Badessa, është një litografi me pejsazhin e një rruge fshati, që kalon përmes pyllit me dushk dhe ullishtës dhe me një grup grashë me veshjet karakteristike arbërore me guna.

Piktoria dhe shkrimtaria anglosaksone Estella Canziani (Kanciani), në vitin 1911 vizitoi Abrucon dhe rezultatet e studimeve etnografike, i botoi në veprën “Përmes Apenineve dhe trojeve të Abrucos”, ku ndër të tjera shkruan: “Kisha dëgjuar të flitej për arbëreshët që banonin në fushat e Sulmona. Ata ne Villa Badessa ruanin besime të vjetra të çudi-tëshme, besonin në drekësit (Driadat), në murgarat (shtrigat) dhe në fiatazat (zanat)”. Nga këto takime mbresëlënëse, Kanciani realizoi një pikturë në vaj, dy gra arbëreshe të Villa Badessa, nëna me vajzën. Portreti i nënës mizotërohet nga veshjet me rroba të zeza. Ajo ishte grua e ve. Burri i saj kishte milituar në Regjimentin Maqedon dhe ishte vrarenë betejën e Velletri. (Estella Canziani.Attraverso gli Appennini e le terre di Abruzo, Synapsi 2009, f 131)

Në komunën e Villa Badessa jeton një komunitet me 396 arbëreshë, një thesar historik dhe kulturor pak i njohur. Si theksohet në enciklopeditë italiane të vjetra dhe aktuale, arbëreshët e Villa Badesse, për shumë shekuj e ruajtën kulturën etnike, kishën ortodokse, veshjet, doket dhe deri në vitin 1983 e ruajtën të folurën ne gjuhën e vjetër albaneze. I fundit badessiani arbëresh që filste gjuhën e bukur shqipe, kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vdiq në vitin 1983.

Aktualisht “Associazione Culturale Villa Badessa – Shoqata Kulturore Badhesa”, institucionet lokale dhe fetare në Villa Badessa dhe të komunës Roshiano, kanë miratuar disa projekte për mësimin në shkolla të gjuhës shqipe dhe të historisë të Shqipërisë, me synim te rikuperojnë gjuhën dhe kulturën materiale arbërore.

 

 

 

Please follow and like us: