Albspirit

Media/News/Publishing

Hueyda El Saied: Prehu në paqe, mbretëresha jonë!

 

 

Kisha shpresuar t’i shkruaja këto fjalë sa më vonë, shumë më vonë, por nuk paska qenë e thënë.

Si mund të them unë ty lamtumirë, e shtrenjta ime, o nona ime gojë ëmbël, shpirti im, zemra ime.

Ti ke qenë një gjyshe unike, më ke rritur, më ke edukuar, më ke mbrojtur, më ke këshilluar, më ke frymëzuar e ke qenë përkrah meje në çdo iniciativë që kam marrë dhe kur ndoshta të gjithë ishin kundër.

Nese u bëra artiste ishte falë teje dhe shpirtit tënd të artistes.

Gëzohesha kur ata që kishin pasur fatin të të shihnin në skenë të këndoje bënin elozhe për zërin tënd të bukur dhe interpretimin tënd.

Krenohesha me ty o nona ime, se përveçse ishe gjithnjë e dashur, pozitive dhe e zgjuar ti nuk rreshte kurrë të më suprizoje, aq sa në moshën 70-vjeçare luajte në një film kinematografik përkrah aktorëve më të mëdhenj shqiptarë.

Në çdo prezantim mediatik me kërkonin që ti të ishe gjithashtu e pranishme sepse përveçse e dinin sa shumë të doja: ishe si qershia që zbukuron tortën.

Ndihem jetime sot, o nona.

Kë do të thërras unë me përkedheli Noku? Kush do të më tregojë historitë e çuditshme të familjes sonë origjinale? Kë do të thërrasi Gabrieli, nona tani? Se për të mami im është Dana e ai refuzon të thërrasi nona dikë tjetër.

Gabrieli teksa qan me mua më thotë: Mos u merzit mami se nonën do ta kemi gjithnjë në zemër.

Dhe ka të drejtë: aty ke qenë e do të jesh gjithnjë. Gabrieli pati fatin të të njihte, të kalonte e ndante shumë momente me ty, por ne të gjithëve do të na mungojë mirësia, aroma dhe buzëqeshja jote, nona.

Dhimbja bëhet më e madhe nga pamundësia për të të dhënë një puthje të fundit.

Prehu në paqe, mbretëresha jonë!

Gabrieli, Thierry, Mami, Opa e unë, mbesa jote jetime!

Please follow and like us: